Shkup, 16 prill 2020 ((MEDIAL)) – Këtë vit kisha do të duhet të përshtatet me rregullat të cilat vlejnë për të gjithë për shkak të pandemisë, ndërsa për qëllim më të lartë – t’i ruajmë jetët dhe shëndetin e njerëzve tanë, kuptohet, përfshirë edhe besimtarët, deklaroi sot presidenti Stevo Pendarovski.
“Besimtarëve të konfesionit ortodoks t’ua uroj festën e madhe ortodokse Ringjallja e Krishtit – Pashkët, të cilën tradicionalisht e shënojmë me shërbim të rregullt në kisha dhe mbledhje me më të afërmit. Këtë vit kisha do të duhet të përshtatet me rregullat të cilat vlejnë për të gjithë. Për shkak të pandemisë, shumë të drejta të gjithë neve na janë marrë ose reduktuar për një periudhë të caktuar kohore, siç është,për shembull, e drejta e lëvizjes së lirë ose e drejta e arsimit të cilat janë garantuar me kushtetutë, por, në këtë periudhë të gjithë ne kemi qëllim më të lartë – t’i ruajmë jetët dhe shëndetin e njerëzve tanë, kuptohet, përshirë edhe besimtarët”, theksoi Pendarovski në fjalimin e tij pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.
Në shtetin tonë të përbashkët, tha, asnjë bashkësi religjioze nuk është mbi të tjerat, asnjë besimtar nuk është më i rëndësishëm se ndonjë ateist dhe anasjelltas.
“Ja për një javë fillon agjërimi i Ramazanit i cili gjithashtu këtë vit për herë të parë do të jetë në gjendje të jashtëzakonshme me të gjitha rregullat dhe kufizimet të cilat vendosen ndaj të gjithë neve. Një gjë duhet ta kemi të qartë – vetëm bashkërisht dhe me respekt maksimal ndaj njëri-tjetrit mund ta tejkalojmë këtë krizë”, porositi Pendarovski.
Ai në një pyetje të gazetarëve sqaroi se masat e Qeverisë vlejnë njëjtë për pjesëtarët e të gjitha konfesioneve.
“Rregullat, dekretet me fuqi ligji të cilat Qeveria i sjell vlejnë për të gjithë, vlejnë për mua, për secilin në shtet. Ato duhet të respektohen pa rezervë”, theksoi shefi i shtetit.
Ai si shembull tregoi se edhe Papa vetë e ka mbajtur meshën e pashkëve për herë të parë në historinë e atij religjioni, ndërsa edhe autoritetet e Arabisë Saudite, e cila është selia e vendeve më të shenjta për Islamin – Meka dhe Medina, të cilat për çdo vit i vizitojnë milionë besimtarë, më 20 mars këtë vit, sollën vendim me të cilin i mbyllën dy vendet më të shenjta për secilin mysliman në botë.
Përkujtoi edhe se udhëheqësia e KOM-it dhe BFI-së në të gjitha deklaratat e tyre publike deri më tani i mbështetën masat e Qeverisë dhe bënë thirrje deri te besimtarët që festat më të mëdha për të dyja religjionet t’i kalojnë në kushte shtëpie ose duke respektuar rekomandimin që të mos ketë më shumë se pesë persona në hapësira të njëjta. fc/