-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Përvoja ime me librin!

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Përvoja ime me librin!

Ndër gjërat më të bukura që koleksionoj, është dhe një vulë fëminore, me të cilën vulosja faqen e parë të çdo libri që shtija në dorë “Biblioteka e Selman Aude dhe vëllezërve të tij!”
Sipas psikologëve, fëmijët që lexojnë që në moshë të hershme, ose fëmijët që u lexohen librat nga prindërit, gëzojnë një humor dhe shëndet mendor më të mirë. Këtë e kam provuar edhe kur lexoja ndonjë libër apo novelë melankolike dhe më shpërthenin lotët!
Kur e lexoj një libër, jam mësuar që ti shkoj gjer në fund, sado të më ndryshojë mendimi për të.
Kur lexoj për një autor të caktuar dhe më pëlqen, bëj çmos që ti gjej të gjithë librat e tij, edhe ato të ndaluar apo të humbur. Nuk thonë kot se çdo gjë e ndaluar, është e kërkuar. Adoleshencën time e kam kaluar duke lexuar librat spiritual, të cilat ia lexoja tim ati mes akshamit dhe jacisë.
Me librin takohem spontanisht, ashtu siç takohem me miqtë. Ndonjëherë, takimi spontan është më i bukur sesa takimi me orar. Miqtë më të vyer të cilët kam njohur, janë ata me të cilët jam takuar pranë rafteve të librave në biblioteka.
Sistemet totalitare i frikësohen leximit. Në hapësirat e shkollave dhe burgjeve, mbikëqyret dhe kontrollohet çdo shkronjë, duke e parë me dyshim dhe frikë!
Ime më dëshironte të rritem, por ajo stresohej kur shihte pirgjet e librave, ose dëgjonte vogëlushin e saj teksa recitonte poezi.
Stresohej kur shihte libra me dhjetë volume, me të njëjtën ngjyrë dhe formë. Ajo më sugjeronte të mjaftohem vetëm me një, duke hequr dorë nga të tjerët!
Gjithçka mund të lexohet.
Çfarë ndodh kur përballesh me një tekst?
Reaksionet kimike i japin kuptim shkronjës, fotos, imazhit, fytyrës, personit, hijes dhe zërit.
Tekstet që lexojmë ngjyrosin trurin dhe mendjet tona me ngjyrat e përshtatshme.
Mos e beso që nuk kupton. Me vazhdimin e leximit, do të zbulosh se e ke kuptuar një pjesë të tekstit ose të gjithin në një rast tjetër. Por mund ta kuptosh edhe kur lexon një tematikë tjetër. Ajo që lexove, do të mbetet në memorien tënde.
Një herë, i thashë një mësuesit tim:”E lexova librin, por nuk më ka mbetur asgjë në mendje!”
Ai më zgjati një hurmë arabe dhe më tha:”Haje!” Pastaj më pyeti:”Hë, a u rrite?”
Iu përgjigja:”Jo!”
Më tha:”E vërtetë që nuk u rrite me një kokërr hurmë, por mos harro se ajo kokërr hurmë është tretur dhe është shpërndarë në të gjithë pjesët e trupit, duke u bërë mish, gjak, lëkurë, eshtra, flokë, thonj dhe qeliza!”
Atëherë, e kuptova se një libër që e lexoj, përfitimi është shumë dimensional. Nga një anë forcoj gjuhën, më shton informacionin, më përsos moralet, përmirëson metodën time të shkruarit dhe të kumtuarit, edhe pse nuk e ndjej.
Libri formon stilin tim gjuhësor, më ushtron ta kapërcej egon e sëmurë dhe delirin e madhështisë. E kuptove? A më ndjek? E qartë? Libri më ndihmon të distancohem nga përdorimi i fjalëve agresive dhe ironizimit të tjerëve. Ai më ndihmon ta marr me sportivitet injorancën e dikujt, fanatizmin dhe përdhosjen e femrës.
Libri më ka motivuar të mundohem që të përdor një gjuhë të thjeshtë, e cila i stolis fjalët dhe i zbukuron ato, që shmang banalitetin në maksimum.
Ndotja që haset në romanet që i thurin lavde erotikës, nuk janë gjë tjetër veçse ca vuajtje që mundojnë adoleshentët të cilët nuk njohin tundim tjetër përveç atij seksual.
Libri bazohet tek zemërgjerësia e lexuesit, të cilën e manifeston ndaj tekstit. Lexova një libër të cilin nuk po e kuptoja. I kërkova një miku të më ndihmojë dhe të ma shpjegojë. Të dy së bashku zbuluam se faqet e librit ishin vendosur gabimisht.
Ndonjëherë, ndaj tekstit kalohet në mënyrë të rrufeshme, ndonjëherë të duhet të bësh gërmime të thella. Disa tekste shndërrohen në pjesë të personalitetit tënde. Shpirti pozitiv i lexuesit është ai që e bën tekstin të flasë, ai që i jep jetë dhe e hijeshon. Leximi në aeroplan, duke pritur, në krevat… është investimi më i mirë i kohës.
Përgjithësisht, njeriu  tërhiqet nga librat që përfaqësojnë personalitetin e tij.
Kur sheh një person që lexon një libër të lexuar prej teje, ose që e ke në dorë, ndjen një farë lidhjeje mes ju të dyve.
Biblioteka e shtëpisë nuk është dekor i një programi televiziv për tu mburrur, por është një nga bazat e edukimit.
Ndihem krenar që kam lindur në një shtëpi, dhomat e të cilës ishin plot me libra fetarë dhe jofetarë. I qëndroja vëllait sipër kokës në pritje që ta përfundojë librin dhe ta marr ta lexoj unë.
Fëmijët e një brezi të caktuar janë mësuar me librin e shtypur, ia njohin aromën, e prekin me duar, i hedhin sytë dhe e përqafojnë si një njeri të dashur që të fal veç kënaqësi. Por ka dhe të tjerë të cilët preferojnë librin elektronik, i cili mbahet kollaj kudo që të shkosh. Jemi drejt rrugës së librit inteligjent, i cili bashkëvepron me lexuesin, i ndryshon fjalët dhe kuptimet sipas nevojës.
Kur heq dorë nga libri, për çfarëdo shkaku, më duket se diçka vdes brenda meje.
Cili është botimi më i mirë i librit?
Është ai botim të cilin ka njëzet vite që e kam, atë të cilin e kam shfletuar me duart e mia dhe mbi faqet e të cilit kam hedhur shënimet dhe komentet e mia personale.
Kjo është ajo që më ka ndodhur me librat e mi të hadithit, gjashtë librat, gjatë kohës që përgatitesha për programin “Pishtarë Kurani”.
Kam fiksuar dhe lëvizje të caktuara gjatë leximit, si; heqja e syzeve nga vendi i tyre, pastrimi me një pëlhurë, ose dhe me cepin e këmishës, vendosja e tyre mbi hundë, hedhja e një shikimi eksperimentues mbi faqe, fiksimi i syzeve…
Leximi duhet shndërruar në një ves, si vaktet e ushqimit, nga të cilët nuk heqim dot dorë.
 
Përktheu: Elmaz Fida
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit