Pentagoni ka thënë se po ndjek një pjesë të një rakete kineze që do të kthehet në atmosferë në ditët e ardhshme në një “hyrje të pakontrolluar”.
Pika e saktë në të cilën raketa do të hyjë në atmosferë do të dihet vetëm brenda “orëve” të rikthimit të saj, tha Komanda Hapësinore e SHBA, një degë e ushtrisë amerikane, në një deklaratë të martën, përcjell Telegrafi.
Bërthama e raketës, e cila u lëshua nga Kina në 29 prill, është parashikuar të kthehet në Tokë “rreth 8 majit”, tha Komanda Hapësinore. Por trajektorja e saj e saktë është ende e paqartë.
Siç ishte raportuar, raketa aktualisht është në orbitë dhe do të bjerë përsëri në Tokë e pakontrolluar.
E astrofizikanti i Harvardit, Jonathan McDowell tha për CNN se raketa po udhëton me 18,000 milje në orë (rreth 300 mijë kilometër në orë), që do të thotë se një ndryshim i vogël në orbitën e saj do të ndryshonte trajektoren e saj në mënyrë të konsiderueshme.
Bazuar në orbitën aktuale të raketës, “mbeturinat” mund të bien deri në veri si New York, Madrid ose Pekin, dhe deri në jug si Kili Jugor dhe Wellington, Zelanda e Re, njoftoi Reuters.
Pjesa më e madhe e raketës ka të ngjarë të digjet gjatë ri-hyrjes, por ekspertët shqetësohen se disa mund të bien përsëri në Tokë.
Megjithëse mund të godasë një zonë të populluar, ka shumë të ngjarë që nuk do të ndodhë. Pjesa më e madhe e sipërfaqes së Tokës është oqean, dhe shumica e tokës së saj është e pabanuar.
Por rreziku nuk është zero.
Herën e fundit një raketë kineze 5B, e ngjashme me atë që u lëshua këtë herë, hyri në atmosferë – dhe mbeturinat thuhet se ranë në ndërtesa në dy fshatra në Bregun e Fildishtë.
Lënia e “mbeturinave” për të hyrë në atmosferë, të pakontrolluara, është “e papranueshme”, vlerëson McDowell për Space News.
“Që nga viti 1990 asgjë mbi 10 tonë nuk është lënë qëllimisht në orbitë për t’u rikthyer pakontrolluar”, tha ai.
Dhe bërthama e raketës mendohet se peshon rreth 21 ton. /Telegrafi/