12.1 C
Pristina
Saturday, May 18, 2024

Toleranca islame-osmane dhe të krishterët

Më të lexuarat

Arbër Berisha

Perandoria Osmane, një superfuqi e kohës e shtrirë në tri kontinente – Azi, Afrikë dhe Evropë, si shtet multietnik, multifetar, multi-gjuhësorë dhe kulturor, i kushtoi vëmendje të posaçme bashkëjetesës, mirëkuptimit dhe harmonisë midis nënshtetasve të saj. Fermanët e sulltanëve mendoj se janë një dëshmi e pakontestueshme, që tregon qartë se, megjithëse shteti osman ishte në pozitat e sunduesit, tregoi interesimin dhe tolerancën e duhur ndaj nënshtetasve të vet të besimit jomyslimanë, konkretisht ndaj të krishterëve. Kjo politikë pati zanafillën që kur sulltan Mehmeti II, sapo çliroi Konsantinopojën, i njohu Patrikanës Ortodokse pavarësinë dhe lirinë e ushtrimit të riteve fetare. Pas rënies së Konstantinopojës, nga vendet përreth kishin shkuar shumë të deleguar për të përgëzuar Mehmetin II për fitoren. Paska shkuar aty edhe patriku grek i Jerusalemit, Atanasjas me priftërinjtë, për t’i kërkuar liritë e tyre. Për këtë arsye Mehmeti II nxori një ferman, me anë të të cilit i ndalonte çdo njeriu që të përzihej në ritet, kishat dhe vendet e tyre të pelegrinazhit. Megjithëse në atë kohë Jerusalemi ishte nën sundimin e “Memlukëve“, ngaqë Patrikana e tij varej nga ajo e Konstantinopojës, ata i kërkuan ndihmë sulltanit. Mehmeti II e mbajti në këmbë këtë Patrikanë duke vendosur patrik Georges Sekolarios (Genadios) në vend të Gregorios Mammit III, i cili ishte arratisur që më 1450, para marrjes së Konstantinopojës.(1)

Osmanlinjtë njohën “miletet”

Mehmeti II nuk u mjaftua me kaq, po në vitin 1461 solli nga Bursa në Stamboll peshkopin armen Havokim dhe e shpalli patrik të Kishës Armene dhe kështu Patrikanës Armene iu njohën të gjitha të drejtat që i ishin njohur Patrikanës Ortodokse.(2) Në arkivin osman të Stambollit gjenden regjistra të kishës, që tregojnë për institucione jomyslimane dhe për veprimtaritë e tyre fetare e bamirëse që nga viti 1453, viti i marrjes së Konstantinopojës nga Fatihu. Osmanët njihnin tre milete kryesore, përjashtuar atë mysliman që ishte kryesori. Në fund të shekullit XV mileti më i madh i perandorisë ishte mileti i krishterë ortodoksë, që përfshinte subjektet sllave së bashku me ato greke dhe rumune. Të krishterët ortodoksë ishin ndarë në një numër patrikanash të pavarura që përpara pushtimit osman. Patrikana Bullgare ishte përqendruar në Ohër dhe Tërnovë, ajo Serbe në Pejë dhe ajo greko-ortodokse qëndronte në Konstantinopojë. Por, ritet dhe doktrina e tyre ishin pak a shumë të njëjta me përjashtim të gjuhës. Për këtë arsye Mehmeti II qe i aftë që t’i bashkonte ato nën udhëheqjen e patriarkut me tërheqjen e patriarkut të Konstandinopojës menjëherë pas invadimit, duke marrë si pasojë mbështetjen e të fundmëve për pushtetin osman. Për t’u emëruar si i tillë, Patriarku kërkohej konfirmimi nga ana e sulltanit dhe që të instalohej në post me rituale të plota bizantine, pa praninë e perandorit. Atij i jepej rangu i pashait osman me tre bishta dhe kishte të drejtë për implementimin e ligjit ortodoks ndaj ndjekësve të tij në çështjet religjioze dhe ato fetare bashkë, nga qendra e tij në lagjen e Zemerit në Stamboll.(3) Azia e Vogël kishte popullsi myslimane, po edhe popullsi të krishterë. Në Anadollinë lindore, me përjashtim të Bursës, popullsia jomyslimane ishte greke ose armene. Në provincat e Saruhanit, Ajdinit, Menteshesë, Germianit dhe Kengerisë popullsia jomyslimane ishte e paktë. Në vitet 1488-1489 popullsia e krishterë e Ajdinit përbëhej vetëm nga 576 familje, ajo e Monteskes nga 219 familje dhe ajo e Germianit nga 199 familje. Edhe më në lindje, në Hamit, ishte e njëjta situatë demografike.

Në pjesën tjetër të bregdetit të Mesdheut të krishterët ishin me pa kicë

Edhe në sanxhakun e Ankarasë gjendja ishte njësoj, sepse regjistrimi i viteve 1488-1489 shënonte aty vetëm 824 vatra familjare në Sinop e Kastamonu, ku regjistrimi përmend vetëm 2332 vatra. Ndërsa në perandorinë e lashtë të Trabzonit, të krishterët përbënin shumicën, në fund të shekullit XV Trabzoni dhe Rize kishin 2713 vatra familjare. Qyteti i Trabzonit kishte 186 familje armene, 957 greke, 49 gjenoveze e venedikase dhe 258 myslimane . Ka të ngjarë që në fshatra të kishte edhe familje “llaze” (gjeorgjiane). Në krahinën e Kajserit popullsia e krishterë ishte me prejardhje armene dhe greke. Në Tokat dhe Sivas kishte një popullsi të madhe të krishterë, por prejardhja etnike e disa komuniteteve nuk ishte fort e qartë. Regjistrimi i kryer në kohën e Mehmetit II, ka shënuar nëpër qytete disa lagje që quheshin “Rum” ose “Ermeni”, por onomastika e banorëve është e çuditshme, sepse disa veta kanë një mbiemër, etimologjia e të cilit është turke. Atëherë shtrohet pyetja: Mos ka të ngjarë që termi “rum” të mos tregojë një popullsi greke dhe termi “ermeni” të mos tregojë një popullsi armene? Në rastin e parë, “rum” është quajtur një popullsi turke e krishterë ortodokse, ose një përzierje turko-greke-ortodokse, ndërsa në rastin e dytë bëhet fjalë për një përzierje armeneo-turke gregoriane. Në fillim të shekullit XVl provinca e Mardinit kishte 5782 vatra familjare myslimane, 2427 të krishtera dhe 92 hebraike. Një pjesë e popullsisë së krishterë ishte armene. Në të njëjtën kohë provinca e Bajburtit kishte 9977 vatra myslimane dhe 3775 vatra të krishtera, nga të cilat 352 gëzonin lehtësi tatimore. Edhe këtu një pjesë e popullsisë së krishterë ishte armene. Regjistrimet osmane të shek. XV tregojnë se në provincën e Karamanit, si dhe në ato të Tokatit e të Sivasit, kishte edhe turq të krishterë, sedentarë dhe endacakë. Por popullsia turke e krishterë nuk ishte karakteristike vetëm për krahinat që përmendëm. Në një numër të madh provincash të Azisë së Vogël, jetonin turq të krishterë, onomastika e të cilëve të shumtën është me prejardhje turke dhe jo arabe ose persiane. Po shtojmë me këtë rast një burim bizantin të shek. XIII, që përmban të dhëna mjaft interesante mbi popullsinë turke të krishterë të Ala Shehirit (Filadelfia). Mirëpo grekët, armenët dhe turqit e krishterë nuk ishin të vetmit jomyslimanë të Azisë së Vogël. Në provincën e Trabzonit, onomastika nuk ishte gjithnjë greke. Disa banorë duket se janë armenë, të tjerët janë llazë (gjeorgjianë)(4).

(1) Grup autorësh, “ Nga Perandoria Osmane në Shqipëri e shkruam historinë me tolerancë“, Dr. Nezir Bata, “U. i Tiranës“, “Fermanet sulltanore, dëshmi të tolerancës ndër-fetare në shtetin Osman“, Tiranë 2005, f. 66

(2) Mehmet Şeker, “Anadolu’da Bir Arada Yaşama Tecrübesi“, Ankara 2000, f. 153.

(3) Stanford J.Shaw “Historia e Perandorisë Osmane dhe e Turqisë moderne V.I, SH.B Jehona Study Center Tiranë 2007 f..188,189

(4) Robert Mantrani “Historia e Perandorisë Osmane“, Sh.B. “Dituria“, Tiranë 2004, f. 134-135

DituriaIslame

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit