11.1 C
Pristina
Tuesday, October 1, 2024

Përhapja e Islamit në Bosnjë dhe Hercegovinë

Më të lexuarat

1. Shqyrtime hyrëse

Edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, sikurse edhe në trojet shqiptare, përhapja e fesë islame te banorët vendorë edhe më tutje konsiderohet si njëri ndër fenomenet ende të pashpjeguara. Por, në anën tjetër, është e padiskutueshme se Islami, me kalimin e kohës, solli deri te njëfarë identiteti specifik boshnjako-musliman, i cili do ta merr trajtën përfundimtare në kombin boshnjak. Krahas disa studimeve serioze në këtë rrafsh, të cilat edhe do të theksohen në këtë shkrim, këtë temë e kanë përcjellë edhe shumë teza të ngatërruara me mite e legjenda dhe përplot paragjykime ideologjike. Pra, ekzistojnë kryesisht du kampe mendimesh: ai musliman dhe ai jomusliman.

Kampi musliman procesin e përhapjes së Islamit e ka paraqitur në formë idilike, të mirëqenies, humanitetit, progresit, i cili paraqiste një ndodhi të madhe, sepse ndodhi pa presion, pa dhunë fizike apo psikike dhe paraqet një mëshirë, bekim nga ana e Krijuesit. Ky mendim edhe pse në parim i drejtë, megjithatë është paksa i idealizuar, jashtë reaalitetit jetësor historik.

Kampi jomusliman, kryesisht kristian, apo i ndikuar nga fryma kristiane, procesin e pranimit të Islamit në Bosnjë dhe Hercegovinë e sheh ndryshe, si një të keqe, e sheh jashtë qytetërimit evropian, diç e pakuptueshme, madje degraduese dhe fatkeqe për popullin.

Duhet theksuar se në shqyrtimet e deritashme, jo të vogla, kanë lëshuar shtrat sidomos disa mite: dhuna si mjet për përhapjen e fesë Islame, Islamin kryesisht e kanë pranuar heretikët boshnjakë, Islamin e kanë pranuar prijësit politikë dhe ekonomik të vendit, me qëllim që t’i ruajnë privilegjet e fituara me herët. Këto teza, për fat të keq, janë të pranishme tërësisht edhe në raportet ndërfetare e ndërnacionale, edhe në librat shkollorë, edhe kudo tjetër dhe në formë institucionale.(1) Edhe pse librat e tillë nuk mund ta përballojnë kritikën shkencore, megjithatë librat e tillë po depërtojnë në çdo pore të jetës: nëpërmjet televizionit, shtypit, internetit, debateve etj.

2. Bogumilët dhe feja islame

Tema e bogumilëve ende nuk është mbyllur. Ka shumë mendime, teza të ndryshme, që është vështirë të kënaqem të gjitha palët. Shkenca ende ka shumë pikëpyetje, kurse grupimet e ndryshme ideologjike, për shkak të interesave të ngushta, e ngatërrojnë këtë temë edhe më shumë. Nuk është e diskutueshme ekzistenca e bogumilëve në Bosnjë, por zhdukja apo tretja e tyre nga skena historike. Marrë në përgjithësi, si jeta e tyre ashtu edhe zhdukja e bogumilëve është ngushtë e lidhur me fatin e Bosnjës mesjetare.

Historianët thonë se gjendja e bogumilëve në shekullin XV u bë e paqëndrueshme. Kjo i detyronte shpesh ata të kërkonin ndihmë nga osmanlinjtë.(2) Mbreti dhe kisha boshnjake ishte e vrazhdë dhe kjo gjendje detyroi që shumë bogumilë të largohen në drejtime të ndryshme, kurse një pjesë e tyre të prangosur u vendosën në Perandorinë Romake. Megjithatë, një numër i popullsisë mbeti në vendin e tyre, e këtë e tregon edhe rasti i mëkëmbësit të qytetit të Bobovacit, kryeqytetit të mbretërisë boshnjake, i cili ishte bogumil dhe i cili ia dorëzoi osmanlinjve çelësat e qytetit. Duke ndjekur këtë shembull, brenda disa ditëve, sulltanit iu dorëzuan rreth shtatëdhjetë fortifikata e kështjella.(3)

Kjo sidomos ndodhi pas ardhjes së Sulltan Mehmed Fatihut të Dytë më 1463 në Bosnjë. Thuhet se rreth 36.000 banorë të Jajces e përqafuan Islamin. Me një rast, pas një kalimi grupor në Islam, Sulltani tha:”Ç’dëshironi, kërkoni nga unë!”, kurse ata kërkuan: “Le të blihen nga vendi ynë djelmoshat!” (të cilët në Stamboll do të edukohen e arsimohen për pozita të larta shtetërore e intelektuale). Lutja e tyre është pranuar kurse shumica e tyre janë pranuar dhe më vonë “kanë dalë me nderime të larta dhe pozita të larta, duke u parë të urtë dhe të ditur.”(4) Normalisht ka pasur edhe rezistencë, duke u shmangur e ikur në vende të papërshtatshme për depërtimin e ushtrisë osmane.(5)

Kundërshtarët kanë promovuar disa teza rreth pranimit të Islamit nga ana e popullsisë vendore. Njëra prej këtyre tezave ishte ligji për jeniçerët por kjo tezë edhe pse e pranishme në mesin e disa historianëve, megjithatë nuk mund ta kalojë testin e verifikimit dhe provave historike. Pranimi i Islamit nuk është çështje e interpretimit ideologjik, por i hulumtimeve dhe provave historike, sidomos i defterëve osmanë të kohës. Të dhëna të vlefshme ofrojnë edhe relatorët e ndryshëm katolikë. Por, teza se Islami u pranua shpejt nuk qëndron dhe kjo gjendje mund të përcillet më mirë nga defterët themelorë osmanë e jo të flitet arbitrarisht. Pranimi i Islamit nuk ndodhi as shpejt as me një veprim me shkopin magjik, dhe këtë e dëshmon dorëshkrimi nga viti 1724. Leximi i këtij dokumenti, që daton 250 vjet më vonë pas marrjes së Bosnjës, tregon të kaluarën mjaft qartë.(6)

Është indikative se bogumilët pas ardhjes së osmanlinjve nuk përmendem më. Mbase pozita e vështirë e tyre më herët dhe afërsia doktrinare me Islamin pas ardhjes së osmanlinjve bëri që ata të shkrihen në muslimanë. Bogumilët nuk e adhuronin Marinë, e refuzonin kryqimin dhe çdo lloj priftërizmi. E urrenin kryqin, kurse kërkimi ndihmë nga figurat dhe statujat e shenjtorëve konsiderohej idhujtari. Faltoret e tyre ishin të thjeshta dhe pa dekore. Nuk e preferonin kambanën dhe madje e quanin “bori satanike”. Nuk besonin në kryqimin e Jezuit, e gjykonin alkoolin dhe preferonin jetën aspekte. Këto gjera ndikuan që ata shpejt të përshtaten me fenë islame dhe të pranojnë jetën praktike muslimane.(7)

Edhe pse bogumilët në masë e pranuan Islamin megjithatë pjesëtarët e fesë së vjetër në Bosnjë qëndruan edhe për shumë kohë në besimin e tyre. Diplomati anglez Ricaut, në raportin e tij të vitit 1670 thekson se bogumilët boshnjakë nuk u shkrinë tërësisht në muslimanë. Disa madje, edhe pse publikisht kishin pranuar Islamin, ende vazhdonin ta lexojnë Besëlidhjen e Re. Në një dokument të shekullit XIX, në skematizmin e ipeshkvisë hercegovase të Bakulinit nga viti 1867 ceket se familja e fundit bogumile ka qenë familja Helezh në Duboçan (Kotar Konjic). Kurse prifti Jellaniq cek të dhënën në “De Patarenis Bosnae”, se deri në okupimin austriak të Bosnjës, në Neretvën e Epërme ka pasur 16 familje bogumile.(8) Elemente bogumilizmi të veshura me tradita islame kanë mbetur në popull deri në ditët e sotme, kurse historianët i identifikojnë disa të tilla.(9)

3. Pranimi i Islamit gjatë shekullit XV

Duke u nisur nga teza se bogumilët nuk ishin faktori kryesorë pëe pranimin e Islamit në Bosnjë, duke u nisur edhe nga fakti se bogumilët nuk u shkrinë tërësisht me ardhjen e Islamit në Bosnjë, por se këtu kemi një varg faktorësh. Ndër këta faktorë janë gjendja e vështirë politike e religjioze në Bosnjë para osmanlinjve, dëbimi i tyre më 1459-1460 nga sunduesit boshnjakë etj. Por, këtë tezë e përgënjeshtron edhe regjistrimi osman, të cilët regjistrojnë ekzistimin e krstjanëve dhe trashëgimisë krstjane në gjysmën e dytë të shekullit XV.

As teza e përdorimit të dhunës për të pranuar Islamin nuk është e qëndrueshme, dhe këtë e demanton shfaqja dhe prania e çifligjeve dhe timareve në duart e kristianëve. Njerëzit më kompetentë thonë se osmanlinjtë nuk e imponuan Islamin, por është e vërtetë se ata krijuan kushtet për pranimin e tij dhe përhapjen më tutje.

Përhapja e Islamit vazhdoi me intensitet relativ, në qendra urbane me shpejt e në periferi më ngadalë.(10) Ndër faktorët e suksesit të Islamit përmenden: organizimi i dobët kishtar, ekzistimi i përqendruar i bogumilëve dhe kriptobogumilëve në ato vise dhe ndikimi i muslimanëve të mëhershëm në këto vise.(11) Mirëpo, më vonë pranimi i Islamit ishte intensiv edhe nëpër fshatra dhe kjo shpjegohet jo me privilegjet materiale sa me përmirësimin e statusit shoqëror, përparimit, shkollimit etj. Një numër i madh i njerëzve vendorë arritën poste të larta në hierarkinë osmane, sikurse është Mehmed-pasha Sokolloviqi, i cili përveç familjes së tij, në Islam futi edhe banorët e fshatit të tij etj.(12)

Të gjithë hulumtuesit seriozë të fenomenit të islamizimit me dhunë të popullsisë boshnjake kanë refuzuar një tezë të tillë, por pranojnë se pranimi i Islamit ka qenë një proces i ndërlikuar, i gjatë dhe jo i dhunshëm (përveç ndonjë rasti të izoluar). Sipas tyre as fisnikët nuk e pranuan Islamin vetëm që t’i ruajnë pronat dhe pasuritë e tyre.(13) Kjo ndodhi, sepse zbatohej parimi kur’anor:

“Juve feja juaj, ndërsa neve feja jonë”. (El-Kafirun, 9).

“Në fe nuk ka detyrim.” (El-Bekare, 256).

Historianët kanë analizuar edhe strukturën e moshës së atyre që kanë pranuar Islamin dhe kanë ardhur në përfundim se më së shumti ka të rinj. Pra, gjejmë djalosh me emër të babait jomusliman, por nuk gjejmë baba me emrin e djalit jomusliman. Krahas të pamartuarëve, Islamin e kanë pranuar edhe të martuarit e varfër.(14)

Megjithatë, faktori kryesor në pranimin e Islamit është respektimi korrekt i Kur’anit dhe Sunetit lidhur me të drejtat e feve tjera në shtetin islam, por dhe dokumentet e kohës, sikur edhe Ahd-Nameja e Fatih Sulltan Mehmetit II mbi te drejtat e njeriut. Këtë dokument Sulltani ia dha priftit Angjeo Zvizdoviq, më 1463, si dëshmi për të drejtat dhe liritë fetare për katolikët.(15)

4. Pranimi i Islamit gjatë shekullit XVI

Qytetet, qendrat urbane kanë luajtur rol me rëndësi për përhapjen e Islamit. Qytetet me kulturën dhe qytetërimin material ndikonin drejtpërdrejt në popullsinë rurale. Ballkani nën Perandorinë Osmane pësoi ndryshime të mëdha dhe të thella. Lindën qytete e fshatra të reja ose u ndryshuan qytetet ekzistuese. Ata morën formën orientale-islame, duke ndryshuar dukshëm nga qytetet evropiane.

Rol të rëndësishëm në pranimin e Islamit kanë luajtur edhe vakufet. Me ndërtimin e objekteve të caktuarea, formohej strukturë e re e qytetit. Këtë zakonisht e bënin pashallarët, sanxhak-bejlerët, alimë e personalitete tjera. Në këto objekte njerëzit shkolloheshin, ushqeheshin, kryenin shërbime tjera, që ndikonte edhe në pranimin e Islamit.(16)

Shekulli XVI shënonte një ngritje në pranimin e Islamit, sidomos në Sarajevë, por edhe në qytetet tjera të Bosnjës, si në Vishegrad, Dobrun, Pale, Ollovo etj. Në fillim të shekullit XVII, shumica e vendeve kishin mbi 50% të popullsisë muslimane, si për shembull, në vitin 1604 Studeni me 100% muslimanë, Boraçi me 99%, Ollovo me 92%, Vishegradi me 80% etj.(17)

Në fillim të shekullit XVI popullsia ortodokse në masë të madhe ka pranuar Islamin. Monaku Marko Trebionjac ka shënuar në vitin 1509 sesi shumë ortodoksë kanë braktisur ortodoksinë dhe kanë pranuar Islamin.(18) Përshpejtimi i procesit të pranimit të Islamti ka ndodh sidomos në pjesën e dytë të shekullit XVI.(19)

5. Përfundim

Islami nuk ishte risi në Bosnjë sepse ishte aty edhe më herët, por ai sidomos u bë i pranishëm me ardhjen e osmanlinjve në Ballkan dhe Bosnjë. Përse Islami u pranua masovikisht në Bosnjë e jo edhe te shumë popuj tjerë të Ballkan duhet kërkuar në specifikat e veçanta religjioze në periudhën paraosmane.

Historianët duhet t’i qasen kësaj teme objektivisht, pa paragjykime religjioze e historike, pa ngarkesa ideologjike, çfarë është gjendja në historiografinë jugosllave.

Studimet objektive tregojnë se Bosnja mori konfiguracionin e vet rreth një shekull e gjysmë pas ardhjen e osmanlinjve. Shekulli i XVII, gjysma e parë merret si periudha kur Bosnja mori formën çfarë do ta ketë me shekuj, por jo me dhunë, jo masivisht, por shkallërisht, në paqe e urtësisht, gjë që ndikoi të zgjas shumë breza pranimi i Islamit te shumica.

Burimet osmane por as ato perëndimore nuk kanë të dhëna për çfarëdo detyrimi nga pushteti i asaj kohe. Mendimin tonë po e përfundojmë me mendimin e Mehmed Hanxhiqit, njohës i mirë i këtrye rrethanave:

“Muslimanët boshnjako-hercegovas janë vendorë të vjetër të këtij vendi e jo ardhacakë. Vullnetarisht e kanë lëshuar fenë e vjetër bogumile dhe kanë përqafuar islamin e lartësuar nga shkaqet e justifikueshme. Muslimanët boshnjako-hercegovas e duan atdheun e tyre dhe popullin e tyre dhe për ta luftojnë, ndaj edhe janë patriotë dhe kombëtarë.”

6. LITERATURA

1. Arnold Thomas W., Historia e përhapjes së islamit, Prishtinë, 2004.

2. Boji? Mehmedalija, Historija Bosne i Bošnjaka, Sarajevo, 2008.

3. Filipovi? Nedim, Islamizacija u Bosni i Hercegovini, Tešanj, 2005.

4. Handži? Mehmed, Islamizacija Bosne i Hercegovine: i porijeklo bosansko-hercegova?kih muslimana, Sarajevë, 1940.

5. Ibrahimi Nexhat, Vepra 10, Shkup, 2009.

6. Imamovi? Mustafa, Historija Bošnjaka, Sarajevë, 1997.

7. Malcolm Noel, Povijest Bosne, në: http://www.camo.ch/povijestbih.htm.

8. Malcolm Noel, Povijest Bosne, Zagreb-Sarajevë, 1995.

9. Zlatar Behija, Bosna i Hercegovina u okvirima Osmanskog carstva (1463-1593) në: Bosna i Hercegovina od najstarijih vremena do kraja Drugog svjetskog rata, Sarajevë, 1998.

________________________________________

(1) Mehmed Handzic, Teme iz opce i kulturne historije, libri II, Sarajevë, 1999, fq. 7 e tutje.

(2) Thomas W. Arnold, Historia e përhapjes së islamit, Prishtinë, 2004, fq. 188 e tutje.

(3) M. Handži?, po aty, fq. 29.

(4) Po aty, fq. 29-30.

(5) Shih: M. Imamovi?, Historija Bošnjaka, Sarajevë, 1997, fq. 139.

(6) M. Imamovi?, Historija Bošnjaka, Sarajevë, 1997, fq. 139-140.

(7) Shih: M. Handži?, po aty, fq. 24.

(8) M. Handži?, Islamizacija Bosne i Hercegovine, Sarajevë, 1940., fq. 45.

(9) Thomas W. Arnold, po aty, fq. 188 e tutje.

(10) Shih gjerësisht: Behija Zlatar, BiH u okvirima Osmanskog carstva, Sarajevë, 1998, fq. 111 e tutje.

(11) Noel Malcolm, Povijest Bosne, Zagreb-Sarajevë, 1995, fq. 73 ose: Noel Malcolm, Povijest Bosne,http://www.camo.ch/povijestbih.htm. Behija Zlatar, po aty, fq. 117.

(12) B. Zlatar, BiH u okvirima Osmanskog carstva, Sarajevo, 1998., fq. 117. M. Boji?, Historija Bosne i Bošnjaka, Sarajevo, 2008, fq. 49.

(13) M. Boji?, Historija Bosne i Bošnjaka, Sarajevo, 2008, fq. 47.

(14) N. Filipovi?, Islamizacija u Bosni i Hercegovini, Tešanj, 2005, fq. 103.

(15) Shih dokumentin e përkthyer në gjuhën shqipe: Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, Shkup, 2009, fq. 653-654.

(16) B. Zlatar, „BiH u okvirima Osmanskog carstva”, Sarajevo, 1998, fq. 119-120.

(17) B. Zlatar, „BiH u okvirima Osmanskog carstva”, Sarajevo, 1998, fq. 116-117.

(18) M. Imamovi?, Historija Bošnjaka, Sarajevo, 1997, fq. 148-149.

(19) Ibid., fq. 179.

Nexhat Ibrahimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit