1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Pentagoni beson se kreu i DEASH-it është gjallë

Më të lexuarat

UASHINGTON (AA) – Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) ka njoftuar se kanë analizuar dhe kanë verifikuar vërtetësinë e audio-regjistrimit që pohohej t’i përkiste kreut të organizatës terroriste DEASH, Abu Bakr al-Bagdadi, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Deskut të Lindjes së Mesme të Pentagonit, Eric Pahon, për AA tha se analizat e audo-regjistrimit tregojnë se Bagdadi ende është gjallë.

“Inteligjenca amerikane vërtetoi se audio-regjistrimi që pohohej t’i përkiste Abu Bakr al-Bagdadit është i vërtetë. Logjikisht, kjo tregon se Bagdadi të paktën ka jetuar deri në kohë të afërt, kur është bërë ky audio-regjistrim”, tha Pahon.

“Ne duam ta dimë vendin e tij më shumë se gjithkush”, shtoi Pahon, duke mos dhënë përgjigje në pyetjet nëse inteligjenca amerikane ka verifikuar se nga ku është marrë audio-regjistrimi.

Zhvillimi në fjalë vjen pasi muajin e kaluar u publikua një audio-regjistrim prej 46 minutash, për të cilin pohohej t’i përkiste Bagdadit. Personi që fliste në regjistrim përmendte disa zhvillime të fundit, duke shkaktuar komente se regjistrimi në fjalë nuk është i vjetër.

Pas kësaj, Pentagoni njoftoi se do të analizojë audio-regjistrimin.

Personi në regjistrim fliste edhe për kërcënimet e Koresë së Veriut ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë dhe për takimet për gjetjen e zgjidhjes së krizës siriane në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, të kryesuara nga Turqia, Irani dhe Rusia.

Personi po ashtu u bënte thirrje pjesëtarëve të organizatës për rritjen e sulmeve terroriste në qytetet perëndimore, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve dhe bombardimeve ndaj DEASH-it.

Më herët, Rusia kishte pohuar se ka vrarë Bagdadin në një sulm në muajin korrik.

Ndërkaq, Organizata për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Siri, duke u bazuar në të dhëna nga burime të DEASH-it, kishte theksuar se kanë verifikuar vdekjen e Bagdadit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit