Nëse pyet për tokën dhe dheun e tij (Xhenetit), ai është nga misku dhe nga safruni.
Nëse pyet për kulmin e tij, ai është Arshi (Froni) i më të Mëshirshmit.
Nëse pyet për gurët e tij, ata janë margaritarë dhe xhevahire.
Nëse pyet për ndërtesat e tij, ato janë të bëra nga tullat e arit dhe të argjendit.
Nëse pyet për pemët e tij, atëherë ai s’ka asnjë pemë veçse e ka trungun nga ari dhe nga argjendi.
Nëse pyet për frutat e tij, ato janë më të buta se gjalpi dhe më të ëmbla se mjalti.
Nëse pyet për gjethet e tij, ato janë më të buta se pëlhura më e butë.
Nëse pyet për lumenjtë e tij, ata janë lumenj të qumështit, shija e të cilëve nuk ndryshon, dhe lumenj të verës, e cila është e shijshme për ata që e pinë; dhe lumenj të mjaltit të pastër e lumenj të ujit të freskët.
Nëse pyet për ushqimin e tyre, ai është tesnim, xhenxhefil dhe kafur.
Nëse pyet për gotat e tyre, ato janë të kristalta (të shndritshme), të bëra nga ari dhe nga argjendi.
Nëse pyet për hijen e tij, atëherë një kalorës i shpejtë do të kalëronte në hijen e njërës prej pemëve të tij për njëqind vite dhe s’do të mund t’i ikte asaj.
Nëse pyet për hapësirën e tij, atëherë më i ulëti nga banorët e tij do të ketë brenda mbretërisë së tij dhe brenda mureve, pallateve e kopshteve largësi që do të përshkohej për njëmijë vite.
Nëse pyet për tendat e tij, një tendë është si një margaritar i fshehur, me gjatësi prej gjashtëdhjetë miljesh.
Nëse pyet për kullat e tij, ato janë dhoma mbi dhoma, nën të cilat rrjedhin lumenj. Nëse pyet se sa lart mbërrijnë në qiell, shiko yllin shndritës që duket dhe ata që janë larg në qiell, të cilët s’mund t’i mbërrijë shikimi.
Nëse pyet për teshat e banorëve të tij, ato janë nga mëndafshi dhe nga ari. Nëse pyet për shtretërit e tij, mbulojat e tyre janë nga mëndafshi më i butë, të shtruara në nivelet më të larta të tij.
Nëse pyet për fytyrat e banorëve të tij dhe për hijeshinë e tyre, ata janë sikurse imazhi i Hënës. Nëse pyet për moshën e tyre, ata janë të rinj të moshës 33 vjeçe, në imazhin e Ademit, babait të njerëzimit.
Nëse pyet se çka do të dëgjojnë ata, ajo është këndimi i grave të tyre nga Hurijat, dhe më e këndshme se kjo janë vetëm zërat e engjëjve dhe të pejgamberëve, dhe më mirë se kjo është të Folurit e Zotit të botëve.
Nëse pyet për shërbëtorët tyre, ata janë djem të rinj me rini të përhershme, qëu ngjajnë perlave të shpartalluara.
Nëse pyet për nuset dhe për gratë e tyre, ato janë të reja, me gjinj mishtakë, që u rrjedh lëngu i rinisë nëpër gjymtyrë. Dielli largohet nga hijeshia e fytyrës së saj, nëse ajo e shfaq atë, dhe drita shkëlqen mes dhëmbëve të saj, nëse ajo buzëqesh. Nëse do të ndesheshe me dashurinë e saj, thuaj ç’të duash për bashkimin e dy dritave.
Ai e sheh fytyrën e vet në rrumbullakësinë e faqes së saj, sikur të shikonte në një pasqyrë të lustruar, dhe ai e sheh shkëlqimin nga mbrapa muskujve dhe eshtrave të saj. Sikur ajo t’i shfaqej botës (dunjasë), do ta mbushte me një erë të mirë krejt çfarë ka mes qiejve dhe tokës, ndërsa gojët e krijesave do të lartësonin, do të lavdëronin e do t’i thërrisnin madhështisë.
Gjithçka mes Lindjes e Perëndimit do të zbukurohej për të dhe çdo sy do të verbohej ndaj çdo gjëje tjetër veç saj. Drita e saj do të shkëlqente më shumë se drita e Diellit, mu siç drita e diellit shkëlqen më shumë se drita e yjeve, dhe gjithkush në tokë do të besonte në të Përjetshmin, në Atë që furnizon dhe mbron tërë atë qëekziston.
Mbulesa e kokës së saj është më e mirë se dynjaja me krejt çfarë ka në të, dhe me kalimin e kohës asaj nuk i shtohet tjetër veç hijeshisë.
Ajo është e pastër nga të lindurit e fëmijës, nga menstruacionet dhe nga pasja e një kërthize; e pastër nga pasja e mukozës, pështymës, urinës dhe gjërave tjera të papastra.
Rinia e saj kurrë nuk venitet. Teshat e saj kurrë nuk hahen nga përdorimi dhe s’mund të krijohet ndonjë teshë që do t’i përgjigjej hijeshisë së saj.
Ai që ështëme të, kurrë nuk mërzitet. Vëmendja e saj është e kufizuar tek burri i saj, kështu që ajo nuk e dëshiron tjetër pos tij, mu ashtu siç vëmendja e tij është e kufizuar tek ajo, në mënyrën që ajo është i vetmi objekt i dëshirave të tij.
Sëbashku me të, ai gjendet në sigurinë dhe rehatinë e skajshme, meqë kurrkush nga njerëzit apo nga xhinët s’e ka prekur atë më herët.Nëse pyet për Ditën e Shtimit (të shpërblimit) dhe për vizitën e të Plotfuqishmit e të Urtit, për pamjen e Fytyrës së Tij – të pastër nga çfarëdo shëmbëllimi apo krahasimi me ndonjë gjë – ashtu siç shihet Dielli në mesditë dhe Hëna e plotë në natën pa re, atëherë dëgjo në ditën kur thirrësi do të thërrasë:”O banorët e Xhenetit! Zoti juaj i lartësuar kërkon që ju ta vizitoni Atë, pra, ejani ta vizitoni Atë!” Dhe ata do të thonë:”Dëgjojmë dhe bindemi!”, derisa të mbërrijnë fushën e gjerë, ku të gjithë do të takohen dhe asnjë s’do ta refuzojë kërkesën e thirrësit. Zoti i bekuar e i lartësuar do të urdhërojë që Ndenjësja e Tij të sillet aty. Pastaj, do të shfaqen mimbere drite e mimbere nga margaritarët, nga gurët e çmuar, nga ari e nga argjendi.
Ai në nivelin më të ulët mes tyre, do të ulet në çarçafë të miskut dhe s’do të shohë se çka u është dhënë atyre në ndenjëset mbi të. Kur ata të jenë rehatuar në vendet e tyre, do të thërrasë thirrësi:”O banorët e Xhenetit! Ju keni me Allahun një takim ku Ai dëshiron t’ju shpërblejë!” Dhe ata do të thonë:”Çfarë është ai shpërblim? A nuk na i bëri tashmë fytyrat e shkëlqyera, na i rëndoi Peshoret, na futi në Xhenet dhe na largoi nga Zjarri?” Dhe, kur ata të jenë në atë gjendje, befas shkëlqen një dritë e cila përfshin tërë Xhenetin.
Kështu, ata ngritin kokat dhe shohin: Mposhtësi – qoftë i lavdëruar Ai me emrat e Tij të shenjtë – u vjen atyre nga sipër tyre dhe thotë:”O banorët e Xhenetit, Paqja qoftë mbi ju!” Dhe kjo përshëndetje s’do të kthehet me tjetër veçse:”O Allah! Ti je Paqe dhe nga Ti është Paqja! I Bekuar je, o Pronari i Madhështisë e i Nderit! Kështu, Zoti i lartësuar do t’u qeshë atyre dhe do t’u thotë:”O banorët e Xhenetit, ku janë ata që më bindeshin pa më parë Mua? Kjo është Dita e Shtimit”. Dhe ata të gjithë do të përgjigjen njëjtë:”Në jemi të kënaqur! Ji edhe Ti i kënaqur me ne!” Ai do të thotë:”O banorët e Xhenetit, sikur të mos isha i kënaqur me juve, s’do t’ju bëja banorë të Xhenetit Tim. Pra, kërkoni nga Unë”.
Dhe kërkesa e të gjithë atyre do të jetë e njëjtë:”Na e trego Fytyrën Tënde që të këqyrim në të!” Atëherë, Zoti i plotfuqishëm e madhështor do të heqë mbulesën e Tij dhe do t’i nderojë e do t’i mbulojë me Dritën e Tij, e cila, po të mos donte Allahu që ajo t’i digjte ata, do t’i digjte. Dhe në këtë tubim s’do të mbetet asnjë person pa i folur Zoti dhe t’i thotë:”A të kujtohet dita kur e bërë këtë e këtë?”, dhe ai do t’ia sjellë ndër mend disa punë të këqija të tij të bëra në jetën e dunjasë, kështu që ai do të thotë:”O Zot! A s’do të ma falësh?!” Ai do t’ia kthejë:”Sigurisht që po! Ti nuk e mbërrite këtë pozitë (në Xhenet), veçse me faljen që të kam bërë”. E, sa e ëmbël është për veshët kjo e folme dhe sa të kënaqur do të jenë sytë e ndershëm me këqyrjen në Fytyrën e Tij fisnike nëahiret (jetën tjetër) …”Disa fytyra do të shkëlqejnë e do të vezullojnë duke shikuar në Zotin e tyre …” (el-Kijame, 22-23)
Autor: Imam Ibën Kajimi
Burimi: Haadi el-Erwah ilaa Bilad il-Efrah e Ibn el-Kajjim, f.193
Burimi Mburoja.Net