1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Por do ta ndajë të keqin prej të mirit

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen e tij dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Umeti islam në këto kohëra po ballafaqohet me sprova të ndryshme nga armiqtë e përbetuar të Islamit dhe muslimanëve në njërën anë dhe në anën tjetër nga të pabesët dhe tradhtarët brenda për brenda shoqërisë islame, të cilët janë edhe bij dhe bija po të kësaj shoqërie.

Gjeneratat e edukuara dhe shkolluara me sisteme sekulariste dhe antiislame janë mobilizuar fort për të sulmuar vlerat dhe parimet islame. Nuk kursehet asgjë që është e shenjtë islame; përdhoset i Dërguari i Allahut, nëpërkëmbet mbulesa e femrës muslimane, etj.. Besimtarët e mirë terrorizohen dhe etiketohen me lloj-lloj etiketash. Çdokush e zbulon fytyrën e vet, në këtë mënyrë dallohen dhe klasifikohen njerëzit, besimtarët, intelektualët, studentët, hoxhallarët, udhëheqësit e muslimanëve…
Vështirësia, fatkeqësia, belaja dhe rrethanat të tjera të rënda që dalin përpara njeriut, dhe që ai duhet t’i përballojë, dallojnë dhe veçojnë të keqin prej të mirit. Të lexojmë së bashku fjalët e Allahut të Lartësuar:

مَّا كَانَ اللّهُ لِيَذَرَ الْمُؤْمِنِينَ عَلَى مَا أَنتُمْ عَلَيْهِ حَتَّىَ يَمِيزَ الْخَبِيثَ مِنَ الطَّيِّبِ وَمَا كَانَ اللّهُ لِيُطْلِعَكُمْ عَلَى الْغَيْبِ وَلَكِنَّ اللّهَ يَجْتَبِي مِن رُّسُلِهِ مَن يَشَاءُ فَآمِنُواْ بِاللّهِ وَرُسُلِهِ وَإِن تُؤْمِنُواْ وَتَتَّقُواْ فَلَكُمْ أَجْرٌ عَظِيمٌ
“Allahu nuk i lë besimtarët në gjendjen që ndodheni ju, por do ta ndajë të keqin prej të mirit. Allahu nuk do t’ua zbulojë të fshehtën (që vetëm Ai e di), por Allahu zgjedh kë të dojë nga të dërguarit e Tij. Besoni në Allahun dhe në të Dërguarit e Tij! Nëse besoni dhe i frikësoheni Allahut, ju do të keni shpërblim të madh.”1

Prej ligjeve të Allahut të Lartësuar është që robërit e Tij nuk kanë vetëm një gjendje të pandryshueshme dhe të mbetet besimtari pa u testuar dhe sprovuar. Por ata do t’u nënshtrohen testeve të shumta, vetëm në këtë mënyrë ndahen besimtarët e durueshëm dhe zbulohen hipokritët e pafytyrë. Dallohen miqtë e Allahut dhe armiqtë e Tij. Në luftën e Uhudit i sprovoi Allahu i Lartësuar besimtarët e denjë mbetën në besimin e tyre, por u zbulua fytyra e mynafikëve, se këta nuk dëshiruan të marrin pjesë në luftë, e tradhtuan të Dërguarin e Allahut të Lartësuar.

قُل لاَّ يَسْتَوِي الْخَبِيثُ وَالطَّيِّبُ وَلَوْ أَعْجَبَكَ كَثْرَةُ الْخَبِيثِ فَاتَّقُواْ اللّهَ يَا أُوْلِي الأَلْبَابِ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ
“Thuaju: “Nuk barazohet e keqja me të mirën, edhe sikur të të habisë bollëku i së keqes. Prandaj kijeni frikë Allahun, o njerëz me intelekt, me qëllim që të shpëtoni.”2

Në këtë ajet Allahu i Lartësuar thotë: Thuaju o Muhamed njerëzve se asnjëherë nuk mundë të barazohet e keqja me të mirën edhe nëse ti o njeri je i habitur me sasinë e madhe të keqes. Ashtu siç nuk barazohet kjo, gjithashtu nuk barazohet i miri dhe i keqi, përmirësuesi dhe shkatërruesi. Patjetër që çdokush do të shpërblehet sipas meritës.

لِيَمِيزَ اللّهُ الْخَبِيثَ مِنَ الطَّيِّبِ وَيَجْعَلَ الْخَبِيثَ بَعْضَهُ عَلَىَ بَعْضٍ فَيَرْكُمَهُ جَمِيعاً فَيَجْعَلَهُ فِي جَهَنَّمَ أُوْلَـئِكَ هُمُ الْخَاسِرُونَ
“…që Allahu të veçojë të keqin nga i miri; të këqijtë t’i palosë njërin mbi tjetrin, e të gjithë t’i hedhë në xhehenem. Këta, me të vërtetë, janë të humbur.”3

Allahu i Lartësuar ka siguruar fitore për robërit e Vet dhe humbje për armiqtë e tyre dhe atyre që i ndihmojnë jobesimtarët për të penguar fjalën e Allahut të Lartësuar. Kështu Allahu i veçon dhe i ndan jobesimtarët e ndytë prej besimtarëve të mirë e të lumtur. Dhe Allahu i vë të këqijtë njëri mbi tjetrin duke i grumbulluar të gjithë të këqijtë dhe duke përfunduar të humbur në xhehenem.

Të nderuar besimtarë!
Duhet kujtuar se besimi nuk është vetëm fjalë, e cila thuhet me gjuhë, por është vërtetësi me detyra, obligime dhe përgjegjësi. Nuk mjafton thjesht që njerëzit të thonë: besojmë dhe veprojmë e këta të mos të ballafaqohen me sprova, vuajtje dhe shqetësime. Njerëzit më të sprovuar ishin të Dërguarit e Allahut të Lartësuar, meqë ishin më të paluhatshmit në misionin e shenjtë thirrës. Sad b. Ebi Vekasi e pyet Muhamedin, salallahu alejhi ue selem: “Cilët njerëz janë më të sprovuar”, dhe ai përgjigjet:

الْأَنْبِيَاءُ ثُمَّ الْأَمْثَلُ فَالْأَمْثَلُ ‏ ‏فَيُبْتَلَى الرَّجُلُ عَلَى حَسَبِ دِينِهِ فَإِنْ كَانَ دِينُهُ صُلْبًا اشْتَدَّ بَلَاؤُهُ وَإِنْ كَانَ فِي دِينِهِ رِقَّةٌ ابْتُلِيَ عَلَى حَسَبِ دِينِهِ فَمَا ‏ ‏يَبْرَحُ ‏ ‏الْبَلَاءُ بِالْعَبْدِ حَتَّى يَتْرُكَهُ يَمْشِي عَلَى الْأَرْضِ مَا عَلَيْهِ خَطِيئَةٌ
“Njerëzit më të sprovuar janë Pejgamberët, pastaj ata që janë më afër tyre dhe që i ndjekin ata. Sprovohet njeriu sipas shkallës së besimit, nëse është i fortë në besimin e tij edhe sprovën e ka më të madhe. Nëse është i dobët në besimin e tij do të sprovohet sa shkalla e besimit të tij. Njeriu sprovohet derisa të ecë mbi tokë pa asnjë mëkat.”4

Sprovat janë të dobishme; përmes tyre vihet në provë vullneti dhe sinqeriteti i besimtarëve; ato nxjerrin në shesh dhe ripërtërijnë besimin, hapin dhe shndrisin zemrat e besimtarëve. Shumë gjëra nuk do t’i dinte besimtari, po të mos sprovohej. Për më tepër, nën klimën e sprovës një besimtar kalitet. Poeti el-Mutenebi thotë:

Më gjuajti koha me fatkeqësitë,
Derisa pëlhura e zemrës m’u bë e hekurt.

Dhe u bëra, që kur të më godasin me shigjeta,
Të thyhen, mend si shigjetat të preknin njëra me tjetrën.

Dhe ja kështu jetova, e për fatkeqësitë as që u interesova
Ngase të mbaj mërzinë dobi nuk pata e as diçka fitova.

 

Të nderuar besimtarë!
Kur besimtari sprovohet, të jetë edhe më i vendosur, njëherazi edhe më i kujdesshëm. Në vazhdim po i përkujtojmë disa udhëzime, e ato janë:
– kërkimi i mbrojtjes vetëm nga Allahu i Lartësuar nga sprovat dhe telashet duke iu lutur vetëm Atij.
– Mobilizimi me dituri dhe njohuri mbi rregullat dhe dispozitat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe të kuptuarit e drejtë të mësimeve islame.
– Besimtari gjatë sprovave duhet të jetë i matur dhe syçelë duke mos nxituar për të dhënë deklarata të nxituara dhe të papërgjegjshme.
– Konsultime me njerëz të ditur dhe të mençur e të devotshëm që kanë frikë Allahun e Lartësuar.

Në këto kohë fitnesh, sprovash dhe telashesh, duhet të jemi të qëndrueshëm dhe të rezistojmë fuqishëm duke mos lejuar që të tjerët të fusin dyshime në parimet dhe mësimet islame.

رَبَّنَا أَفْرِغْ عَلَيْنَا صَبْراً وَثَبِّتْ أَقْدَامَنَا وَانصُرْنَا عَلَى الْقَوْمِ الْكَافِرِينَ
“Zoti ynë! Na pajis me durim, na forco këmbët tona dhe na ndihmo kundër këtij populli jobesimtar!”5

 

1 Ali Imran, 179.
2 Maide, 100.
3 Enfal, 37.
4 Transmeton Tirmidhiu, hadithi është sahih.
5 Bekare, 250

 

Ulvi Fejzullahu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit