4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Përse duhet mbrojtur Shefqet Krasniqin (2)

Më të lexuarat

Mbrojtja nga “idiotët” dhe gjykimi politik

Përse duhet mbrojtur Shefqet Krasniqin (2)

Nëse mbetet aktakuza e Prokurorisë së Kosovës, atëherë hapi i ardhshëm duhet të jetë formimi i policisë morale që do të vlerësojë tonalitetin e gjuhës, interpretimet e duhura të ajeteve kuranore dhe mënyrën që fjalët tona të mos interpretohen prej të tjerëve si thirrje për veprime të dhunshme, madje edhe terrorizmi

1.

Prokuroria Speciale e Kosovës, në aktakuzën e vet, ka ndërmend të japë prova se si dr.Shefqet Krasniqi, si imam i Prishtinës, ka qenë në mënyrë të tërthortë shtytës i terrorizmit. Dhe, për ta bërë këtë, do të shërbehet me nenin 141 të Kodit Penal të Kosovës, nen i cili në kohët e komunizmit do të quhej “nen i gomës”, apo i “llastiktë”, sepse mund ta lakosh e ta zgjatësh si të duash. Në të thuhet:

“Kushdo që shpërndan, ose në ndonjë mënyrë tjetër mundëson mesazhin për publikun, me qëllim që të shtytë kryerjen e aktit terrorist, kur sjellja e tillë pavarësisht nëse avokon drejtpërdrejt ose jo aktet terroriste, shkakton rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet”.

Pra, dr. Shefqet Krasniqi do të duhej të shkonte në burg, një deri në pesë vjet, nëse prokuroria e bind gjykatën se ai mundësoi “mesazhin për publikun, me qëllim të shtytë kryerjen e aktit terrorist” dhe këtë e bëri “pavarësisht nëse avokon drejtpërdrejt ose jo aktet terroriste”.

Nëse gjykata dëshiron ta dënojë dr. Shefqet Krasniqin në bazë të këtij neni e ka fare të lehtë. Çdo gjë që ka thënë ai mund të interpretohet prej çdo besimtari si thirrje për akt terrorist. Edhe kur flet për Siri, edhe kur flet për xhenet e xhehenem; edhe kur flet për lule a biçikleta. Sepse, në momentin kur neni 141 e lë të hapur “pavarësisht nëse avokon drejtpërdrejt ose jo aktet terroriste”, barra e interpretimit bie te dëgjuesi, jo te shqiptuesi i fjalëve. Kur Shefqet Krasniqi flet për Siri, xhenet, xhehenem, lule apo biçikleta dhe nuk thotë se duhet ndërmarrë veprime terrorizmi, ai nuk mund të përgjigjet juridikisht nëse dikush i interpreton fjalët e tij si thirrje për terrorizëm.

Dhe ky nuk është fenomen i ri. Ndër filozofët më mbresëlënës të shekullit XX, Isaiah Berlin, duke marrë titullin “Doktor Honoris Causa” të Universitetit të Torontos, zbërtheu se si besimtarët e një ideje (e një ideje që pretendon se i shpjegon të gjitha, i një të vërtete universale, sikur janë të vërtetat filozofike apo teologjike) janë të gatshëm të ushtrojnë dhunë e terror për t’i realizuar ato. Ja si i shpjegoi ai rrënjët filozofike, që nga Fichte dhe Schelling, të dhunës naziste: “Nëse je krejtësisht i bindur se ekziston ndonjë zgjidhje për të gjitha problemet njerëzore, se njëri mund të ngjizë një shoqëri ideale të cilën njerëzit mund ta mbërrijnë vetëm nëse bëjnë atë që është e nevojshme për ta mbërritur, atëherë, ti dhe pasuesit e tu, duhet të besoni se çfarëdo çmimi s’mund të jetë i lartë për të hapur dyert e asaj parajse. Vetëm budallenjtë dhe të këqijtë do të rezistojnë njëherë kur t’u vihen përpara disa të vërteta të thjeshta. Ata që rezistojnë duhet të binden; nëse nuk mund të binden, duhet të kalohen ligjet që të mund të kufizohen; nëse kjo nuk bën punë, atëherë të detyrohen, dhuna do përdorur detyrimisht – po qe nevoja, terrori, masakra”.

2.

Gjykimi i dr. Shefqet Krasniqit me aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës mund të shndërrohet fare lehtë në gjykim kundër shtetit të Kosovës.

Shteti i Kosovës, nëpërmjet aktakuzës së Prokurorisë së saj po e gjykon një njeri me akuzën për nxitje terrorizmi, sepse ka përdorur “gjuhë të vrazhdë” e kjo e bën të dënueshëm këdo që të mos përmbushë kriteret estetike-gjuhësore të shtetit, të cilat ende nuk i dimë çfarë janë. Atë njeri më tutje po e gjykon, sepse ka “përdorur interpretim të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor e frymës islame”, e kjo e bën të dënueshëm çdonjërin që bën interpretim të ajeteve kuranore jashtë asaj që një qendër teologjike e konsideron kontekst kohor apo frymë islame. Shteti i Kosovës nuk është i pajisur me kompetenca kushtetuese për të vlerësuar se çka është interpretim i drejtë e çka jo i ajeteve kuranore. Dhe shteti i Kosovës nuk është i pajisur për këtë për një arsye të thjeshtë: nuk është i dizajnuar për teokraci (sundim fetar), por për demokraci.

E në demokraci nuk do të duhej të ndodhte që një njeri të gjykohej, sepse Prokuroria e atij shteti mendon se fjalët e tij qenë interpretuar prej besimtarëve si nxitje për terrorizëm.

Shteti i Kosovës, në gjykimin e dr. Krasniqit, mund të akuzohet fare lehtë për vendosjen e një kategorie të re të delikteve morale që janë instrumente të qarta të sistemeve autoritare dhe diktatoriale.

Rrjedhimisht, shteti i Kosovës, po të niset në këtë rrugë, do të ketë nevojë për njësit të veçantë të policisë, atë për ruajtjen e moralit: çfarë tonaliteti gjuhe të flasin hoxhallarët (dhe të gjithë ne të tjerët), si t’i interpretojmë ajetet kuranore (apo çfarë shkrimi tjetër teologjik apo joteologjik) dhe si të pengohet që fjalët tona të mos interpretohen prej të tjerëve si thirrje për veprime të dhunshme, madje edhe terrorizmi.

3.

Policia morale, me gjasë, nuk do të jetë i vetmi njësit i veçantë të cilin duhet ta ndërtojë shteti i Kosovës.

Sipas ministrit të Brendshëm të vendit, qytetarët e Kosovës që i janë bashkuar ISIS-it dhe “Al-Nusras” janë një “grup idiotësh”. Meqë këtë e thotë njëri prej përgjegjësve kryesorë për zbatimin e rendit dhe ligjit në vend, parandalimi i terrorizmit në të ardhmen do të duhej të bëhej me parandalimin e “idiotëve”. Klasifikimi mjekësor i “idiotëve” është tashmë i vjetruar dhe konsiderohet ofendues, por është i vetmi i cili mund të shërbejë si bazë shkencore për një katalog të Ministrisë së Brendshme: ai përshkruan persona me të meta mendore e koeficient inteligjence nën shkallën 20.

Ky klasifikim duhej të shërbente tash për njësitin e ardhshëm policor parapengues të terrorizmit, atë të matjes së koeficientit të inteligjencës. Përcjellja e “idiotëve”, qoftë individualisht apo në grup, do të pengonte aderimin e tyre në ISIS dhe “Al-Nusra”.

Dhe, në bashkëveprim me njësitin e policisë morale, Kosova do të mundë të krenohej politikisht para tërë botës se ka shoqëri “terrorist-free”, të lirë nga terroristët.

4.

Me gjasë, qëllimet politike, atë të paraqitjes së Kosovës si një demokraci efikase dhe shoqëri zhvillimore, pasqyrë të cilën po e prishin një hoxhë (me gjuhë të vrazhdë interpretimesh jashtë kontekstit kohor të ajeteve kuranore) dhe një grup me të meta mendore, i quajtur “idiot”, janë vënë në plan të parë në gjykimin e dr.Shefqet Krasniqit.

Nëse është kështu, atëherë shteti i Kosovës, me ose pa vetëdije, është duke hyrë në një rrafsh që do të krijojë më shumë probleme se ç’do të japë drejtësi a zgjidhje. Shteti i Kosovës është duke rrëshqitur në një gjykim politik ndaj një kleriku.

(Nesër: Pontius Pilati vs. Shefqet Krasniqi)

© KOH

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit