0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Pejgamberi ynë a.s., Modeli i shpresës, i mirësisë, i dashurisë për jetën dhe njeriun

Më të lexuarat

??????????????????????????????????????????????????????????

“Sikur ju të më kërkonit t’ju përshkruaj Muhamedin a.s., nuk do të mundja, sepse sytë e mi asnjëherë nuk u ngopën me dritën e tij.”

Amr ibnul As

Muhamedi a.s. nuk ishte vetëm një i dërguar si shumë të dërguar të tjerë para tij. Ai ishte profeti me të cilin Zoti i dha fund zinxhirit të profetëve. Ai ishte një njeri me të cilin Zoti nderoi dhe gradoi njerëzimin. Nëse drejtësia do të mishërohej dhe merrte formë, ajo do të merrte formën dhe pamjen e Muhamedit a.s. Nëse dëlirësia e shpirtit do të pikasej diku, padyshim do të pikasej në shpirtin e tij. Nëse virtyti do të pikturohej, nuk do të kishte tablo më optimale se ajo e Muhamedit a.s. Po ai ishte njeri, lëvizte në tregje dhe ushqehej si gjithë njerëzit. Ajo që e dallonte nga të tjerët, ishte pikërisht nuri i profecisë me të cilin rrezatonte. Pishtari i mesazhit hyjnor i ndriçonte udhën atij dhe atyre që i besonin. Fjalët e tij ishin të vërteta, veprat të drejta, udha e sigurt. Mëshira ishte bashkë me të kudo që të ishte. Bujaria kishte bujtinë shpirtin e tij. Ai i besonte lehtësimit, feja që përçoi ishte e lehtë, Kur’ani që iu shpall ishte i lehtë, tradita e tij ishte e lehtë, urdhrat dhe ndalesat të lehta. Teksa lexon biografinë e kolosëve të njerëzimit përkrah biografisë së Muhamedit a.s., të gjithë të duken të vegjël përballë tij. Kur lexon lajmet e reformatorëve përkrah lajmeve dhe jetës së tij, të gjithë shndërrohen në nxënës të Muhamedit a.s. Nëse mahnitesh me gjenitë, sapo lexon traditën profetike, të gjithë të tjerët i sheh si studentë të universitetit të Muhamedit a.s. Atë e kanë lavdëruar armiqtë përpara miqve dhe i largëti para të afërtit.

“Se ti (o Muhamed) je me virtyte madhore.” (Kalem, 4)

Profeti Muhamed a.s. robëroi zemrat e njerëzve me dhembshurinë e vet, bashkoi të përçarët me dashurinë e tij, vëllazëroi fiset me urtësinë e tij, luftoi injorancën me dije dhe kështu me lehtësi hoqi qafe vargonjtë e traditave dhe zakoneve të vjetra. Ai u dërgua me fenë e lehtësimit, me besimin e dëlirë, me natyrën e pastër, me rrugën e mesme. Ai përçoi fenë dhe ndërtoi shtetin, falej si imam dhe predikonte fenë e tij. Secili nga shokët e tij rrëfen dashurinë për Profetin a.s. sipas mënyrës së vet. Kushdo që ka biseduar me të, përshkruan ndjenjat dhe emocionet të shoqëruara me lot malli. Kushdo që e ka takuar, ka dëshmuar madhështinë e tij, pavarësisht nëse është pajtuar me të apo jo. Askush nuk mban mend ndonjë shkarje të Profetit a.s., askush nuk i ka regjistruar ndonjë gënjeshtër dhe askush nuk njeh ndonjë lapsus apo gabim të tij. Zoti ia ruajti zemrën të dëlirë, ia pastroi shpirtin, ia ruajti shikimin dhe dëgjimin. Vetë Zoti i Lartësuar e zgjodhi të dërguar për mbarë botët, mësues për të paditurit, model dhe shembull për njerëzimin. Sa më shumë lexon mbi jetën dhe biografinë e tij, aq më shumë të shtohet respekti, vlerësimi dhe nderimi për të. Prandaj ai u shndërrua në njeriun më të preferuar dhe më të dashur për të gjithë. Ai jetoi mes shokëve të tij dhe prej tyre nxori kalifë të drejtë, dijetarë të lidhur me Zotin, interpretues të Kur’anit, predikues oratorë, asketë të devotshëm dhe komandantë legjendarë. Secili nga pasuesit mori një aspekt nga jeta e Profetit a.s., prandaj ata u shndërruan në kolosë të historisë dhe yje të botës.

“Dhe ne të kemi dërguar ty (o Muhamed), si mëshirë për botët.” (Enbija, 107)

Shembull ideal dhe mëshirë për gjithë njerëzimin

Në fytyrën e tij gjithmonë shihej një buzëqeshje, në ballin e tij dallohej një dritë, nga zemra e tij buronte dashuria dhe nga dora e tij rridhte bujaria. Me pak fjalë, ai ishte i bekuar në çdo mënyrë të mundshme. Edhe atëherë kur shpata i qëndronte mbi kokë në formë kërcënimi, ai nuk gënjente. Edhe atëherë kur e joshnin me premtime për thesaret e botës, ai prapë nuk i shkeli premtimet e tij, sepse ishte i zgjedhuri i Zotit, i mbrojtur prej Tij. Ai u dërgua si shembulli ideal dhe mëshirë për gjithë njerëzimin, falës për të tjerët, i cili ua fal shkeljet dhe ua fsheh dobësitë, i cili është i përmbajtur ndaj njerëzve injorantë dhe i mëshirshëm ndaj të varfërve e të dobëtëve.

Dinjiteti i tij arrinte ato grada sa frymëzonte tek të tjerët nderim, dashuri dhe admirim.

Në portretin profetik kishte një përputhje të plotë dhe harmoni mes pamjes fizike dhe botës shpirtërore. Ishin pikërisht virtytet shpirtërore të Profetit a.s. që e renditën dhe e bënë atë më të madhin personalitet të njerëzimit. Në kurmin e tij të pastër bashkoheshin në një vitaliteti, bujaria, ndjeshmëria, drejtësia.

Të tjerët për Profetin e Islamit

“Ah, te ky djalosh zemërmadh me sy të zinj rrëzëllitës dhe shpirt të butë e pranues ndaj çdo elementi të një shoqërie që gjallonte mes egërsisë, kishte vend për të tjera mendime, përtej ambicies. Një njeri madhështor që fliste me heshtje. Ai ishte një nga ata njerëz që nuk mund të sillej ndryshe, vetë Zoti e kishte përzgjedhur të ishte i sinqertë. Ndërsa të tjerët gjallonin mes të rëndomtës dhe thashethemeve, të kënaqur me mjedisin në të cilin jetonin, ky njeri nuk e shikonte veten pjesë të të njëjtit mjedis. Ai ishte i vetmuar me shpirtin e tij dhe realitetin e dukurive që e rrethonin. Misteri i madh i qenies, siç e përmenda edhe më parë, vetëtiu mbi të me frikët dhe shkëlqimin e tij; asnjë fjalë nuk mund ta fshihte faktin e pamohueshëm. – Këtu jam unë!” – ky sinqeritet, siç ne e quajmë, përmban vërtet diçka hyjnore. Vepra e një njeriu të tillë është thirrje e drejtpërdrejtë nga zemra e natyrës. Njerëzit e dëgjojnë atë dhe duhet ta dëgjojnë si asgjë tjetër; gjithçka ndryshe është dredhi e padobishme.”

Thomas Carlyle në librin e tij “Mbi heronjtë dhe heroiken në histori”

 

“Sigurisht që ai trupëzonte dy karakteristikat më të rëndësishme të rendit profetik. Ai pa të vërtetën mbi Zotin, çka bashkëkohësit e tij nuk mund ta shikonin, dhe kishte një prirje të parezistueshme dhe impulsive për ta proklamuar këtë të vërtetë.”

Dr. Marcus Dods në veprën e tij “Muhamedi, Buda dhe Krishti”

 

Do të jenë me të në Parajsë

Theubani r.a. e donte jashtë mase Profetin a.s. dhe nuk mund ta duronte ndarjen prej tij. Një ditë kur iu afrua, fytyrën e kishte shumë të zbehtë dhe dukej shumë i trishtuar. Profeti a.s. e pyeti se si qëndronte puna dhe ai iu përgjigj: “O i dërguari i Allahut, unë nuk kam dhimbje dhe nuk jam i sëmurë, por sa herë që jam larg teje, ndihem tepër i mjeruar derisa arrij të të shoh. Për më tepër, kur kujtoj botën tjetër, unë frikësohem për shkak se ju do të ngjiteni në “Ilijin” pallate madhështore me profetët. Nëse unë hyj në parajsë, do të jem në një nivel më të ulët se ju. Gjithashtu, nëse nuk hyj në parajsë, nuk do të kem kurrë mundësinë të të shoh.” Më pas u shpall ajeti vijues:

“Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilët Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” (Nisa, 69)

Ai është Profeti i të gjithëve

“O njerëz! Zoti juaj është një. Keni një origjinë. Të gjithë jeni bijtë e Ademit a.s. e Ademi është prej balte. Arabi nuk ka epërsi mbi jo-arabin, sikurse jo-arabi mbi arabin; as i bardhi mbi të ziun e as i ziu mbi të bardhin. Vlera e lartë është vetëm në takva (devotshmëri), t’i frikësohesh Allahut.”

Kjo ishte thirrja e Profetit të Islamit a.s. teksa largohej nga kjo botë. Vetëm për umetin u mundua, e para se të nisej pyet: “A e kreva detyrën?”, ku si përgjigje i kthehet një jehonë e thellë e përlotur nga sahabët (shokët): “Po, ja Resulallah!” Pas kësaj, me një qetësi të begatë thotë: “Dëshmo, o Allahu im!”, drejtuar pafundësive.

Ai ishte Profeti i të gjithëve. Ishte përherë në përpjekje për shpëtimin e bijve të Ademit. Po edhe umeti nuk e harroi kurrë. Sa herë që kujtohet ai, zemra e besimtarit dridhet ëmbël me ngazëllim prej butësisë së begatë të qenies së tij.

Redaksia

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit