1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

PËRKUJTIMI I HIXHRETIT PROFETIK

Më të lexuarat

Në Mekën e atyre kohëve, kur paria Kurejshe që kishte mbushur zemrën me dëshirat për pasuri, fëmijë, gra dhe pije e që s’mund të gjente vend për dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nisi ta mundonte Pejgamberin (a.s.) me sa i vinte për dore. I dërguari i Allahut pati dalë jashtë Mekës e pati shkuar në Taif. Por edhe populli i Taifit qe sjellë si vëllezërit e tij të Mekës duke e vënë Profetin (s.a.s.) nën shiun e gurëve. Për këtë shkak, myslimanët mekas, duke iu përgjigjur ftesës së myslimanëve medinas si dhe me lejen e profetit, në pjesën e parë të shekullit VII, nisën të emigronin fshehtas nga dy e nga tre në Medine për të gjetur shpëtim, prehje e qetësi, ku lirisht mund të shprehnin ndjenjat e tyre fetare. Myslimanët mekas që emigruan nga Meka për në Medine, u quajtën muhaxhirë (emigrantë), kurse myslimanët medinas që i pritën këta si vëllezër dhe miq, i respektuan dhe i ndihmuan, u quajtën ensarë (ndihmëtarë). Kur’ani bën fjalë me dhjetëra herë për këto dy grupe që zënë një vend të rëndësishëm në historinë Islame.

Profeti Muhamed (s.a.v.) së bashku me shokun e tij të ngushtë Ebu Bekrin, emigruan të fundit. Medineja ishte ngritur në festë duke e pritur profetin me padurim, dashuri dhe hare. Kjo ngjarje e madhe me rëndësi në historinë Islame njihet  me emrin Hixhreti Profetik dhe ky vit hënor quhet Viti i Ri Hixhri. Nisur nga rëndësia dhe roli i tij, myslimanët e kanë përcaktuar hixhretin si fillimin e kalendarit të tyre. Të gjitha ngjarjet historike më pas në fenë Islame u rënditën në bazë të kësaj pikënisjeje. Kështu mbyllej në historinë e Islamit periudha afro 13-vjeçare e Mekës e mbushur plot ngjarje të dhimbshme dhe niste periudha e Medines që do të vazhdonte 10 vjet, që do ta kthente Islamin në një rend politik, shoqëror dhe ekonomik, e që do t’i jepte Islamit shtetin e parë në historinë e tij.

 

Rëndësia dhe roli i hixhretit

 

Fjala hixhret do të thotë: emigrim, shpërngulje, braktisje dhe ndarje nga diçka. Hixhreti i Profetit Muhamed (s.a.s.) dhe i myslimanëve nuk ishte ikje nga frika për jetën e tyre, por një sakrificë e madhe realizuar vetëm për hir të Allahut dhe në shërbim të besimit. Myslimanët mekas lanë pas pjesëtarë të familjes, shtëpi, kopshte, mall, pasuri e tregti. Personi që emigroi për t’u martuar me Ummul Kajsin u quajt në përputhje me qëllimin e tij si “muhaxhiri i Ummul Kajsit.” Kjo përveç se pasqyron qartazi se hixhreti nuk është thjeshtë zhvendosje fizike nga një vend në një tjetër, por shpjegon se ai pasohet nga “pse”-të e braktiksjes së gjërave. Njeriut i takon vetëm ajo çfarë ai synon dhe ka për qëllim.

Pa dyshim, emigrimi i myslimanëve nuk është as i pari dhe as i fundit emigrim në historinë e popujve. Emigrime janë bërë edhe para, edhe pas tij. Por duhet theksuar që, ato emigrime janë bërë për shkaqe materiale si thatësirë apo zi, fatkeqësi natyrore, luftë, frikë nga armiku ose për arsye ushtarake. Ndërsa hixhreti në esencë ishte shpërngulje nga dobësia në fuqi dhe nga pesimizmi në shpresë për një ardhmëri më të lumtur e më të ndritshme të Islamit. Për këtë arsye Allahu i madhëruar ia lejoi hixhretin të dërguarit të Tij.

Hapat e para të Pejgamberit (a.s.) në këtë drejtim ishin themelimi i xhamisë së parë në Kuba, i Sufasë brenda në xhaminë e Medines e njohur si xhamia e Pejgamberit (a.s.) dhe bashkimi i tërë njerëzimit, e cila fillon me bashkimin dhe vëllazërimin mes medinasve (ensarëve) dhe mekasve (muhaxhirëve). E para tregon bazën religjioze dhe hyjnore, e dyta bazën e dijes dhe të shkencës, kurse e treta paraqet nivelin më të lartë të një shoqërie kur ajo është e bashkuar, apo të paktën, kur tashmë njerëzit jetojnë duke e ndjerë veten të lirë. Kur një shoqërie i mungojnë këto elemente bazë, ajo përjeton kriza të ndryshme, sikurse janë krizat etike, shkencore, ekologjike, kriza e të qenurit me të vërtetë i lirë në të besuarit, në të shprehurit, në të jetuarit etj. Me fjalë të tjera, qëllimi i Allahut Fuqiplotë me hixhretin e realizuar nëpërmjet Pejgamberit (a.s.) ishte ngritja e nivelit shpirtëror tek njerëzit, përgatitja profesionale dhe zhvillimi i ndjenjës për një jetë të përbashkët dhe të integruar mes tyre.

Një rëndësi tjetër e hixhretit ishte se Islami u përhap më me shpejtësi. Më në fund, myslimanët, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, ranë në qetësi dhe jetuan në siguri. Nëpërmjet hixhretit Pejgamberi (a.s.) ngriti shtetin Islam, shtetin e drejtësisë dhe të mirësisë, shtetin e dijes dhe të besimit, shtetin e virtytit dhe të moralit, shtetin e të drejtës dhe të devotshmërisë. Jo vetëm kaq, por thirrja e re e Profetit (a.s.) mbas hixhretit, solli njeriun e ri, njeriun e nderuar dhe të lirë.

 

Hixhreti ose largimi nga mëkatet

 

Ç’është e vërteta, në kuptimin e vet specifik, hixhreti ka marrë fund, sepse i dërguari i Allahut thotë: “Pas triumfit të Mekës nuk ka më hixhret.”[1] Por në kuptim të përgjithshëm, hixhreti vazhdon dhe do të vazhdojë gjer në kiamet. Çdo burrë i kauzës, çdo njeri që ka besuar, i cili lë vendin e vet, nënën, babanë, të dashurit e miqtë dhe shkon vend më vend me synimin për t’u treguar të drejtën dhe të vërtetën zemrave nevojtare, ndodhet në kuadrin e dobishëm të një hixhreti, emigracioni të pambarim dhe pa asnjë diskutim që do ta marrë sevapin dhe të mirën e kësaj pune.

Do të ishte e dobishme që ta hapnim edhe këtë specifikë, që emigranti më i madh është ai që largohet prej mëkateve dhe që i fshin prej zemre të gjitha dashuritë përveç dashurisë për Allahun.[2] Të ikësh nga mëkatet e të trokasësh në portën e Zotit, e të mos largohesh nga ajo portë gjersa të vijë prej Tij fermani i faljes, është gjithashtu hixhret, emigrim. Një njeri, i cili pasi të ketë braktisur mëkatet e kryera më parë, rikthimin tek të njëjtat mëkate e quan më të dhimbshëm se hyrjen në ferr, është vazhdimisht në rrugën e hixhretit, emigracionit, në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Njeriu që i sheh si një arë e minuar gurët e kufirit të gjërave të ndaluara, që u themi “haram” dhe që nuk afrohet gjer atje, që u kushton kujdes dorës, këmbës, syrit, veshit, gojës dhe buzëve të veta, do të thotë se bën hixhret gjatë gjithë jetës. Edhe sikur të rrijë mes njerëzve, edhe sikur të tërhiqet në vetmi, emigrimi i shenjtë do t’i jetë bashkudhëtar besnik në thellësitë e botës së tij ndjesore.

Koha në të cilën jetojmë është e mbushur me ndodhi, raste e fenomene që na i kanë lodhur sytë duke i parë, veshët duke i dëgjuar, mendjen duke i menduar dhe në fund, asgjë për njeriun. E ç’është më e keqja, nga kjo lodhje ende nuk ka shpresë se njeriu do të arrijë momentin e çlodhjes. Ky presion psiqik, kjo torturë amorale dhe çnjerëzore shihet në mosarritjen e një integrimi të nevojshëm, gjerësisht të dobishëm, të një bashkimi mbarënjerëzor, të një respekti reciprok dhe kështu me radhë, e cila do të ketë për bazë hyjnoren dhe të shenjtën. Për këtë arsye duhet të jemi plotësisht të bindur se përkujtimi dhe rikujtimi i gjërave me vlerë hyjnore në histori, sikurse është hixhreti i Muhamedit (s.a.s.), janë më se të nevojshme.

Përkujtimi i hixhretit në fillimin e çdo viti, na bën më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm për rëndësinë e përpjekjes në rrugën e Allahut, në rrugën e thirrjes në Islam, në rrugën e paqes dhe tolerancës, dashurisë dhe respektit të thellë ndaj çdo njeriu. Besimtarët e ndershëm duhet ta jetojnë hixhretin duke ruajtur me kujdesin më të madh mesazhin e tij, duke bërë hixhret të vazhdueshëm nga e keqja në të mirë, nga e shtrembëra tek e vërteta, nga ngushtësia në zemërgjerësi, nga tradhëtia në besnikëri, nga dyftyrësia në sinqeritet dhe çiltërsi shpirtërore.

Dorian Demetja

[1] Buhari, Xhihad, 1; Muslim, Imare, 85.

[2] Buhari, Iman,4; Ibn Maxhe, Fiten, 2.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit