2.5 C
Pristina
Friday, December 2, 2022

Mos kërcënoni botën!

Më të lexuarat

Nga: Dr. Aid Elkarnij

Mos kërcënoni botën!

Tek shumë myslimanë kam pikasur një aftësi të çuditshme për ti shpallur armiqësi botës mbarë, si dhe për ti shndërruar miqtë në armiq. Shohim që ligjërimi politik i disa shteteve arabe dhe islame, përmban kërcënime dhe shantazhe të cilat ia adresojnë shteteve të fuqishme. Kjo, ndërkohë që vetë këto shtete janë aq të dobta, saqë nuk u sigurojnë dot kafshatën e bukës popujve të tyre dhe nuk kanë mundur të zhdukin analfabetizmin e popullatës.
Një ditë, teksa po ndiqja kanalin satelitor Alarabia, dëgjova një nga mendimtarët reformatorë iranianë, i cili ironizonte regjimin e vendit të tij duke thënë:”Nuk e di deri ku do të përfundojë lista jonë e vdekjeve! Fillimisht, regjimi filloi të hedhë parulla “Vdekje Amerikës”, mandej shtoi dhe “Vdekje Izraelit”. Për shkak të dyshimeve në politikat e Britanisë, u shtua dhe parulla tjetër “Vdekje Britanisë”. Kur mediat franceze transmetuan të rejat e protestave në Iran, u shtua dhe parulla tjetër “Vdekje Francës”. Nëse Rusia nuk do të vendosë veton e saj kundër sanksioneve ndaj Iranit, shumë shpejt do të shohim dhe një pankartë tjetër “Vdekje Rusisë”. E nesër, ku i dihet, në këtë listë vdekjesh mund të hyjëj dhe Somalia, Burkina Faso dhe  Gana për shkak të marrëdhënieve të mira me Amerikën. E në fund, mund të pikasim ndonjë pankartë ku shkruhet “Vdekje botës”.
Pashi Zotin! Më thoni nëse mendje të tilla të ndritura e nderojnë veten dhe islamin, teksa ngrenë lart flamurin islam! A nuk është islami ai që na fton që armikun ta bëjmë mik dhe jo anasjelltas? Thotë Zoti në Kuran:” Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” (Fussilet, 34)
“Ndoshta Allahu do të lidhë miqësi midis jush dhe atyre me të cilët keni qenë armiq.” (Mumtehine, 7)
Kam parë disa hoxhallarë të cilët mallkojnë dhe luten:”O Zot shkatërroji çifutët dhe ata që ndjekin linjën e tyre! Shkatërroi të krishterët dhe ata që i përkrahin! Shkatërroi adhuruesit e zjarrit dhe ata që i mbështesin! Shkatërroi budistët dhe simpatizantët e tyre, edhe kinezët me fuqinë e tyre!” Atij filloi ti ngushtohej qarku i mallkimeve, saqë filloi të mallkojë sektet dhe fraksionet e ndryshme, duke mos lënë pa cituar vetëm banorët e lagjes.
Një tjetër, filloi me mallkime dhe u lut që Zoti ta shkatërrojë ekonominë perëndimore dhe tu lëshojë sëmundje e epidemi pafund. Por nuk e dinte i shkreti se nëse dëmtohet ekonomia e tyre, është dëmtuar edhe e jona. Nëse sëmuren ata, do të sëmuremi dhe ne, pasi të gjithë jetojmë mbi të njëjtin planet.
Disa të tjerë, mallkimet ua adresojnë të gjithë jomyslimanëve, agresivë qofshin apo paqësorë. Kjo, edhe pse ai që ka shpikur mikrofonin e xhamisë, korrentin, mjetet e shpimit për nxjerrjen e gazit, telefonin, radion, internetin etj… të gjithë kanë qenë dhe janë jomyslimanë. Shumica e tyre as na kanë luftuar dhe as që e kanë pasur ndërmend të na luftojnë. Ata kanë qenë të angazhuar me shpikjet e tyre dhe të kyçur në laboratorët përkatës. Sakaq, ne merremi me thashetheme dhe llafe.
Çfarë është gjithë ky pasion për të bërë armiq gjithë botën?! Ç’është kjo dëshirë për të kërcënuar dynjanë?! Si ta kuptojmë këtë prirje për të mallkuar të tjerët?! E çfarë fitojmë duke zgjuar të fjeturin, ngritur të ulurin dhe ndërgjegjësuar indiferentin, se ne jemi duke ardhur dhe të gatshëm ti shpallim luftë botës?! Mos është kjo linjë islame?! A është kjo e logjikshme?! Në fakt, është vetë idiotësia e mishëruar tek këta persona.
Sot, ne kemi nevojë që ta qetësojmë botën, të shtojmë miqtë dhe të reduktojmë armiqtë, sepse mesazhi ynë është mesazh global. Ai është mesazh paqeje dhe harmonie me mbarë botën. Thotë Zoti në Kuran:” Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.”  (Enbija, 107)
Ka disa persona të mbërthyer gjer në grykë me veshje ushtarake, me kraharor që u vezullon nga dekoratat e argjendta, me supet e ngarkuara me yje dhe grada, që shpërthejnë në ligjërata të zjarra para publikut të uritur dhe të shtypur. Ata u kanosen shteteve të mëdha se kobi dhe gjëma do i ndjekë gjithmonë prej tyre, sakaq, popullata e tij vuan nga çmimet e larta dhe epidemitë. Kurse ata vetë, kurrë nuk e kanë provuar shijen e fitores, në fakt kanë qenë gjithmonë të përulur dhe të përbuzur.
O myslimanë, hoxhallarë, predikues, dijetarë, politikanë, intelektualë dhe shkrimtarë!  U ofroni njerëzve një ligjërim të arsyeshëm dhe logjik, një ligjërim të pjekur dhe të përgjegjshëm, i cili të transmetojë tek njerëzit mesazhin e dhembshurisë, mëshirës dhe paqes. Na mjaftojnë humbjet e njëpasnjëshme që kemi korur gjer tani, na mjaftojnë motot mashtruese, arritjet iluzionare dhe idetë absurde, të cilat nuk u shkojnë përshtat veçse të sëmurëve psiqikë, mendjeve adoleshente dhe të demoralizuarve shpirtërisht. Sheriati ynë bën thirrje për komunikim dhe kontakte me njerëzit e arsyeshëm prej jomyslimanëve, përderisa nuk janë agresivë ndaj nesh. Thotë Zoti në Kuran:”Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. (Mumtehine, 8)
Si është e mundur të jetë kaq i pacipë dhe dritëshkurtër, dikush që i kanoset botës, ndërkohë që e ka të pamundur të jetojë në paqe në vendin e tij?! 
 
Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit