Për shkak të dashurisë që ka Zoti ndaj teje, zbret çdo natë, ashtu si i takon Lartëmadhërisë së Tij, në qiellin e dunjasë dhe i thërret të shkujdesurit dhe të fjeturit me fjalët e Tij të ëmbla:
“A ka kush që më thërret t’i përgjigjem? A ka kush që më lutet t’ia jap atë që e kërkon? A ka kush që më kërkon falje t’ia fal?”
I dashuri vëlla, e dashura motër…
– A nuk ke nevojë për asgjë të kësaj a të botës tjetër?! A nuk ke nevojë për Zotin tënd?! A i zgjidhe të gjitha problemet tua?! A shpëtove nga të gjitha mundimet?! Më kthe përgjigje!!
– A nuk e ndien ngurtësinë e zemrës sate?! A nuk e ndien mungesën e Kuranit?! A nuk ndien keqardhje për gjendjen tënde me Allahun?! A nuk ballafaqohesh me vështirësi në jetën tënde, me mospërfillje të fëmijës tënd për ty, me sëmundje të prindit tënd a me ndonjë fatkeqësi?!
– Në qoftë se ballafaqohesh me ndonjërën nga këto gjëra, atëherë përse nuk i drejtohesh Allahut?! Paraqitja Atij kërkesat tua… drejtoja Atij lutjet… në pjesën e tretë të natës. Këtu do ta gjesh përfundimin e brengave, fillimin e lumturisë… këtu do t’i gjesh xhenetet e begatshme të kësaj dunjaje dhe nderimin e Zotit tënd Madhështor.
Sa e çuditshme është puna jote!!
Kërkon prej atij që ta mbyll derën dhe vë rojtarë për ta ruajtur atë, ndërsa nuk kërkon prej Atij, porta e të Cilit është e hapur deri në Ditën e Gjykimit!! Ruaje fytyrën!
– Për shkak të dashurisë që ka Allahu ndaj teje, sa herë që ti i shton kërkesat Ai shton bujarinë e Tij, sa herë që ti i shton nevojat Ai shton mirësinë e Tij.
– Për shkak të dashurisë që ka Allahu ndaj teje, Atë nuk e pengojnë ata që ia kthejnë shpinën, as numri i madh i gjynahqarëve e as kokëfortësia e inatçinjve që të zbresë çdo natë në qiellin e dunjasë. Atë nuk e pengon as madhështia e Tij që t’i kushtojë rëndësi krijesave të Tij të dobëta.
Po qe se babai yt do të kërkonte prej teje t’ia bëje një të mirë, do ta bëje atë, kurse, ja Ky është Allahu, i Lartëmadhërishmi, i Gjithëfuqishmi, po të thërret të të bëjë mirë ty, ndërse ti po fle!!
Nëse një mik yti do të ta bënte një të mirë, pastaj do të kërkonte nga ti t’ia ktheje atë të mirë pas mesnatës nuk do të vonoheshe, atëherë përse vonohesh ndaj Atij, në detin e begative të të cilit je i zhytur. A kështu e kthen të mirën o përbuzës i të mirave?!
Shkëputur nga libri: “Hibbi ja rihal-ijman” Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com