5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Për ndjekësit e universitetit të jetës

Më të lexuarat

Nga: Dr. Aid Elkarnij

Për ndjekësit e universitetit të jetës

Të jetosh, do të thotë të dish detyrimet e tua dhe të punosh për realizimin e tyre. Të jetosh për hir të Zotit, është zhvillim, çlirim dhe triumf. Jeta pa njerëz të ligj dhe dështakë, padyshim që do të ishte më e bukur dhe më tërheqëse. Por mos harrojmë, se një nga tiparet e jetës së kësaj bote, janë pikërisht mangësia dhe vdekja. Është e lehtë të jetosh, por është e vështirë të jetosh siç dëshiron. Jeta është një libër, kush i kupton tekstet e tij, jeton i lumtur. E keqja është se injorantët as që e marrin mundin të lexojnë. Jeta është një koshere e cila pret të gjallët dhe flak të vdekurit. Jeta është një konflikt, në të cilin triumfojnë vetëm trimat dhe guximtarët. Sakaq, fati i burracakëve është jeta si të privuar. Jeta është një shans, i cili nuk përsëritet. Nëse e shfrytëzon siç duhet, ke fituar, e në të kundërt të rroftë keqardhja. Jeta nuk është pronë e askujt, pasi i përket Atij që është Një dhe i Vetëm. Askush nuk të privon dot nga lavdia, nëse e kërkon atë. Prandaj, planifiko dhe hidh hapa konkretë, në të kundërt do të pendohesh. Askush nuk ta jep lëmoshë suksesin, pasi atë e duan të gjithë për vete. Kij besim tek vetja dhe mbështetju Zotit. Nëse mbetesh në shkollën e jetës, askush nuk do të pranojë, edhe sikur të zbresin engjëjt si ndërmjetës. E nëse kalon me sukses në universitetin e jetës, burrat më të mëdhenj do të përulen para teje në formë respekti dhe vlerësimi.
Nëse jeta do të ishte vetëm gota të mbushura, shtrate mëndafshi dhe sofra plot e përplot, kafshët do të ndiheshin më të lumtura. Por jeta është arsye që mendon, dorë që punon, laps që shkruan dhe dije që shpik. Në jetë, gjendet një pankartë mbi të cilën shkruhet “Rrezik! Mos u afro!” Burracakët, frikacakët dhe dembelët i qëndrojnë larg, kurse trimat dhe të mençurit, e shkulin fare atë pankartë dhe e hedhin tutje. Jeta nuk është dekoratë nderi, as lavdi që trashëgohet. Ajo është një mozaik që krijohet nga djersët e sakrificës, nga pikat e gjakut të vetëflijimit dhe nga rënkimet e atyre që rropaten. Nëse noton në detin e jetës dhe qëllohesh me tulla nga ziliqarët, kjo do të thotë se ke mbërritur tek pika e lavdisë. Jehona e suksesit të korrur oshtin anembanë, duke lajmëruar ardhjen tënde. Në jetë nuk ka trashëgimi. Nëse yt atë ulet në krye të vendit, dije se njerëzit do të ulin ty në fund të odës. Jeta e mirëpret krahëhapur plakun luftarak, duke flakur tutje të riun dembel. Jeta nuk i mat njerëzit me metër dhe nuk i peshon me kilogramë. Në fakt, në jetë, njerëzit maten sipas mendjes dhe vlerësohen sipas vullnetit. Jeta është një treg i madh, plot kërkesa dhe oferta, aq sa do të japësh edhe do të marrësh. Në jetë, nuk mund të blesh flori duke ofruar drurë. Jeta është një garë, ku gomari nuk e parakalon kurrë kalin.
Nëse jetën e sheh me sy optimisti, aj do të shndërrohet në lulishte plot trëndafila, ujëvara dhe kanarina. E, nëse e sheh me sy pesimisti, ajo të paraqitet rrënojë e vjetër, kala e boshatisur dhe kufomë e dekompozuar. Jeta e lumtur fshihet në ndërgjegjen e gjallë, në shpirtin e dëlirë, në trupin e shëndetshëm dhe në zemër të bindur. Sakaq, jeta e vuajtur është kur njeriu rend pas materies, është kur mendjen e ka bosh nga dijet, shpirtin të ndotur nga gjynahet dhe trupin të mbushur me sëmundje. Prandaj, çliroje veten nga diktatura e pasurisë, idhulli i egos dhe djalli i zilisë! Ji si palma që jep fruta të ëmbël dhe jo si speci djegës që të ndez gojën. Ji si bleta e cila bredh lule më lule në kërkim të pjalmit, me të cilin prodhon mjaltin e dobishëm. Por mos u bëj si miza, e cila me të çelur derën kridhet në papastërti dhe përhap epidemitë.
 
Perktheu: Elmaz Fida
 

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit