1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Piero Brogi: Kisha Katolike, parajsë për pedofilët

Më të lexuarat

Piero Brogi, një nga viktimat e abuzimeve seksuale të klerikëve të krishterë në kohën kur ka qenë fëmijë, tha se problemi i abuzimeve ndaj fëmijëve ka zgjatur me vite të tëra.

Piero Brogi, një nga viktimat e abuzimeve seksuale të klerikëve të krishterë në kohën kur ka qenë fëmijë, tha se problemi i abuzimeve ndaj fëmijëve ka zgjatur me vite të tëra dhe kjo gjë e ka shndërruar Kishën Katolike në një parajsë për pedofilët, pasi aty kanë qenë të sigurt dhe nuk janë ndëshkuar.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Brogi thotë se është abuzuar seksualisht në moshë nëntëvjeçare në Romë nga ana e Monsinjor Angeli Pio Loco Boscarial.

“Kam vuajtur nga humbja e kujtesës si pasojë e traumave nga ky rast. Kam humbur pothuajse të gjitha kujtimet e mia nga incidenti, por nuk i harroj kurrë kujdesin anormal të priftit, mënyrën se si luante me fëmijët dhe puthjet e tij të neveritshme”, shprehet Brogi.

Duke shpjeguar se abuzimi seksual ndaj tij ka bërë që ai të binte në një paradoks të “papërballueshëm dhe të pazgjidhshëm”, Brogi tha se truri i tij i ka fshirë kujtimet e abuzimit me qëllim që ta pengojë çmendjen.

Megjithatë, Brogi thotë se ende i kujtohen pamje të turbullta në lidhje me kohët kur ka qenë viktimë e abuzimit, duke rrëfyer se aktet kanë ndodhur në vende të ndryshme dhe se është abuzuar më shumë se një herë nga personi në fjalë.

Brogi tregon se shpesh i parashtrohet pyetje se pse këto tema nuk janë shpalosur më herët ose pse atë periudhë askush nuk i ka treguar asgjë askujt. Ai përgjigjet se krahas humbjes së kujtesës si pasojë e traumave, edhe turpi nga këto incidente është faktor që ka ndikuar që abuzimet të kalojnë në heshtje.

“Ekziston një turp nga ‘zgjedhja’ për të qenë i abuzuar. Në moshë nëntëvjeçare nuk ekziston vetëdije që të ngresh zërin dhe të ‘tregosh burrëri’. Pedofilët e dinë këtë gjë dhe e përdorin këtë ndjenjë moszhvillimi të viktimave për t’i akuzuar dhe kontrolluar ata. Përfitojnë nga dobësia e tyre”, vlerëson Brogi.

Brogi thotë se është shumë e natyrshme që një fëmijë i abuzuar i moshës nëntë, dhjetë apo 15 vjeçe të ndihet i pafuqishëm ndaj një të rrituri apo një përfaqësuesi fetar.

Ai më vonë përmes disa letrave e ka informuar Kardinalin Angelo De Donatis, autoritetet përgjegjëse të kishës dhe personin përgjegjës për të rinjtë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Këto heshtje tregojnë për sëmundjen e thellë të shoqërisë italiane dhe të palës katolike në përgjithësi, sepse të gjithë e dinin ose dyshonin se Monsinjor Angelo ngacmonte fëmijët”, tha ai.

Brogi shpjegoi se familjet e fëmijëve të abuzuar ishin ankuar vetëm tek zyrtarët e kishës pa zbuluar incidentin. Kështu, thekson ai, priftërinjtë pedofilë dërgoheshin në një rajon tjetër pa asnjë dënim dhe vazhdonin të abuzonin me fëmijët.

Sipas Ligjit të Kishës, pedofilia konsiderohet “krim kundër Perëndisë, e jo ndaj personit” dhe “me disa këshilla dhe shlyerje”, shpjegoi ai, priftërinjtë pedofilë mund të shpëtojnë nga situata.

“Kisha Katolike nuk është vetëm një sekt, por edhe një fuqi politike dhe shtet i pavarur. Vatikani ka të drejtë të merret me këta kriminelë përmes gjyqtarëve, ligjeve, ekzistencës së saj dhe diplomacisë. Ky absolutizëm kundërshton të drejtat më themelore ndërkombëtare”, thotë Brogi, duke e konsideruar shtetin italian si bashkëpunëtor për shkak të marrëveshjeve me kishën.

“Kisha nuk ka asnjë detyrim për të informuar autoritetet italiane për krimet për të cilat është në dijeni, por nga ana tjetër, gjyqtarët italianë duhet të informojnë Vatikanin në momentin që fillon një hetim ndaj një prifti. Si mund të presësh drejtësi në një vend ku ligji ndërkombëtar shkelet nga marrëveshje të tilla inferioriteti? Përkundër të gjitha fjalëve të mira të Papës, sot ende mbizotëron ky fakt. Ky problem zgjati për dekada dhe e shndërroi Kishën Katolike në një parajsë për pedofilët, sepse ata janë të sigurt atje dhe nuk dënohen”, shton Brogi.

Megjithatë, thotë ai, njerëzit tashmë kanë hapur sytë dhe viktimat kanë filluar të flasin për abuzimet, gjë që, sipas tij, ka krijuar vetëdijesim. Brogi thekson se nëse Kisha Katolike nuk shpëton nga këta “monstra”, ajo një ditë do të copëtohet.

Ai është i mendimit se të gjithë zyrtarët e lartë, përfshirë edhe papën, janë fajtor pasi janë të përfshirë drejtpërdrejt në krim ose nuk e kanë denoncuar atë. Sipas akuzave të fundit, thotë ai, ka pikëpyetje në lidhje me një përfshirje të mundshëm të Papës në të paktën pesë incidente.

Sipas tij, priftërinjtë pedofilë duhet denoncuar dhe gjykuar në vendet ku kanë kryer krim, e jo nga kisha e Vatikanit.

“Ky turp dhe kjo heshtje një ditë do të na vrasë ne, fëmijët tanë dhe në fund edhe kishën”, tha Brogi, viktimë e abuzimeve seksuale brenda kishës. (AA)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit