Kompania “Pizza Hut” ka kërkuar të falur pas kërcënimeve për bojkot që ka marrë si reagim ndaj një postimi satirik në median sociale në lidhje me të burgosurit palestinezë në grevë urie.
Filiali i “Pizzat Hut” në Izrael është përballur me reagime të shumta për shkak të publikimit në llogarinë zyrtare në Facebook të një fotografie të burgosurit palestinez, Mervan Bergusi, i cili bashkë me shumë të tjerë janë në grevë urie në burgjet izraelite, ku pretendohet se Bergusi “ha ushqim fshehurazi”, dhe të komentit në formën “Ej Bergusi, përse nuk provon pizën në qoftë se ke ndërmend ta prishësh grevën e urisë”, që kompania ka bërë poshtë kësaj fotografie.
Pas apelit përmes medias sociale për të bojkotuar dyqanet e produktet e “Pizza Hut”, kompania kërkoi të falur për postimin e bërë në Facebook.
“Ju kërkojmë ndjesë për ofendimin që ka shkaktuar postimi në Facebook i filialit tonë izraelit të “Pizza Hut”. Ky ka qenë plotësisht një postim i papërshtatshëm dhe nuk reflekton vlerat e markës tonë. Firma lokale që ka të drejtën e ekskluzivitetit në vendin në fjalë (Izrael) e ka hequr menjëherë postimin nga faqja e saj (në median sociale) dhe kompania jonë i ka dhënë fund kontratës franshizë (franchisee) me këtë firmë. Ndjehemi thellësisht të penduar për lëndimin që ka shkaktuar ky postim”, thuhet në reagimin e “Pizza Hut”.
Kurse anëtarët e Unionit Kombëtar të Rinisë Izraelite Fanatike javën e kaluar kishin organizuar një gosti me mish të pjekur në skarë përpara burgut ushtarak “Ofer” në Bregun Perëndimor, ku mbahen të dënuarit palestinezë që janë në grevë urie.
Ky akt i shëmtuar i izraelitëve fanatikë ishte realizuar nën masa të gjera sigurie të policisë.
Më shumë se 1 500 palestinezë që mbahen në burgjet e Izraelit vazhdojnë grevën e urisë, që kanë filluar më 17 prill dhe përmes të cilës i kërkojnë Tel-Avivit t’u japë fund praktikave arbitrare.
Sipas një raporti të përgatitur nga institucione të ndryshme, në mesin e të cilave bën pjesë edhe Komiteti i të Burgosurve Palestinezë, në burgjet izraelite sot gjenden rreth 7 mijë palestinezë, nga të cilët 481 janë nga Jerusalemi Lindor i pushtuar, 57 janë gra dhe 300 janë fëmijë.
Që nga viti 1967 e këtej Izraeli vazhdon të injorojë të drejtën ndërkombëtare dhe të mbajë të pushtuara Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor.
Kurse Rripi i Gazës, ku jetojnë rreth 2 milionë palestinezë, që nga viti 2006 e këtej përballet me bllokadë nga toka, ajri e deti.