-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Placebo – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

RUDIAN ZEKTHI

1. Në korrik të vitit 2015, në vigjilje të miratimit nga Parlamenti të reformës për arsimin e lartë, në këtë gazetë botova një shkrim, ku e kisha cilësuar këtë reformë si një eksperiment social i destinuar të dështonte. Po i riparaqesim që në fillim tezat kryesore të atij shkrimi: Universiteti shqiptar kishte njëzet e pesë vite që shpërdoronte mundësitë e veta për orientim dhe inspirim të shoqërisë shqiptare- fokusimi i reformës tek aspekti menaxherial, kujdesi për mospërgjegjësi financiare dhe cektësia në trajtimin e aspektit shkencor, konotonin që pushteti ishte i çinteresuar për Universitetin, nuk e ndjente mungesën e cilësisë së tij dhe ishte i përgatitur të mos ndjente edhe mungesën fizike të tij; – në vendet anglosaksone, prej nga ku u adoptua kjo reformë, përmes skemës së superfinancimit për universitetet elitë. shteti ende komb as nuk e kishte çuar nëpër mend të hiqte dorë nga nevoja për Universitetin ;-profesorati shqiptar, si shkaktari kryesor i këtij degradimi të Universitetit, në këto kushte, imponuar nga reforma, i duhej të mbijetonte si inkubator i dijes shkencore nëse herët apo vonë shoqëria do të dëshmonte se kishte nevoje realisht për këtë dije; -nëse kjo e fundit ndodhte, atëherë dija e duhur ishte në disponim dhe do të duhej një doktrinë e re për Universitetin, për ta ekzaltuar këtë dije.

2. Po ashtu, teza ndoshta më e rëndësishme e atij shkrimi ishte që shoqëria shqiptare e ndjente ende nevojën e Universitetit, por kjo ishte një nevojë e rreme që Universiteti e ngopte me një ofertë gjithashtu të rreme. Sipas kësaj teze, shoqëria shqiptare nuk e ndjen realisht nevojën e Universitetit, pra, nuk e ndjen realisht nevojën për të luftuar injorancën përmes Universitetit, por ndjen nevojën për Universitetin si një dëshirë e rreme e ngulitur nga shprehia e komunikimit simbolik. Në këtë kuptim, edhe qeveria, edhe shoqëria kanë të njëjtën bindje induktuar nga paradigma e postmodernes dhe diferenca mes tyre qëndron në faktin që qeveria është e vetëdijshme për këtë bindje të vetën dhe e fsheh (dosido, pa u impenjuar shumë), kurse shoqëria shqiptare është e pavetëdijshme për këtë bindje dhe për pasojë është ende e përfshirë nga joshjet e një dëshire të rreme. Kështu, për shoqërinë, Universiteti është një Placebo, pra, një kurë apo ilaç i rremë për një sëmundje të rreme apo një zgjidhje e rreme për një dëshirë të rreme.

3. Por nuk duhet të harrojmë që funksioni i Universitetit si Placebo, funksion që në thelb është një luks, bëhet dominues përmes kompensimit që i bëhet nga një dëshirë tjetër brendapërbrenda shoqërisë shqiptare ,nga dëshira për status dhe garanci (dëshirë asfare e rreme kjo), që plotësohet po ashtu nga i njëjti Universitet për të njëjtën shoqëri.

4. Në këto kushte, Reforma, ashtu siç u konceptua, dukej se ishte shprehje e sinergjisë perfekte midis qeverisë (shtetit) dhe shoqërisë: shkatërronte themelet e një Universiteti Elitë Humboldtian dhe lejonte mbijetesën e një Universiteti surrogate, i mjaftueshëm vetëm si placebo. Prandaj, i sugjerohej pjesës më të mirë të profesoratit shqiptar që në kushtet kur fluksi kulturor dominues në shoqëri e kërkonte Universitetin vetëm si përmbushës të një dëshire të rreme, nuk mund të bënin tjetër veç të mbijetonte si inkubator i dijes objektive, në pritje të një ndryshimi të shpresuar të fluksit, të ndonjë dëshmie të paparishikuar nga ana e shoqërisë (ndoshta dhe shtetit) se më në fund ishte ndjerë nevoja për këtë dije.

5. Lëvizja e studentëve e këtyre ditëve të fundit dëshmon vërtetësinë e këtyre tezave: reforma, si eksperiment i madh social, ka dështuar dhe qeveria në kushtet e shtrëngesës nga protesta, ose duhet të pranojë haptazi që me qëllim dhe kthjelltësi vendosi të vazhdonte pa Universitetin duke treguar se mbi ç’argument ky qëndrim është i pranueshëm, ose duhet të shtiret se beson që Universiteti është aq i rëndësishëm saqë reforma nuk mund të ishte vetiu e suksesshme dhe të marrë përsipër ta rimarrë apo ta reformojë apo ta rikonceptojë atë. Se cilin nga këto dy qëndrime do të mbajë qeveria aktuale shqiptare si përfaqësuese e shtetitkomb shqiptar, këtij shkrimi i intereson vetëm për sa kjo do të implikojë edhe qëndrimin që do të duhet të ndajë mendjen e të mbajë shoqëria shqiptar dhe profesorati shqiptar.

6. Nëse qeveria zgjedh të mbështesë edhe nën presion qëndrimin e saj të vërtetë, pra që Universiteti është mbetje e një kohe tjetër, për semantizimin anakronik të të cilit nuk ka nevojë, nuk jemi për asnjë rast dakord: së pari sepse ne besojmë që për nga natyra e saj dija është një e tërë dhe jo e përçarë, se jo vetëm përvojat, por edhe dija mund të na bashkojë; së dyti, edhe sikur t’i lejohet qeverisë të besojë te një dije subjektive dhe te vetëmjaftueshmëria e lojërave ligjërimore, është me siguri e papranueshme për të që të mos kuptojë (apo më keq, të neglizhojë) se një qëndrim i tillë ndaj dijes (që vjen nga paradigma dominuese e postmodernes) mund të jetë i mjaftueshëm për të marrë dhe ruajtur pushtetin politik mbi shoqërinë, por nga pikëpamja gjeopolitike është një vetëvrasje: pa Universitetin, është e destinuar të humbë çdo betejë si shtet-komb. Qeveria do të ishte komode ta bënte sot këtë, vetëm pra nëse në ligjin e arsimit të lartë (edhe në kushtet e mbështetjes në paradigmën e postmodernes për natyrën e dijes) të parashihte (gjë që nuk e ka bërë, pikërisht këtë nuk ka bërë), domosdoshmërinë dhe mbështetjen ligjore dhe financiare për Universitetin Elitë, i domosdoshëm për të mbijetuar gjeopolitikisht si komb. Po sa kohë që këtë nuk e ka bërë, sot mbetet pa asnjë alibi nëse shpall vërtetësinë e qëndrimit të saj ndaj Universitetit.

7. Dhe po qe se qeveria e bën këtë, paradoksalisht do të rrëzohet nga pjesa e shoqërisë, për të cilën Universiteti është Placebo, pasi që protesta e studentëve e ka mbivendosur në një pozicion kë e sheh idealisht Universitetin si Placebo, me kë e sheh pragmatikisht Universitetin si një ndërmjetësues për te statusi. Sepse edhe ky i dyti, po paradoksalisht do jetë (siç është ndërkohë) kundër qeverisë, ngaqë statusi është aq i pasigurt dhe i pamjaftueshëm sa nuk ia vlejti asnjë rritje e çmimit për kaq pak, siç u vu re me tarifat e riprovimeve. Edhe ajo pjesë e profesoratit që beson tek Universiteti sipas paradigmës së modernes, si vendpërpunim i dijes objektive do të jetë po ashtu kundër qeverisë (vetëm pjesa më e madhe e padenjë e profesoratit do të jetë dakord me qeverinë sepse do përligjin parëndësishmërinë e saj që bëjnë realisht nëpër auditorë).

8. Prandaj qeveria nuk ka për ta bërë këtë, as nuk e përfytyron ta bëjë këtë gjest vërtetësie. Kështu i mbetet të zgjedhë të shtiret, pra sikur edhe për të Universiteti është i rëndësishëm dhe dështimi i reformës nuk është një eksperiment i qëllimshëm, por një aksident, të cilin do ta marrë përsipër ta korrigjojë me qëllim që të mos ndodhë më. Po qe se shtiret, pra zgjedh publikisht si qëndrim atë që realisht nuk e beson apo nuk i intereson, atëherë kjo mund ta tokëzojë ose jo presionin drejtuar saj, ( gjë që s’ka pse parashikohet, sido të ndodhë në thelb është e parëndësishme: çfarë po shpresohet se po ndodh është çështje e një rendi më të lartë se qeverisja e radhës, është çështje e mbarë sistemit) dhe mund të shpjerë në një situatë paradoksale: do të ndërmerren negociata dhe ligje për Universitetin, për të mirën e Universitetit, nga palë joadekuate: nga shteti që shtiret, nga një pjesë e shoqërisë që është në iluzionin e një nevoje të rreme, nga një pjesë tjetër që e sheh Universitetin vetëm si instrument për sukses dhe status, nga pjesa më e mirë e profesoratit që nuk është ende e qartë që lufta për Universitetin është lufta për natyrën e dijes dhe natyrën e qenies njerëzore dhe aq më keq, nga savurra e profesoratit që është e disponuar të urrejë dhe refuzojë çfarëdo ndryshimi në gjendjen e Universitetit (të vihet re se kjo pjesë e profesoratit, cilido qoftë qëndrimi i qeverisë, është në harmoni me të). Ç’mund të ndodhë në këtë ndërveprim mospërputhshmërie?

9. Dhe studentët, janë dhe studentët, a nuk janë dhe ata palë – pala e duhur, dhe a nuk e kushtëzojnë ata gjithçka po ndodh, a nuk mund ta korrigjojnë ata këtë rend mospërputhshmërish? Pra, sigurisht që jo, studentët nuk janë palë (ato kanë nevojë të përfaqësohen nga jashtë, ndryshe nga palët që përmendëm), por medium dhe sinjal: duke bllokuar sfondin, ata thjesht po na ndihmojnë të fokusohemi, që do të thotë të na lehtësohet dhe bëhet e vetvetishme marrëdhënia me atë që është e rëndësishme. Këtë vetvetishmëri në marrëdhënien me rëndësinë e gjërave dhe me më të rëndësishmet mes tyre na e ofron si dhuratë lëvizja e studentëve dhe në këtë kuptim, lëvizja e tyre nuk është më shumë se një medium: nuk është se nuk e dimë se çfarë është e rëndësishme ose merret seriozisht, ose e bën gjithçka tjetër të parëndësishme, por nuk na mjafton ta dimë këtë, por edhe ta ndiejmë. Kjo lëvizje prandaj është një medium, pasi atë që dihet e bën të ndihet, duke lidhur intelegjibilen me sensibilen.

10. Si e tillë, lëvizja provokon domosdoshmërinë e vet: po qe se gjen mjedis të përshtatshëm lëvizja e shkarkon (duke u tretur vetë) fokusin e vet te sfondi i zakoneve dhe institucioneve të shoqërisë, duke i ushqyer ato me këtë domosdoshmëri të lidhjes mes intelegjibiles dhe sensibiles; në të kundërt, nëse nuk gjen mjedis nxitës, konstatohet se qe e padomosdoshme dhe tretet duke mos lënë pas asgjë përveç keqardhjes së një mundësie të çuar dëm.

11. Duam të themi se shoqëria është një organizëm, aftësia e së cilës për të mbajtur – pësuar është teorikisht pa limit : ajo u mbijeton luftërave, katastrofave natyrore, epidemive, madje edhe mungesës së standardeve dhe shthurjes së zakoneve. Në këtë kuptim, ajo nuk ka nevojë për lëvizje të tilla, ia del mbanë edhe pa to, nga ku dedukton që kjo lëvizje edhe mund të firojë me të njëjtën lehtësi me të cilën nisi.

12. Sikurse Lëvizja e Dhjetorit 1990, e cila në përputhje me një faktor nxitës, siç qe gjeopolitika e pasrënies së Murit të Berlinit ( pa këtë gjeopolitikë të favorshme, pavarësisht varfërisë dhe represionit, asgjë nuk na pengon të përfytyrojmë vdirrjen e lëvizjes dhe riaktivizim të aftësisë mbajtëse të shoqërisë shqiptare) solli si sukses normalitetin e pluralizmit politik në Shqipëri; sikurse në mospërputhje me mungesën e një elite kombëtare të ndershme dhe vizionare që ta sublimonte në institucionet e reja kontributin e lëvizjes, vetë lëvizja u tret pa lënë gjë tjetër pas, pos pikëllimit të një gjëje të ndërprerë.

13. Tani mund t’i përgjigjemi me qartësi të mjaftueshme pyetjes së ngritur në fund të paragrafit 8. Nga kombinimi i papërputhshmërive të të gjitha palëve të përfshira në një negocim dhe marrëveshje potenciale për Universitetin, më e mundshmja është që duke u mjaftuar me uljen e tarifave dhe rritjen e buxhetit për arsimin, të vazhdohet statuskuoja dhe palët të mbështetin papërputhshmëritë e njëra-tjetrës: qeveria të vazhdojë të shtiret pa e marrë asnjëherë seriozisht Universitetin, shoqëria shqiptare të vazhdojë ta kërkojë Universitetin ose si një fiksacion ose si një shpërndarës statusesh, pjesa më e mirë e profesoratit të vazhdojë po ashtu iluzionin e vetëmjaftueshmërisë së albanologjisë, kurse pjesa e rëndomtë e profesoratit do të vazhdojë të lulëzojë edhe njëherë rëndomtësinë e vet. Dhe sigurisht studentët t’u kthehen auditorëve, sikur të mos ishin ata që për një çast tronditën gjithë sistemin. Një marrëveshje e tillë do ta rilegjitimojë Universitetin sërish si një Placebo ( në këtë rast edhe marrëveshja e tillë do të jetë po ashtu një Placebo).

14. Që kjo të mos ndodhë, do të duhet të verifikohet realisht në terren ekzistenca e një elite të ndershme dhe kompetente, e cila përfaqësohet në publik me tekste, skema dhe ide: dhe mbi të gjitha me integritet. Një elitë, e cila në pritje të kësaj dite ka punuar për të identifikuar keqorientimin e sistemit dhe ka formuluar zgjidhjet dhe ndoshta ka përfytyruar një sistem të ri, qëllimi i të cilit është ekzaltimi i potencialit të kësaj shoqërie dhe zhvillimi i personalitetit dhe dinjitetit të cilitdo pjesëtar të kësaj bashkësie.

15. Vetëm një elitë e tillë është mundësia e studentëve për t’u përfaqësuar dhe do të ishte pala e vetme e dëshirueshme që do ta shpëtonte marrëveshjen Placebo dhe do të mundësonte një reflektim me themel për pamjaftueshmërinë akute të premisave ku mbështetet deri më tani shoqëria shqiptare.

16. Në fakt, ky është thelbi i çështjes: lëvizja e studentëve është një fractal në kërkim të domosdoshmërisë së vet, që nuk mund të jetë tjetër pos një grusht njerëzish vizionarë që do të duhej të ishin në pritje të këtij fraktali. Nëse verifikohet që ky grup nuk ekziston, atëherë kjo lëvizje nuk ka qenë e domosdoshme, pra shoqëria nuk ka qenë e përgatitur për të dhe nuk është më Universiteti, por i gjithë sistemi që funksionon si Placebo: si një botë e rreme për një shoqëri të rreme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit