-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Personaliteti i myslimanit ashtu si e kërkon Islami

Më të lexuarat

Atë që myslimani më së shumti duhet të kujdeset në jetën e tij është që ai të formoj një personalitet integral, të plotë, të dalluar nga të tjerët. Të kujdeset të formoj një personalitet të balancuar, një personalitet të qëndrueshëm. Të kujdeset të formoj një personalitet shembullor, model edhe për të tjerët.

 

Allahu dërgoi Muhamedin që myslimani ta ndërtoj një personalitet të tillë. Muhamedi (alejhi selam) u dërgua në kohën kur njerëzit filluan të ndryshojnë natyrshmërinë e tyre, në kohën kur shumë nga virtytet e moralit filluam të ndryshojnë kah e keqja. Shoqëria filloi të jetoj një jetë jo të mirë. Filloi ti humb vlerat, filloi të mbizotëroj fuqia, e jo drejtësia. I forti e shtypte të dobëtin. Duke qenë në këtë gjendje shoqëria, erdhi Islami që të krijon një personalitet të plotë, të balancuar dhe të qëndrueshëm.
Ajo çka sheh sot te disa mysliman është tejkalim të kufijve në një anë, ndërsa në anën tjetër neglizhencë. Ose, kujdes ndaj disa gjërave, ndërsa pakujdesi ndaj gjërave tjera. E sheh ndonjërin prej myslimanëve kujdeset ndaj namazit të tij, por nuk kujdeset që namazin e tij ta bëjë në formën më të mirë, me veshje të pastër dhe me aromë të këndshme. Ose, e gjen të devotshëm, ndërsa nuk kujdeset për mbajtjen e lidhjeve farefisnore. E gjen i dhënë pas adhurimit, ndërsa ka lënë pas dore edukimin e fëmijëve. Nuk i kushton rëndësi fëmijës se çka po lexon, me kë po shoqërohet. Ose e gjen që kujdeset për fëmijët e tij, por nuk respekton prindërit e tij. E gjen të respektueshëm ndaj prindërve të tij, por i bënë padrejtësi gruas së tij, nuk sillet mirë me të. E gjen me sjellje të mirë në familjen e tij, por sillet keq me fqinjët e tij. Ndoshta e gjen të angazhuar me punët e tij, me atë që është në dobinë e tij personale, por ka mangësi në obligimet që ka ndaj shoqërisë. Ose e gjen fetar, njeri të mirë për vetën e tij, por nuk i kushton rëndësi etikës islame, ngrënies, pijes, ndejës me njerëz dhe bisedat me ta.

Kur lexojmë për Islamin, përsosmërinë e tij, universalen e tij, mësimet dhe dobitë e tij shohim një dallim të madh mes asaj që Islami dëshiron për njeriun në përgjithësi, e për myslimanin në veçanti dhe mes asaj që myslimanët dëshirojnë për vetën e tyre. Shohim një mospërputhshmëri mes atij që i përket kësaj feje dhe mes mësimeve që i jep kjo fe. Duke përjashtuar atë pjesë të myslimanëve që besuan Allahun ashtu si kërkoi Ai. Duke i përjashtuar ata që pastruan zemrat e tyre, shpirtrat e tyre. Duke përjashtuar ata që veprat e tyre dëshirojnë ti përputhin me parimet e përkatësisë së tyre.

Islami me mësimet e tij dëshiron që të formoj njeriun në formën më të mirë. Islami synon që ty shëroj brendësinë e njeriut para se ta shëroj anën e jashtme të tij. Synon që të pastroj zemrën e tij, ndjenjat e tij, mendjen e tij, principet e tij, që zemra e tij ti nënshtrohet vetëm Krijuesit të saj, që shpirti të ushqehet vetëm me adhurimet e Allahut. Dëshiron që zemra e tij të zbutet me përkujtimin e Krijuesit të saj.
Ai i cili shpalos mësimet Hyjnore, shpalos Kuranin dhe fjalët e Pejgamberit sheh se sa rëndësi të madhe i është dhënë njeriut dhe formimit të tij. Këto mësime Hyjnore nuk kanë lënë diçka nga çështjet që lidhen me njeriun , qoftë e vogël apo e madhe, nga çështjet që lidhin njeriun me Zotin e tij, me vetën e tij, me njerëzit për rreth vetëm se e ka stimuluar dhe ka nxitë në të. Të gjitha mësimet Hyjnore i drejtohen formimit të personalitetit të njeriut, formimit të personalitetit të myslimanit në të gjitha fushat e jetës së tij.

Islami synon që të formoj njeriun si individ dhe shoqëri. Mësimet Hyjnore e nxitin njeriun që ai të jetë shoqëror, të jetë njeri i ngritur dhe shembull për të tjerët. Islami mëson njeriun si të sillet me Zotin e tij, me
vetën e tij, me prindërit e tij, me gruan e tij, me fëmijët e tij, me të afërmit dhe farefisin e tij, me fqinjët e tij, me vëllezërit dhe shokët e ti dhe me shoqërinë në përgjithësi.

Udhëzimi Hyjnor, edukata Hyjnore është shumë e nevojshme për njeriun që ai të ketë mundësi të veproj atë që është njerëzore. Udhëzimi Hyjnore është shumë me rëndësi që njeriu të zbatoj rolin e tij në tokë, për të cilën edhe i ka dhënë besën Krijuesit të tij. Sikur mos të ishin këto udhëzime Hyjnore njeriun do ta kishte mbizotëruar epshi i tij, egoja e tij, lakmia, urrejtja, xhelozia, mbizotërimi dhe padrejtësia. Një gjë e tillë vërehet te fëmija i vogël, ku prindi vazhdimisht e këshillon fëmijën e tij, kujdeset për të. Sepse ai mundohet me çdo kusht, pa e zgjedh metodën që të mbizotëroj moshatarët e tij.
Ajo çka vërehet në jetën e njerëzve është se më shumë pajtohen me zbritjen e tyre se sa me ngritjen e tyre. Sepse ngritja është më e vështirë se zbritja. Për këtë është obligim i njerëzve të mençur që të punojnë në krijimin e gjeneratave që synojnë ngritjen e shoqërisë në të gjitha aspektet. Të ruajnë vlerat dhe tua afrojnë njerëzve ato në formën më të mirë dhe më të lehtë. T’ju ofrojnë njerëzve pamjen e ndritshme të jetës, atë të cilën e kërkon Allahu nga robërit e Tij, që jeta e tyre të jetë një jetë e lumtur, e bukur, e rehatshme.

Allahu nuk e ka zbrit këtë fe prej mbi shtatë qiejve, që ajo të jetë vetëm një teori me të cilën kënaqen mendjet duke polemizuar për të. As nuk e ka zbrit që vetëm me leximin e tij të fitojmë bereqetin, pa e kuptuar atë. Por, Allahu e zbriti këtë fe që njeriu të rregulloj jetën e tij me të, të rregulloj jetën familjare, të udhëheq shoqërinë me të. E zbriti këtë fe që të jetë dritë që ndriçon rrugën e njerëzve, që ti nxjerr njerëzit nga errësira në dritë. Allahu thotë në Kuran: . Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë. ( Maide 15,16). Përmes këtij udhëzimi ndriçohet jeta, bëhet më e mirë, shijohet lumturia dhe begatia.
Hapi i parë që duhet të merret për të pas një jetë të drejtë, të lumtur dhe të begatshme është që të formojmë një mysliman të mirë dhe të sinqertë, i cili pasqyron islamin në pamjen reale të tij. Përmes këtij myslimani njerëzit do ta shohin islamin e vërtetë, njerëzit do të veprojnë me të, do të bashkëpunojnë me të, do të afrohen me të.

Islami kërkon nga ky mysliman që të jetë një njeri me moral të mirë, të jetë i drejt, të mbaj premtimin, të jetë i dashur te njerëzit, të jetë fisnik, të jetë i ndershëm, të jetë i drejtë në të gjitha fushat e jetës së tij, të jetë ndihmëtarë i shoqërisë, të jetë me ta në gëzimet dhe pikëllimet e tyre, të ndihmoj fenë e tij, besimin e tij, vendin e tij. Ta ruaj vetën e tij nga pasimi i epshit. Islami kërkon nga myslimani që ta mësoj fenë e tij, të jetë në gjendje ta mbroj atë me argumente dhe debat të mirë. Kërkon që të ngritët përpjetë shkallëve të diturisë, duke u nisur nga dija e fesë dhe gjitha dijet dhe shkencat tjera që janë në dobi të njeriut. Islami dhe myslimanët kanë nevojë për çdo dije dhe shkencë të dobishme. Islami nuk kërkon që njeriu ta izoloj vetën vetëm në dijet e fesë. Por, të ngritët në çdo dije të dobishme, dijet natyrore dhe shoqërore. Ashtu sikur thotë Ibën Tejmije, kur jep definicionin se çka quajmë dije të dobishme, thotë: “ Çdo dije dobia e së cilës kthehet te njerëzit quhet dije e dobishme”.
Kështu veproi edhe i Dërguari i Allahut me shokët e tij. Ata ishin ndihmëtarët më të mëdhenj në fenë e Allahut. Ishin Kuran i gjallë që ecnin mbi tokë. Por, prej tyre kishte dijetarë, kishte mjekë, kishte mësues, kishte inxhinierë, kishte ambasadorë, kishte strategë, kishte nga ata që dinin gjuhët e huaja. Kështu myslimani formon personalitetin e tij. Kështu formohet një shoqëri e drejt, e kompletuar dhe ideale.

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit