-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Përse e djegin Kuranin?

Më të lexuarat

Muslimanët besojnë se Kurani është libër i shenjtë, sepse ai është fjala e Allahut, besojnë se ai është ligjërimi më i bukur.
Allahu shprehet kështu në Kuran për Kuranin: “Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu.”

Kurani është udhëzim dhe mëshirë për besimtarët, ndërsa për ata që nuk e besojnë Kuranin ka efekt të kundërt. Në Suren Zumer ajeti 23, Allahu thotë: “Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush.

Ndërsa në suren el-Isra, ajeti 82 thotë: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.”
Në suren Fusilet, ajeti 44, Allahu shprehet kështu për vetitë e Kuranit: “Thuaj: “Ai është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët”. Por ata që nuk besojnë, janë të shurdhër ndërsa ai i verbon, njësoj si të thirreshin prej vendeve të largëta.”

Kurani është një libër i çmuar, shpallje e Zotit të botëve për të gjithë botën. Në suren el-Vakia Allahu thotë: “Ky është vërtet një Kuran i nderuar, në Librin e ruajtur. Atë e prekin vetëm të pastërtit. Ai është Shpallje prej Zotit të botëve.”

Ndërsa në mbyllje të sures el-Buruxh Allahu thotë: “Përkundrazi, ai është një Kuran i lavdishëm, në Pllakën e Ruajtur mirë.”

Kurani është një libër i pakonkurrueshëm dhe i papërballueshëm, kështu e cilëson Kuranin Allahu në suren el-Fusilet: “Ata që e mohojnë Fjalën Tonë përkujtuese, kur u vjen, do të dënohen rëndë. Ai është vërtet një Libër i pamposhtur, Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.”

Kurani është fjala e Zotit, ai vjen nga përtej bota për ta ndriçuar botën, dhe duke qenë se është i pakonkurrueshëm është i pamposhtur, dhe duke qenë se është i pamposhtur ai shndërrohet në ankth për ata që nuk e besojnë. Njeriu në mungesë të kapacitetit për t’u përballur me fjalën hyjnore, dhe në përpjekje të dëshpëruar merr ta djegë në shenjë hakmarrje atë që nuk e mposht dot. Asgjësimi fizik i kopjeve të Kuranit nuk nënkupton asgjërimin e vetë Kuranit. Kurani është realitet transhendent, dhe mbahet i ruajtur në gjokset e besimtarëve.
Edhe sikur të eleminohen fizikisht të gjitha kopjet e Kuranit në botë, dhe pas tyre të eleminoheshin edhe të gjithë hafizat, sërish Kurani nuk do të zhdukej, sepse ai është realitet përtejbotësor dhe do të vazhdojë të frymëzojë shoqërinë deri në ditën e qametit. Prandaj në Kuran, në suren el-Hixhër ajeti 9, Allahu thotë: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.”

Në suren el-Bekare Allahu i madhëruar thotë: “Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tone, atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë. Nëse nuk mundeni, dhe kurrsesi nuk do të mundeni, atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët dhe që është përgatitur për të ndëshkuar mohuesit.”

Pra në qoftë se nuk e hartoni dot një Kuran të ngjashëm, dhe as nuk e asgjësoni dot Kuranin që i shpallëm robit tonë, keni veç një mundësi të shpëtoni nga ankthi në këtë botë dhe mallkimi në Botën Tjetër, të dorëzoheni para tij. Nuk ekziston libër në botë të jetë në të njëjtën kohë hem mëshirë dhe paqe hem ankth dhe mallkim si Kurani. Ai është mëshirë dhe udhëzim për ata që besojnë se ai është fjala e Zotit dhe përulen para tij, dhe ankth e mallkim për ata që e refuzojnë dhe e përbuzin. Të vërtetën ka thënë Zoti i madhëruar në Kuran: “Thuaj: “Ai është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët” Por ata që nuk besojnë, janë të shurdhër ndërsa ai i verbon, njësoj si të thirreshin prej vendeve të largëta.”

Hoxhë Dorian Balliu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit