Një polic në Kinshas, ka vrarë një student i cili nuk barte maskë mbrojtëse gjatë realizimit të një video, e kjo ndodhi pasi vala e tretë e coronavirusit ka goditur Republikën Demokratike të Kongos (DRC), kanë raportuar mediat e atjeshme duke u thirrur në dëshmitë e dëshmitarëve okularë.
“Kolegu ynë Honore Shama, student i letërsisë në Universitetin e Kinshas, ka realizuar një video në kuadër të një pune praktike. Ai është akuzuar për mosbindje dhe rezistencë, ku si pasojë u qëllua me armë nga afër”, ka thënë një dëshmitar, që gjithashtu ishte student në Petient Odia, transmeton Telegrafi.
Bartja e maskës në Kongo është e obligueshme, kurse shkelja e kësaj mase dënohet me 10.000 franga të Kongos apo pesë dollarë amerikanë.
Zyrtarët policorë në Kinshas dyshohet se vazhdimisht po i shqetësojnë qytetarët, duke u kërkuar para në këmbim të mos shqiptimit të gjobave të ndryshme.
E nga shpërthimi i pandemisë së coronavirusit në mars të vitit të kaluar, në Kongo janë regjistruar 47.786 raste dhe 1.020 tjerë që kanë humbur jetën nga COVID-19. /Telegrafi/