Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës që të përmbahen nga çdo lloj provokimi dhe të ruajnë qetësinë në Kosovë
PRISHTINË (AA) – Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës që të përmbahen nga çdo lloj provokimi dhe të ruajnë qetësinë në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga presidenca thuhet se presidenti Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje historike, ligjërisht të detyrueshme, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Gjatë këtij rrugëtimi të domosdoshëm për sigurimin e paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor, Republika e Kosovës do t’i përmbahet me përpikëri zotimeve për të ruajtur qetësinë dhe mos rrezikuar në asnjë mënyrë objektivin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Thaçi.
Ai poashtu ka bërë të ditur se pas krijimit të Ekipit Menaxhues, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të finalizojnë punën në hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, bazuar në marrëveshjet e arritura më 2013 dhe 2015 në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
“Prandaj, si president i vendit u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe palëve të përfshira në këtë proces, që të përmbahen nga çdo lloj provokimi dhe të ruajnë qetësinë në një kohë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dje kishte thirrur në takim Këshillin e Sigurisë së Kosovës për të diskutuar mbi gjendjen e rendit dhe ligjit dhe sigurisë në vend. Ai me këtë rast kërkoi rritjen e shkallës së gatishmërisë në vend, duke potencuar se kjo nuk është urdhër për veprim, por fakt që janë në gjendje gatishmërie dhe se do të veprojnë në rast se ka prishje të rendit dhe të ligjit.
Haradinaj në lidhje me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tha se Kosova është brenda obligimeve të veta, që nënkupton se më datë 4 gusht është afati kur dorëzohet transkripti i grupit punues për draft statutin.