1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

PORTRETI I UDHËTARIT

Më të lexuarat

Fudajl b. Ijadi, Allahu e mëshiroftë, një ditë u ul pranë një plaku dhe e pyeti:

Sa vjet i ke? –Gjashtëdhjetë,- u përgjigj plaku. -A e di, -i tha Fudajli, se prej gjashtëdhjetë vitesh je duke udhëtuar drejt Zotit dhe gati sa ke mbërritur. Njeriu heshti dhe pastaj pëshpëriti: -Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! -A e di kuptimin e kësaj që sapo the,- pyeti Fudajli. -Je duke thënë se je rob i Allahut dhe se tek Allahu do të kthehesh. Ai që e di se është rob i Allahut dhe se tek Allahu do të kthehet duhet ta dijë se në Ditën e Gjykimit do të ndalohet dhe do të merret në përgjegjësi për veprimet që i ka kryer në jetë.

Ai me siguri do të pyetet, e atë që e presin këto pyetje, që tani duhet të fillojë me përgatitjen e përgjigjeve.

-Çfarë duhet të bëj, -pyeti plaku.

-Është fare e thjeshtë, vepro mirë në ato ditë që të kanë mbetur dhe Allahu do t’i falë ato që ke bërë në të kaluarën. Në të kundërtën do të përgjigjesh për të kaluarën dhe për ditët që ke para vetes.

Ditët e pleqërisë, nëse i arrijmë, nuk i kemi larg dhe përgatitja për udhëtim duhet të fillojë. Në të kaluarën, jo të largët, shkretëtirat ishin vendi më i vështirë për të udhëtuar, të gjata, të thata, vapa e papërballueshme etj. Askush nuk guxonte të merrte udhën pa ujë, pa ushqim në sasi të mjaftueshme. Pa këto harxhe të mjaftueshme udhëtimi ishte vetëm një ëndërr.

Në ajetet që flasin për haxhillëkun, gjatë rrëfimit për udhëtimin për të arritur tek shtëpia e lashtë, Allahu na rikujton një udhëtim të një lloji tjetër. Një udhëtim në të cilin marrin pjesë të gjithë shpirtrat, ata që kujdesen si dhe të pavëmendshmit, udhëtimin drejt ahiretit, drejt parajsës ose ferrit.

Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!” (Bekare, 197)

Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: Një ditë isha me të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ue selem, ai u kthye nga unë, duart e tij të bekuara i vendosi mbi supet e mia dhe më tha: Në këtë botë sillu si i huaj ose si udhëtar. Ibën Omeri i këshillonte nxënësit e tij: Në mbrëmje mos e pritni agimin, kurse kur të gdhini në mëngjes mos e pritni mbrëmjen. Shfrytëzoheni shëndetin para se të sëmureni, jetën para se të vdisni. Shënon Buhariu.

Tregimi im dhe i yti në këtë jetë duhet të jetë si tregimi i një të huaji në ndonjë qytet ose si i udhëtarit. Para ca kohësh shkruesi i këtyre rreshtave u largua prej qytetit të Medinës, pasi qëndroi aty gjashtë vite. Në ditët e fundit çdo gjë dukej interesante, por nuk kishte kohë që njeriu të kënaqej me to. Namazi në xhaminë e të Dërguarit tani dukej disi më madhështor, më ndikues… Erdhi koha për tu larguar. Kur prindërit tanë Ademi dhe Hava u larguan prej xhenetit zemrat e tyre vazhduan të rënkojnë duke e kujtuar me mall shtëpinë e tyre të parë. Të gjithë e kujtojmë përmallimin për shtëpitë tona që na kaplon kur largohemi prej vatrave tona. Mallëngjimi për shtëpinë e tij e kaplon çdo udhëtar. I këtillë, i përmalluar për Allahun dhe xhenetin e tij është udhëtari drejt ahiretit në këtë botë. Ndihet i huaj në këtë botë kalimtare.

I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shembulli i kësaj dynjaje është shembulli i një udhëtari, i cili duke udhëtuar në vapën e pasdrekes, u ndal të pushojë nën hijen e një druri për ca çaste, pastaj u ngrit dhe vazhdoi rrugëtimin”. (Hadithi është hasen. E shënojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu.) Udhëtimi-jeta. Destinacioni-xheneti ose xhehenemi. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, shpeshherë thoshte: Dynjaja është duke u larguar dhe ahireti është duke u afruar. Edhe dynjaja i ka fëmijët e saj edhe ahireti i ka fëmijët e tij. Bëhuni prej fëmijëve të ahiretit e mos u bëni prej fëmijëve të dynjasë. Sot në dynja është koha për punë dhe nuk ka llogari. Nesër në ahiret do të llogariteni dhe nuk do të punoni.

Një i urtë në një rast tha: Për t’u habitur është halli i atij, të cilin kjo dynja dita-ditës e braktis dhe të cilit ahireti dita-ditës i afrohet. Si angazhohet me dynjanë, e cila e braktis dhe e harron ahiretin, i cili e pret krahëhapur.

Muhamed b. Vasi, Allahu e mëshiroftë, një herë u pyet se si ndihet. Përgjigja e tij ishte: Çfarë mendon për atë, i cili për çdo ditë i afrohet ahiretit.

Vëlla i dashur dhe motër e nderuar, çdo shpirt e bën rrugëtimin e vet. Disa këtë e kanë kuptuar dhe ditët i kalojnë duke u përgatitur për përgjigjet e asaj dite në të cilën çdokush do ta merr shpërblimin e vet. Të tjerët e “jetojnë jetën e tyre” deri në skajshmëri, të shkujdesur dhe mospërfillës për ahiretin. Allahu i Lartësuar e përshkruan atë ditë kur përfundimisht njerëzit do të zgjohen dhe erën e zjarrit. “(Mohuesit do t’i thuhet): “Ti ke qenë i pavëmendshëm për këtë. Tashti ta kemi ngritur perden (e syve), dhe shikimi yt sot është i mprehtë.” (Kaf, 22).

Ata jetojnë në dehje satanike. Interesimi i vetëm është vetura e re, shtëpia më e madhe, pasuria… disa zgjohen në këtë botë, kur akoma ka kohë për pendim. Disa të tjerë këtë ajet do ta dëgjojnë, kur pendimi do të jetë i pavlefshëm.

 

Të shkujdesurit

Në kaptinën Kijame Allahu, subhanehu ue teala, e përshkruan nxjerrjen e shpirtit, ato momente të fundit. Me sa duket është shtrirë në shtratin e gjumin, duke mos menduar se duhet të zgjohet për ta falur sabahun. Fëmijëve të tij u ka premtuar se gjatë verës së ardhshme do ta vizitojnë Diznilendin. Bashkëshortes i ka premtuar një fustan të ri. Vetes i ka premtuar… por gjatë natës i erdhi një vizitor, të cilin nuk e priste. Ky takim qëmoti ishte i caktuar, ti e zure për asgjë dhe e harrove.

“Por kur shpirti të vijë në grykë…” (Kijame, 26) Shpirti del prej trupit duke u drejtuar nga gryka e fytit, këmbët, duart, trupi janë pajetë. Shpirti bënte gargara në fyt. U dëgjua një britmë. Gruaja dhe fëmijët u afruan, ç’ke, ç’ke… jo përgjigje s’ka. Udhëtimi i tij tani filloi.

“e të thërrasin “A ka shërues”. (Kijame, 27) Gruaja vrapoi drejt telefonit, fëmijët shikojnë djathtas, majtas, a ka kush e shpëton babën tonë. Jo nuk ka shpëtim për atë që i ka ardhur vdekja.

“atëherë, ai (që po vdes) do të bindet se ky është çasti i ndarjes.” (Kijame, 28) është ballafaquar me realitetin. Bindet se fundi ka ardhur…

“dhe këmbët do të ngrijnë. Atë ditë, ai do të sillet te Zoti yt.” (Kijame, 29-30)

Në fund dëgjoje këtë këshillë profetike: “Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave, rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para kohës kur do të angazhohemi, jetën para vdekjes.”

Përktheu: Talha Kurtishi/albislam.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit