Karakteristikat e produktit janë veçoritë e produktit tuaj që e përshkruajnë pamjen, përbërësit dhe mundësitë e tij. Një shembull konkret mund të përdoret për këtë: “Zonjusha Marigonë, kjo karrige është me rrota, konstruksionin e ka të metaltë, e mbështjellë me lëkurë origjinale dhe ka mundësi të ngrihet lart, të shtrihet dhe të përshtatet sipas gjatësisë së personit”.
Avantazhet janë përparësitë e produktit tënd në krahasim me atë të konkurrencës. Gjatë procesit të prezantimit të produktit duhet t’i jepni rëndësi dhe ta potenconi secilin detaj që ju dallon sado pak prej konkurrencës: kualitetin, shërbimin, dërgesën e mallit, mënyrën e punës, ngjyrën, materialin, dizajnin, efikasitetin, kujdesin ndaj konsumatorit etj.
Nëse çmimi është më i shtrenjtë, atëherë në fund mund ta theksoni se çmimi është më i shtrenjtë se i konkurrencës. Kjo duhet ta argumentohet me vlerën të cilën e ofron në përputhje me çmimin. Për ta bërë këtë më së miri, duhet ta kemi të plotësuar tabelën krahasuese me konkurrencën. Plotësimi i tabelës bëhet në bazë të hulumtimit të tregut. Informatat më të sakta dhe më reale që i merr janë prej konsumatorëve tuaj, të cilët tregtojnë apo bashkëpunojnë edhe me konkurrencën tënde. Prej konsumatorëve i merrni informatat e sakta për ofertat e konkurrencës, për sjelljen dhe komunikimin e stafit me konsumatorë, për shërbimin e mirë apo të keq, për profesionalizmin e tyre, për strategjinë e shitjes së konkurrencës.