15.1 C
Pristina
Wednesday, September 28, 2022

Daveti vertikal – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Daveti vertikal

Që thirrja në Hakun e Zotit, pra ajo çfarë quajmë davet, t’ia arrijë qëllimit që njerëzit t’i kthehen me mirënjohje dhe adhurim Zotit të tyre, nuk mjafton vetëm kapaciteti në njohje – pra dije e plotë dhe e duhur për këtë Hak, dhe nuk mjafton as nijeti – pra qëllimshmëria për ta bërë këtë vetëm për hir të Zotit, por duhet edhe mënyra apo forma adekuate në përputhje me këtë ligjërim, e cila mënyrë nuk mund të gjendet, mësohet e testohet tjetër, veçse tek Thirrja e Profetit Muhamed s.a.v.s. Në fakt sinqeriteti i veprës dhe ndjekja e rrugës së Profetit janë kushte për çdo ibadet, sikurse dhe kapaciteti njohës apo zotësia( zhdërvjelltësia, siguria, qartësia) në kryerjen e një pune që ka rregullat e veta specifike, është një kusht i domosdoshëm që ibadeti të jetë i suksesshëm edhe në dunja, përveçse i pranuar tek Allahu.

Dhe kur gjykojmë punën e muslimanëve, si rregull sinqeritetin si njërin prek kushteve nuk e marrim në shqyrtim fare sepse në të vërtetë as nuk e marrim dot pasiqë ai është i fshehtë, midis Zotit dhe robit të Tij, dhe për këtë arsye në fakt e marrim të mirëqenë për çdo musliman që kushti i nijetit është apriori i plotësuar. Aty ku ka vend për shqyrtim e qortim të asaj që bëjnë muslimanët, është mënyra e kryerjes së punës a veprës dhe zotësia (kompetenca) përkatëse. Me çka do merremi në vazhdim, përsa i përket davetit.

Shkruesi i këtyre radhëve deri para pak vitesh besonte se mënyra adekuate e kryerjes së thirrjes nga Muhamedi a.s., ishte kontakti  i drejtpërdrejtë me njerëzit, i përditshëm, i

pandërprerë,kapilar, inkurajues, edukues, frymëzues, shembullzues. Këmbëngulja tek kjo derisa njerëzit (në fakt njeriu përballë, apo ato pak njerëz përballë) të binden pa  ngut dhe shtrëngim për të vërtetën e Zotit, t’i kthehen Zotit, ta adhurojnë Atë. Vetëkuptueshmërisht kjo është vërtetë dhe e saktë dhe e vlefshme, sepse me siguri  përmes kësaj mënyre dhjetra, qindra, mijëra njerëz  bëhen të nënshtruar ndaj Allahut, i shpëtojnë zjarrit dhe potencialisht shndërrojnë në qëllim të jetës së tyre mbërritjen e Kënaqësisë së Allahut. Kjo është e saktë, sepse këtë vërtet e ka bërë Muhamedi a.s. dhe sahabët, sepse edhe arsyeja e miraton në kuptimin që në marrëdhënien e njeriut me Zotin nuk lejohet të ndërhyjë asgjë përveç bindjes dhe vërtetësisë.

Por çështja është se Muhamedi a.s. nuk  ka bërë vetëm këtë. Pra e ka bërë këtë, por kjo ka qenë vetëm një pjesë apo vetëm një nivel (sigurisht e përhershme, pasi e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme) e asaj që ishte Thirrja e tij. Muhamedi a.s. përveç kësaj, apo më saktë në të njëjtën kohë me këtë dhe po ashtu në mënyrë njësoj të pandërprerë (pasi njësoj e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme) ka përmbushur edhe një lloj tjetër e njëherazi një nivel tjetër daveti, që është daveti përballë sistemit. Ky lloj i dytë daveti nuk është alternativ i të parit dhe as opsional, pra që mund të bëhet por edhe mund të mos bëhet, por është në fakt kulmi i davetit ( i cili pra vetiu nuk mund të jetë pa kulm), brenda së njëjtës analogji që e përcakton llojin  kapilar të davetit si themelin e davetit.

Ky lloj apo ky nivel i dytë i davetit, që ne e quajtëm davet përballë sistemit, është pra elaborimi në hapësirën publike i të vërtetës  së Zotit, një ligjërim që nuk i drejtohet një personi apo një grupi personash përballë, por i drejtohet asaj shoqërie në tërësi, duke i konceptuar ato persona përballë si përfaqësues të asaj shoqërie dhe si ndërmjetues me opinionin publik, pra me atë hapësirë  ku merren apriori si të vërteta, apo kolaudohen dhe konsolidohen themelet botëkuptimore të institucioneve dhe mendësive që e përbëjnë sistemin. Dhe nëse gjendet më nyrën sesi t’i drejtohesh sistemit si të tërë, duhet ditur se kjo të çon drejtpërdrejt në ballafaqim me njerëzit më tëp fuqishëm dhe më të rëndësishëm të shoqërisë, pra me parinë , mme ata që garantpjnë mbarëvajtjen e sistemit.

Pra në thelb kjo do të thotë davet përballë elitës apo parisë, pra grupit të personave që janë në krye të sistemit, e kontrollojnë atë dhe i dalin për zot atij, prandaj këtë davet e quajmë ndryshe edhe davet vertikal, për dallim nga daveti i llojit të parë, të cilin pasiqë angazhohet në nivel konfidencial karshi personave privatë me të cilin muslimanin e lidhin relacionet e dunjasë (apo kontakti me të cilët është i kollajtë) e quajmë tjetërlloj edhe davet horizontal. Dhe  pashmangshmërisht  edhe këtu daveti horizontal individual shfaqet si e kundërta e davetit vertical, pasi është davet drejtuar njerëzve të thjeshtë dhe me status të rëndomtë ( kjo nuk e zhvlerëson davetin horizontal sepse të shpëtosh nga zjarri një shpirt është sa herë që ndodh një punë e madhe). (Si  çift termash analogë në këtë moment, mund të përdorim edhe termat davet hapësinor për atë që i drejtohet në tërësi sistemit dhe që në fakt nëse i plotëson kushtet përfundon tek paria si përgjegjëse e sistemit, dhe davet territorial atë që i drejtohet posaçërisht një personi apo një grupi personash, në një kontekst të caktuar, në një kohë të caktuar dhe  në një territory të caktuar.)

Dhe duke e përforcuar me ndoshta çiftin më të rëndësishëm të emërtimeve të të dy të njëjtave: daveti vertikal pra është davet publik, që synon jo vetëm shoqërinë si një e tërë, (e për pasojë është davet i hapur), por që edhe mesazhin e ekspozon në tërësi dhe jo pjesërisht (tërësisht në këtë aspekt nuk do të thotë që shpallet gjithçka njëkohësisht, por që nëse kërkohet rast pas rasti nga ndërveprimi i thirrësit me shoqërinë, shpallet pa ngurrim cilado që dihet se është pjesë e të vërtetës); kurse daveti horizontal është davet individual, që do të thotë se është që në origjinë i adresuar drejt individit (dhe mund të tingëllojë e pabesueshme, por është individual deri në atë pikë saqë çorientohet nëse spontaneisht do të hasej me mundësinë të shndërrohej në davet publik)dhe i mjafton përçimi i të vërtetës person më person, mbështetur mbi iluzionin, se person pas personi do arrijë të pranojë të vërtetën e Zotit e tërë shoqëria (është iluzion se mbështetet tek pandehma se paria është a përgjumur dhe dembele, pasive dhe mendjelehtë – pandehmë e cila mund të ndodhë njëherë në njëmijë, e për pasojë tek e cila nuk mund të shpresosh në mënyrë të arsyeshme). 2

Mjafton të merret prej Kuranit edhe ajo që duket më e thjeshta apo më elementarja, apo që mendohet se është pjesë ndihmëse e ligjërimit, që të kuptohet ( përveçse edhe që në Kuran s’ka ligjërim ndihmës sepse çdo fjalës ndihmon të kuptosh më shumë) se apelativi “o populli im” me të cilin Allahu dëshmon se çdo profet i drejtohet popullit të vet (përveçse dëshmon edhe njëherë ç’kemi thënë, pra parimin e autoktonisë si themel të statusit të thirrësit) bart si informacion minimal se profeti rri i vetëm –  i dallueshëm – i ekspozuar – i cënueshëm përballë – ngjitur popullit të tij (dhe jo brenda tij në një pozitë gjysmëanonime) dhe e këshillon atë si një të tërë me një mesazh unik të pangatërrueshëm mes mesazheve të tjera të mundshme. Me siguri që në jetët dhe thirrjet e profetëve ka dallime, por kjo është e pandryshueshme tek të gjithë, kjo thirrje si një palë përballë një pale: ai njëra palë, i vetëm – ata pala tjetër, të tërë: imazh i përkryer i davetit public.

Çka thamë kuptohet më ,  edhe nëse kthejmë vështrimin tek jeta e Profetit a.s., sado pak ta kthejmë atje vështrimin: daveti  i Muhamedit a.s. në Mekë, dihet unanimisht se ndahet në dy faza, në fazën trevjeçare të Shtëpisë së Erkamit, gjatë së cilës muslimanët u shtuan në numër fshehurazi, pra duke bërë davet individual, apo horizontal, apo territorial; dhe në fazën e dytë sa gjithë koha nga dalja tek Kodra Safa derisa Muhamedi a.s. u dëbua e u përndoq prej Mekës, pra dhjetë vjet, gjatë së cilës daveti i tij ështe jo vetëm më territorial por edhe hapësinor, jo vetëm më horizontal por edhe vertikal, jo vetëm më individual por edhe publik, në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin intensitet.

(Në fakt ka edhe një dallim tjetër mes dy termave:  nëse ai që bën davet e ka fjetur mendjen se  për të ekziston vetëm daveti territorial -individual dhe se nuk ka mundës për davetin hapësinor -publik  (apo se i duhet afat pas çdo afati për ta synuar këtë nivvel tjetër daveti)   në këtë rastdaveti  individual mund të quhet edhe daveti i komoditetit, kollajllëkut  dhe rehatisë.Kurse daveti publik, është në thelb daveti i tensionit dhe telasheve, në thelb daveti i kurajos dhe lidershipit, sespe sistemi sado më shumë ta ndjejë veten të konkurruar e rrezikuar, në të njëjtën masë do të reagojë dhe kundërvihet për të eleminuar rrezikun. Edhe ngaqë daveti publik, njëherë po filloi, mund të ketë luhatje ritmi, por nuk mund të ketë kthim prapa e aq më tepër kurrsesi nuk mund të ndërpritet, pra duhet t’i dalësh për zot sa të kesh frymë pa asnjë garanci tjetër se do ia dalësh, përveç mosbërjes llogari me asnjë sakrificë.

Prandaj ne besojmë se nëse ndiqet  deri në fund konsekuenca metodologjike e përmbushjes së davetit njëkohësisht dhe me të njëjtin intensitet në të dyja nivelet, bëhet i pashmangshëm përfundimi se në fakt daveti horizontal – individual ka më tepër nevojë për davetin vertikal – public, sesa ka ky i fundit për davetin individual. Në kuptimin që daveti publik në origjinë është i panegociueshëm, mund të pritet për të patur prezencë territoriale për të bërë thirrjen hapësinore – publike por kjo pritje nuk është kusht, sepse edhe pa të vjen herët a vonë një moment  i bërjes publike të Hakut të Zotit edhe pse thirrësi është   pa mbulim territorial, pra i

vetëm (si Ibrahimi a.s. tek popullli i vet); në të kundërt daveti individual në origjinë mund të nisë pa një prezencë hapësinore – publike duke pritur që kjo prezencë të plotësohet rrugës, por nuk mund të vazhdojë pambarimisht pa të, madje do të sakrifohet për t’u shndërruar në të: në një shoqëri mund të mos ketë davet individual, por nuk mund të mos ketë publik ( ky është kuptimi i hadithit të Xhibrilit a.s. që nuk e ekzekuton dënimin e një populli sepse pa disa adhurues individual dhe që kur e paraqiti tek Allahu arsyen e mosekzekutimit, Allahu e urdhëroi ta fillojë ndëshkimin pikërisht nga ata). 3

Disa iluzione.

Për a sa janë të vërteta ato çka thamë, shfaqen si iluzione disa praktika apo bindja mu në mes të davetit shqiptar.

Ambicja e davetit horizontal – territorial – individual, është e mundshme të kufizohet në një thirrje brendapërbrenda sistemit, paçka se sistemi është themeluar mbi premisa të rreme të një të vërtete të rreme. Edhe sikur të synojë të ndryshojë sistemin ky nivel daveti, supozon se kjo mund të realizohet nëpërmjet një depërtimi dhe integrimi paraprak (si rregull të kamufluar) në system, apo në mos, nëpërmjet një ngërthimi kapilar me truallin ku ndërtohet sistemi, duke pritur rastin e volitshëm për ta rrëzuar atë. Ky aspekt potencial subversiv – kundërvënës ndaj sistemit, mundet të jetë karakteristikë e davetit territorial, por  nga njohja e kushteve dhe natyrës së kësaj pranie subversive rezulton se mundësia për sukses në fakt është e papërfillshme, siç do mundohemi ta tregojmë në vazhdim.

Daveti  kapilar në territor ka prirjen që në bazë të anshmërive dhe shprehive të fituara, të përqendrohet dhe specializohet në një perimetër të caktuar, duke e intensifikuar thirrjen aty përmes njohjes së posaçme që përftohet me kalimin e kohës. Kjo bën të mundshme krijimin e zonave apo të zonës si territor të privilegjuar daveti dhe në fakt daveti zonal është një version i pashmangshëm i davetit horizontal. Është supozimi i konsolidimit të davetit zonal dhe i shumëzimit të zonave njëra pas tjetrës deri në dominimin e  mbarë territorit zonë pas zone, që justifikon shpresën e thirrësave shqiptarë që punojnë pothuajse vetëm me davet individual, pra shpresën se thirrja mund të finalizohet si një dominim mbi sistemin përmes natyrës subversive të kësaj thirrje.

Vetëm se që kjo me të vërtetë të jetë e mundshme të ndodhë, duhet të plotësohen dy kushte:

së pari duhet që daveti të jetë zonë pas zone njësoj subversiv, pra secili ekip që punon në secilën zonë duhet të jetë njësoj  i gatshëm për të dale herët a vonë nga sistemi.Nëse ky homogjenizim i disponimt subversive nuk ndodh , suksesi po ashtu nuk ndodh. Dhe duhet ditur se ky homogjenizim në fakt nuk ka shanse të ndodhë, sespe do të duhet që të jetë një grup që e nis këtë davet dhe mbulon zonë pas zone gjithë territorin, që do të thotë që territori të jetë paraprakisht bosh, premisë kjo e pamundshme. Rasti i Shqipërisë e dëshmon këtë, pra këtë pamundësi të vakuumit, që mundëson si rregull që vetë shndërrimi i davetit  territorial në davet zonal, nënkupton ekipe të ndryshme territoriale që zonalizojnë secili më vete me prirjen që epërsinë në zonë ta ruajnë si kapacitetin e tyre më të lartë. Kjo e bën të pamundshme si rregull të përgjithshëm (i vërtetuar në rastin e posaçëm të davetit shqiptar)njësimin e disponimit subversi dhe e bën të rreme shpresën e suksesit sado të largët të davetit horizontal.

Dhe së dyti, duhet plotësuar edhe një kusht i dytë që në fakt nuk varet nga puna e thirrësit: duhet që ai të shpresojë në një kontekst gjeopolitik se sistemi do stresohet e dobësohet, do rëndohet dhe do bëhet i padurueshëm prej njerëzve deri në pikën që njerëzit do të ngrihen kundër tij edhe për arsye mondane (siç qe për shembull rasti i Pranverës Arabe). Por kjo lëvizje gjeopolitike dhe ose mbarëpopullore kundër sistemit të padrejtë, mund të vijë shpejt, por më shumë ka mundësi të mos vijë asnjëherë krahasuar me jetën aktive të një thirrësi, e prandaj edhe sipas natyrës së këtij kushti, mundësia për sukses përfundimtar në raport me sistemin nisur nga daveti horizontal, zvogëlohet dhe më (sikur të mos ishte tashmë praktikisht një utopi) duke e bërë praktikisht një iluzion ndjekjen e kësaj rruge.

Një iluzion tjetër është se kryerja e davetit vertikal është farz kifaje dhe jo farz ajn (duke e marrë të mirëqenë që për davetin horizontal është e vërtetë e kundërta). Mirëpo nuk duhet të konfondojmë referencat: daveti publik -vertikal është farz kifaje në raport me bashkësinë e muslimanëve, por në raport me thirrësat e përfshirë në davetin individual – horizontal, për secalin prej tyre pa përjashtim është farz ajn mbërritja e kapacitetit dhe plotësimi i kushteve për të marrë përsipër davetin publik (përndryshe duhet të pranojnë se puna e tyre dhe jetëgjatësia e sistemit nuk janë relacionalë mes tyre).

Një tjetër iluzion është supozimi se daveti publik – vertical tashmë po kryhet, duke përdorur si argument thirrjen e përforcuar dhe të shumëfishtë të ezanit në të gjithë qytet e Shqipërisë (duke qenë se ezani përmban në tekstin e tij dy shehadetet dhe thirrjen për shpëtim të njerëzve duke adhuruar Allahun). Mirëpo siç e kemi treguar me hollësi diku tjetër (tek shkrimi ynë “Ezani” botuar në shtyp) status i ezanit në ligjërimin publik shqiptar  gjendet në rendin e sinjaleve dhe jo të mesazheve; pra duke qenë në arabisht dhe i bashkëlidhur me një ritual, nga publiku shqiptar ezani perceptohet si një sinjal (pra në vend të tij mund të ishte edhe një zile apo çangë për të koordinuar kohët e namazeve).

Apo edhe ky iluzion: është bërë davet vertikal në Shqipëri, sespe ka thirrësa që përmes njohjeve të tyre kanë arritur t’u flasin për Hakun e Allahut,pjesëtarëve të parisë, deputetëve, ministrave, kryetarëve të bashkive etj. Edhe ky iluzion është produkt i një konfondimi: t’i flasësh privatisht një njeriu të rëndësishëm është në thelb davet individual edhe sikur ai ta pranojë publikisht dhe me krenari e këmbëngulje Islamin ngjashëm me Umrin (e jo më që as bëhet fjalë për pranim public, por në rastin më të mire për pranim në fshehtësi, përndryshe po të kishte ndodhur, do ta kishim ditur.)

Prof. Rudian Zekthi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit