-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Për një Ramazan përtej emocioneve – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Është e vërtetë se gjatë Ramazanit besimtarët ndjehen më të ngazëllyer shpirtërisht dhe më të përmbushur emocionalisht. Dhe kjo, jo vetëm përmes agjërimit, që në thelb është një akt adhurimi intim mes njeriut dhe Zotit, por edhe për shkak të klimës festive dhe afërsisë së madhe komunitare që e shoqëron këtë muaj.
Iftaret e përbashkëta, namazi i teravive, namazi i natës, lutjet gjatë vitrit, shpërndarja e ndihmave për nevojtarët, etj. rrisin së tepërmi emocionalitetin e përjetimit të këtij muaji, element ky, që nuk është i pranishëm në muaj të tjerë.
Në fakt, njerëzit në këtë kohë i japin rëndësi më të madhe pikërisht përjetimeve të ndryshme emocionale, qofshin këto edhe shpirtërore, sesa kuptimeve doktrinare dhe atyre që e lidhin me botën e përtejme. Nga kjo mangësi nuk bëjnë përjashtim as shumë prej atyre që agjërojnë në Ramazan.
Ramazani para se të jetë një muaj ngazëllimi emocional, është një akt përulësie, bindjeje dhe nënshtrimi ndaj Krijuesit, është muaji i ripërtëritjes së kuptimeve që na lidhin me besimin, me të vërtetën, me botën tjetër, me vetë Krijuesin. Janë pikërisht këta elementë thelbësorë që e mbajnë lidhur një besimtar me fenë e tij gjatë gjithë kohës, ku feja për të nuk është vetëm përjetim emocional i një muaji, por kauzë dhe rregull i jetës, që mbush çdo qoshe të shpirtit dhe aktivitet jetësor të ditës, brenda dhe jashtë Ramazanit.
Përjetimet emocionale apo shpirtërore, sado të forta të jenë, nëse nuk shoqërohen dhe burojnë nga kuptimet e vërteta besimore, që e lidhin njeriun në vazhdimësi me përtejsinë e Zotit dhe të botës tjetër, mbeten momentale dhe të zhbëshme në çdo moment. Është pikërisht mungesa e përbrendësimit të këtyre kuptimeve, ajo që i bën shumë prej njerëzve të devotshëm sezonalë.
Agjërimi i Ramazanit është mbi të gjitha një akt adhurimi, devocioni, detyre, nënshtrimi, dorëzimi, bindjeje, përulësie dhe shpëtimi, dhe jo thjesht një akt eksitimi emocional dhe shpirtëror, të cilin kërkojmë ta shijojmë maksimalisht. Asnjë adhurim dhe përjetim emocional dhe shpirtëror në Islam nuk ka vlerë, nëse ai zhvishet nga bindjet konceptuale që lidhen me doktrinën dhe normat juridike të tij.
Ruajtja e ekuilibrit mes anës emocionale shpirtërore, asaj mendore doktrinare dhe formale juridike, nuk është opsionale apo fakultative në Islam, por është obligative e pandryshueshme. Kuptimet doktrinare janë themeli i Islamit, normat juridike janë muret anësore kufizues të tij, ndërsa emocionaliteti dhe përshpirtja mbushin hapësirën e brendshme të kësaj ngrehine.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit