1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Prizren, mbahet marshimi i paqes për Srebrenicën

Më të lexuarat

“Qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë etnike kanë qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje së bashku me bashkëatdhetarët tanë boshnjakë, duke treguar një solidaritet”, tha Haskuka

 

PRIZREN (AA) – Në organizim të shoqatës së komunitetit boshnjak “Sharski Behar”, sot në në qytetin e Prizrenit në Kosovë u organizua “Marshimi i Paqes” në kujtim të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë marshim, i cili nisi nga lagjja “Ralin” në Prizren, një numër i madh i qytetarëve të komunitetit boshnjak si dhe të komuniteteve tjera në Kosovë, marshuan drejt sheshit “Shadërvan” në qendër të qytetit. Marshuesit në duar mbanin pankartën ku shkruante “Mos e harro Srebrenicën”, si dhe flamuj të Kosovës, Turqisë e të Shqipërisë.

Pas marshimit në qendër të qytetit u mbajt një program përkujtimor në ambient të hapur, ku u lexuan vjersha dhe u mbajtën shfaqje në përkujtim të dëshmorëve të Srebrenicës. Më pas kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha lexoi dua për shpirtrat e atyre që kanë rënë dëshmorë në luftën e Bosnjë e Hercegovinës.

– “Shpirtin dhe mendjen e kam në Potoçari”

Në program ishte i pranishëm edhe ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Rasim Demiri, i cili në një deklaratë për AA tha se për shkak të marrëdhënieve jo të mira në mes të ashtuquajturës Republika Sërpska dhe të Kosovës, nuk ka arritur që të marrë vizën për të shkuar sot në Potoçari, ku u varrosën mbetjet mortore të 35 viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.

“Ndoshta fizikisht nuk do të jem aty por zemrën, shpirtin dhe mendjen e kam në Potoçari”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se edhe pse kanë kaluar 23 vite nga kjo ngjarje, shumë pak veta që kanë qenë përgjegjës për gjenocidin kanë dalë para gjykatave dhe se shumë pak prej tyre janë dënuar. “Qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë etnike kanë qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje së bashku me bashkëatdhetarët tanë boshnjakë, duke treguar një solidaritet”, tha ai.

Në program ishte e pranishme edhe Konsullja e përgjithshme e Republikës së Turqisë, Eylem Altunya e cila tha se “Dëshira jonë më e madhe është që një gjenocid i tillë të mos përjetohet edhe një herë as në rajonin e Ballkanit e as në ndonjë vend të botës. Ashtu siç pamë edhe në marshimin e sotëm ishim së bashku të gjithë, turqit, shqiptarët, boshnjakët. Ishte një marshim që tregoi dashurinë dhe mallin e njerëzve për paqe”, tha ajo.

Më 11 korrik të vitit 1995, njësitë serbe nën komandën e Ratko Mlladiç-it okupuan Srebrenicën dhe kryen gjenocidin.

Kujtojmë se gjenocidi në Srebrenicë është krimi më i madh masiv në tokën evropiane pas Holokaustit në Luftën e Dytë Botërore. Në gjenocidin ndaj boshnjakëve në Srebrenicë më 1995 të kryer nga ish-Ushtria e RS-së, e ndihmuar nga formacionet logjistike nga Serbia, u vranë të paktën 8.372 civilë boshnjakë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit