1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Profeti Muhamed a.s la pas burra dhe jo pasuri

Më të lexuarat

Aid el Karni

 

Profeti a.s ndërroi jetë pasi iu shpall dhe ajeti i fundit nga Kurani fisnik:”Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj..” (Maide, 3)

Tashmë ishte plotësuar legjislacioni islam, ishte plotësuar feja dhe ishin edukuar burra të cilat do të merrnin në dorë fatin e umetit. Prej atyre burrave të edukuar në vatrën profetike, dolën kalifët e drejtë, liderë, juristë dhe studiues të thellë të Kuranit, model të brezave të mëvonshëm

Ditën që ndërroi jetë Profeti a.s, mburojën e kishte lënë peng tek një çifut, për shkak të një sasie elbi që kishte marrë prej tij. Ai nuk la pas asnjë dërhem dhe asnjë dinar. Ai nuk u la trashëgimi vajzave dhe të afërmve të tij asgjë, pasi kishte thënë:”Ne bashkësia e profetëve nuk lëmë trashëgimi. Çfarë mbetet prej nesh, jepet sadaka.”

Ai ndërroi jetë në një dhomë me qerpiç, e cila u bë varri i tij. Nuk la pas shtëpi, kështjella, troje e thesare. Ai u nda nga kjo botë, ashtu siç kishte ardhur. Por ai la pas një metodologji hyjnore, një besim madhështor, traditën e tij të pasur, një shtet islam, një brez besimtar, një mesazh hyjnor të cilin nuk e kalbin shekujt, nuk e fshijnë erërat, nuk e lajnë ujërat dhe nuk e injoron dot koha. Ai edukoi Ebu Bekrin, i cili ishte model i sinqeritetit, besimit dhe sakrificës. Ai mësoi Umer ibnul Hattabin, mësuesin e sinqertë, liderin e vendosur dhe gjykatësin e drejtë. Prej shkollës profetike, doli Uthman ibnu Affani, i pasionuari pas Kuranit, bujari dhe zemërgjeri. Profeti a.s trajnoi Ali ibnu Ebi Talibin, liderin që e donte fort, atë shpatë të pathyeshme, detin e dijeve dhe burrin që dinte të pozicionohej drejt. Prej shkollës së Muhamedit a.s, doli Abdullah ibnu Abas, interpretuesi i Kuranit dhe pena e umetit. Ai edukoi Ubej ibnu Kab, mjeshtrin e leximit të Kuranit; Muaddh ibnu Xhebelin, liderin e dijetarëve drejt xhenetit; Ebu Dherr Elgifari, njeriu më i sinqertë që ka shkelur tokën; Sad ibnu Muadhin, ditën e vdekjes së cilit u dridh Arshi i të Gjithëpushtetshmit; Halid ibnul Velid, shpatën e gatshme, i cili nuk dinte çfarë është humbj në beteja.

Ata që mbajtën në duar pishtarin e dritës hyjnore, janë me mijëra. Kraharorët e tyre u shndërruan në Kuran që u vlonte me sinqeritet, durim dhe mirësi.

Ky është shkaku përse civilizimi islam ishte më jetëgjati, më i dëliri dhe më i shtriri në kohë, sepse ai la pas ide, modele dhe morale sublime, la pas cilësi e virtyte të pastra, la pas mësime hyjnore. Ndërkohë që civilizimet e tjera u ngritën në bazë të kolonializmit, zhvatjes, shtypjes, plotësimit të epsheve dhe instinkteve.

Kisra dhe Cezari lanë pas kështjella, ngrehina, pallate, troje e lulishte, por nuk lanë pas morale, as drejtësi dhe as mirësi. Prandaj, ato iu nënshtruan menjëherë ushtrisë islame. Faraonët lanë pas piramida, ura, vizatime e statuja, por nuk lanë pas dije të dobishme, as vepra të mira, as drejtësi dhe as barazi. Kur hyri islami me dritën dhe drejtësinë e tij, mbetjet tokësore ulën kokën dhe u gjunjëzuan.

Sigurisht, islami i kushton vëmendje ndërtimeve dhe infrastrukturës, por fillimisht, ai e nis punën me restaurimin dhe edukimin e shpirtit, emancipimin e mendjes, pastrimin e zemrave dhe të ndërgjegjes. Mandej, ai ndërton civilizim, i kushton rëndësi banesës, ushqimit, veshjes, bujqësisë dhe industrisë.

Profeti ynë jetonte në një dhomë të vogël prej qerpiçi, por kjo dhomë u bë burim drite për të gjithë botën. Që aty ai lëshoi diellin e drejtësisë dhe dritën e besimit në mbarë universin. Në këtë dhomë i shfaqej Xhibrili a.s i cili i shpallte vargjet e shenjta dhe linjën e duhur në jetë. Nga kjo dhomë morën formë konturet e shtetit të drejtë islam, i cili shembi padrejtësinë, diktaturat, injorancën dhe analfabetizmin.

Kur u dërgua si profet, njerëzve u lipseshin shtëpi të forta, rrugë të shtruara, toka pjellore, punishte, rrobaqepësi etj… Por, Profeti a.s e nisi punën e tij me njeriun fillimisht, investoi tek njeriu dhe dritën e mësimeve të tij, e orientoi drejt zemrës së njeriut. Nëse njeriut i ndriçohet dhe dëlirësohet zemra, i pasurohet mendja dhe i forcohet vullneti, bën mrekullia në përmirësimin e jetesës në tokë.

E ç’na hyn në punë ajo fabrikë, punishte, kompani, fushë futbolli, shesh dhe lulishte të mbushura me njerëz të ligj, kopukë, zullumqarë dhe sharlatanë? Njerëz të tillë rrënojnë dhe shembin përtokë gjithçka të ndërtuar, shkatërrojnë banesat dhe prishin rendin.

Ditën kur edukon njeriu, udhëzon brezin e ri drejt besimit, drejtësisë, mëshirës, lirisë dhe paqes, ke ngritur civilizimin më të fuqishëm dhe dobiprurës.

Prandaj, kur Profeti a.s i la botës një brez me këto cilësi, për disa dekada, civilizimi islam lëshoi rrezet e tij në kontinentin e Evropës, Indisë etj… Karvanët e dijetarëve, juristëve dhe reformatorëve depërtuan dhe në xhunglat e Afrikës, fushat e Tashkendit, Samarkandit dhe Nehavendit.

Nëse vjen dita dhe ndonjë popull shkatërron dhe shemb çdo gjë të ndërtuar nga myslimanët, kurrë nuk do të mundë të fshijë civilizimin dhe kulturën islame, atë që është gdhendur në mendjet dhe shpirtrat e myslimanëve.

Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit