4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Përse KMSH-ja rri në heshtje, edhe atëherë kur nuk duhet?! – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Ka disa ditë që në një televizion kombëtar për dy ditë me radhë, një ekspert i sigurisë nga Kosova, i quajtur Bedri Elezi, ka hedhur një akuzë të rëndë në drejtim të KMSH-së dhe xhamive, për kalimin nëpër doganë të pajisjeve elektronike, që mesa duket i shërbyekan spiunazhit iranian dhe po ashtu, se paska xhami që qenkan përdorur për takime të fshehta nga këto shërbime!

I sfiduar që të paraqesë prova për këtë akuzë, ai u përgjigj se ka prova të tilla, madje se edhe shërbimet partnere dhe ato shqiptare duhet t’i kenë këto prova dhe se ai është i gatshëm t’i deponojë ato në organet përkatëse të drejtësisë.

Për ne që e njohim KMSH-në dhe xhamitë nga brenda (për aq sa dimë kuptohet), këto akuza duken absurde dhe të papranueshme, megjithatë, siç thonë edhe anglezët “kurrë mos thuaj kurrë”, edhe nëse ka ndonjë rast të tillë apo persona të tillë, ata mund të jenë individë dhe jo një bashkësi e tërë sunite, që nuk ka lidhje me shiitët e Iranit.

Gylenistët, për ata që i njohin mirë nga brenda në nivele të larta, apo kanë lexuar shumë rreth tyre, e kanë të qartë se ata merren edhe me infiltrime nëpër organet e shtetit dhe janë të marrosur pas përgjimeve dhe spiunazhit, aq sa lideri i kultit të tyre vetë Gyleni, një nga shkaqet e nisjes së armiqësisë me AKP-në në pushtet, qe pikërisht refuzimi për të vënë në krye të shërbimeve inteligjente turke një njeri të tyre, ndaj dhe përballja e parë e tij me shtetin turk, qe pikërisht goditja dhe dekonspirimi i aktivitetit të kreut të këtyre shërbimeve, që vepronte me urdhër të shtetit.

Që Gyleni është i marrosur pas përgjimeve, këtë e pohon edhe një nga ish-bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Latif Erdogan, të cilit ai vetë i kishte pohuar se kishte 15 vjet që e përgjonte! Kështu që për të mos u zgjatur më tej me këtë fakt, më shumë mund të dyshoja se hakimi i të dhënave të e-albania-s dhe TIMS-it ka ndodhur nga ndonjë gylenist, që ka përdorur pretekstin e MEK-ut si kamuflazh, sesa vetë hakerat iranianë, por duke u nisur edhe nga analiza teknike e Microsoft-it, iranianët janë ata që duken se janë fajtorët për këtë akt. Tani se çfarë roli mund të ketë pasur ndonjë gylenist në këtë mes, e aq më tepër ndonjë zyrtar gylenist i KMSH-së, kjo është tejet e paqartë dhe duket e habitshme, për të mos thënë e pamundur.

Megjithatë, për interes të njohjes së të vërtetës, kjo çështje duhet domosdoshmërisht të zbardhet, sepse ka të bëjë me sigurinë tonë kombëtare, por edhe me nderin e një institucioni dhe një bashkësie të tërë muslimanësh. Sigurisht, mund ta kemi inat kultin e Gylenit për atë që bëjnë dhe për uzurpimin e KMSH-së, por nuk e akuzojmë dot pa fakte dhe prova, kështu që sa më parë që kjo çështje të zbardhej, aq më mirë do të ishte.

Kemi pritur gjithë këto ditë që KMSH-ja të reagojë, mirëpo heshtja e tyre është acaruese dhe përveç reagimeve të disa besimtarëve dhe hoxhallarëve, asnjë zë nuk dëgjohet nga KMSH-ja!

Kështu që pyetja më thelbësore që lind në gjithë këtë histori është: pse nuk përgjigjet KMSH-ja?!

Justifikimi që japin disa, se duhet injoruar dhe nuk mund t’i jepet përgjigje çdo zëri që hedh akuza, nuk duket normal dhe i arsyeshëm. Për më tepër, KMSH-ja nuk është se ka reaguar në raste të tjera të ngjashme apo më të rënda dhe të ketë folur, por gjithmonë ka heshtur! Duket qartë se heshtja është preferenca e tyre e parë, sa herë që bëhen akuza kundrejt tyre dhe sa herë që cenohen muslimanët!

KMSH-ja nuk reagon gati asnjëherë atëherë kur duhet dhe vetëm hesht! Madje edhe kur reagon nën presionin e besimtarëve, atë e bën shumë vakët. Kjo tregon edhe njëherë, se ata që janë në krye të këtij institucioni nuk na përfaqësojnë, jo vetëm për faktin se kanë ardhur aty në mënyrë ilegjitime, përmes manipulimit dhe katapultimit të padrejtë, por ata nuk janë zëri i xhematit, sepse nuk e mbrojnë as atë dhe as fytyrën e institucionit që kanë marrë peng. A nuk duket absurde, që më të njohur, më publikë, më me ndikim dhe më reagues të jenë disa hoxhallarë e imamë, që nuk janë as myftinj, sesa krerët e KMSH-së?! Kjo është një tregues i qartë, edhe pse jo i vetëm, i faktit se gylenistët uzurpatorë të KMSH-së nuk na përfaqësojnë në asnjë drejtim.

Për sa i përket justifikimit fetar që japin disa, se Profetin (alejhi salatu ue selam) e kanë akuzuar dhe nuk u ka kthyer përgjigje, jo vetëm që nuk është e vërtetë, por është kontradiktore, për vetë faktin sepse pikërisht akuzat dhe ofendimet që atij i kanë bërë, ne i njohim sot nga përgjigjja që Allahu u ka dhënë atyre në Kuran. Sigurisht që Kurani nuk tregon çdo person dhe çdo rast kur këto kanë ndodhur, por ai mjaft qartë i përmend këto ofendime dhe akuza dhe u përgjigjet atyre, kështu që kush pretendon se ndjek modelin profetik duke heshtur, vetëm se gënjen veten dhe të tjerët dhe në fakt ndjek modelin e gabuar që ai ka në kokë për Islamin dhe Profetin (alejhi salatu ue selam).

Nëse gylenistët e KMSH-së nuk denjojnë të përgjigjen dhe preferojnë “të mbajnë dobiçin në derë”, duke na përlyer të gjithëve, atëherë edhe ata që janë në dilemë, duhet të binden se ne nuk mund të pranojmë më mbi krye njerëz të tillë, që kanë parësore vetëm agjendat okulte të tyre dhe as nuk e vënë ujin në zjarr për nderin dhe dinjitetin e atyre që pretendojnë se përfaqësojnë.

Akuzat e bëra në media mund t’i ndiqni këtu:

https://youtu.be/er1IizG_2NI

https://youtu.be/7GIfR_wxeT8

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit