0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Përçudnim – Nga Justinian Topulli

Më të lexuarat


Epoka në të cilën jetojmë ka shpërfytyruar gati shumëçka nga e kaluara e traditës dhe kulturës njerëzore, aq sa edhe ndonjë praktikë dhe traditë e mirënjohur dhe e pakontestueshme e së djeshmes, sot shihet si krim dhe monstruozitet skandaloz. Sigurisht që edhe në të kaluarën ka pasur praktika që edhe pse të njohura dhe të përhapura kanë qenë të dënueshme dhe të papranueshme nga vetë feja dhe tradita e mirë e shoqërive njerëzore, ashtu siç edhe sot ka praktika të reja të dënueshme dhe të papranueshme, por qëllimi këtu është të vëmë në dukje sesa shumë janë transformuar konceptet njerëzore dhe botëkuptimet e tyre aq sa monstruozitetet etike dhe morale të së sotmes shpesh të jenë më të pranueshme sesa ato që njerëzit i shohin si “monstruozitete” të së kaluarës.
Lodhu sa të duash t’ju shpjegosh njerëzve se kjo edhe ajo praktikë lidhet ngushtë me traditën dhe kulturën, por edhe realitetin fizik, mendor dhe social-kulturor të dikurshëm të shoqërisë njerëzore dhe ishte brenda normalitetit të saj, të vendit dhe kohës, por përsëri nën ndikimin e një klime histerike mbytëse moderne dhe postmoderne, mendjet e përçudnuara dhe të shpërfytyruara nga kjo klimë, refuzojnë të kuptojnë dhe pranojnë normalitetin e praktikave për të cilat bëhet shpesh shumë zhurmë sot.
Opinioni shoqëror i shumicës dhe mbizotërues i një kohe ka forcën e kompleksimit të pakicës sa ta bëjë këtë pakicë apo shumicë numerike dhe pakicë kulturore, të ndjehet inferiore dhe në faj, aq sa të detyrohet të mohojë dhe vërë në dyshim edhe burimet e saj më autentike të kulturës së trashëguar të saj. I vetmi preokupim në këtë rast është shfajësimi qoftë edhe përmes mohimit të vetvetes, edhe nëse ky mohim është aq absurd për vetë këtë traditë.
Natyrisht që është më se e pranueshme dhe pjesë e traditës dhe praktikës islame fakti se njerëzve u duhet folur me atë që njohin dhe pranojnë si të mirë, për shkak të ndryshimeve kulturore dhe konceptuale që ka nga një shoqëri në një shoqëri tjetër, por mohimi të vërtetave apo të ndjerit inferior dhe të zënë në faj për gjëra që nuk janë aspak amorale dhe imorale, është një tjetër qasje dhe qëndrim i gabuar dhe vetëshkatërrues për një bashkësi, që pretendon se mbart mesazhin përfundimtar shpëtues të Zotit për njerëzimin.
Epoka kulturore moderne me përmasa globale, në të cilën gjendemi, po shkon gjithmonë e më shumë në shkatërrimin e vlerave dhe kulturës së të kaluarës, madje edhe të vetvetes dhe të parimeve te të cilat ajo besonte. Kështu që, kultura e së kaluarës e shoqërive fetare tradicionale tëhuajsohet gjithmonë e më shumë për njerëzit, aq sa në sytë e sotëm ajo shihet si monstruozitet.
Mirëpo në realitet, mijëra vjet histori njerëzore janë më legjitime dhe më të natyrshme për të gjykuar si përçudnim monstruoz mentalitetin dhe kulturën e sotme të disa dekadave, e që janë afër zeros, para historisë së gjatë të njerëzimit.
Sigurisht që nuk është vetëm historia e gjatë e njerëzimit ajo që e gjykon negativisht mentalitetin e sotëm kulturor si të shpërfytyruar, por edhe mutacioni mendor dhe kulturor i panatyrshëm, i shkaktuar nga inxhinieria dhe industria social-kulturore e sotme, që ashtu si mjedisin fizik, ka ndotur edhe mjedisin kulturor dhe konceptual për jetën njerëzore.
Problemi nuk qëndron te praktikat e gabuara dhe shkarjet e shoqërive të dikurshme tradicionale, sepse ato do të ekzistojnë gjithmonë, si pjesë e natyrshme e dobësisë njerëzore, ashtu siç do të ekzistojë edhe kura për to, por problemi më i madh sot qëndron te transformimi monstruoz rrënjësor që kanë pësuar mentaliteti dhe kultura e shoqërive njerëzore, aq sa kura e vetme për këtë është përmbysja fund e krye dhe një kundër revolucion ndaj vetë modernizmit, si koncept dhe botëkuptim mbi jetën dhe botën, duke nisur që nga ideja se shkenca dhe teknologjia nuk duhet të jenë kurrsesi mjete për ta bërë njeriun të ëndërrojë se mund të bëhet Zot duke manipuluar krijimin dhe natyrën e lindur të tij, por si mjete për të kuptuar madhështinë e Krijuesit dhe për të ruajtur dhe mbrojtur mjedisin fizik dhe shpirtëror të njeriut, përndryshe portat e ferrit tokësor modernizmi ka vite që i ka hapur para vetes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit