2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Pasi doktor Ismail Lutolli ra në sexhde, foshnja filloi të rikthehet në jetë!

Më të lexuarat

Nga: Dr. Ismail Lutolli – specialist Pediatër
Subspecialist Dietolog-Nutricionist Subspecialist
Hematolog ; Onkolog

Për mua ajo ditë e shtunë, ishte një ditë e zakonshme në punë. Kisha filluar herët punën dhe kujdestaroja për periudhën 24 orëshe. Ndodhesha kujdestar në Neonatologjinë Intensive. Është repart ku i sjellin të posalindurit me probleme të theksuara apo të lindur parakohe. Është repart i mbushur me të vegjël të cilët vazhdojnë trajtimin dhe ofrimin e kushteve optimale për të vazhduar jetën.

Në pranimin e ndërrimit, ishte rasti i një vajze të vogël, e cila ishte pranuar para pak orësh dhe u referua si rasti më i rëndë dhe gjithashtu si rast që mund të përfundonte me vdekje, për shkak të komplikimeve, lindjes së parakohshme anemisë së theksuar, një gjakderdhjeje të cilin nuk e ndalonin dot. U përcollën në detaje tërë masat e ndërmarra dhe keqësimin që ndodhte nga ora në orë. Nuk ishte më e madhe sesa 28 javësh dhe me peshë afro 1 kg. Ishte komplikuar gjendja e nënës dhe lindja ishte bërë domosdoshmëri.

Lindja kishte ndodhur me operim cezarian. Fëmija ventilohej përmes një ambubaloni me të cilin merrte sasinë e nevojshme të oksigjenit. Derisa vazhdoja kontrollin e fëmijëve nga larg dëgjova një nga motrat kujdestare duke thënë: Shpejtë, shpejtë…..Gjendja e vajzes po vazhdonte keqësimin dhe parametrat e aparatit që e mbante në jetë, tregonin shenja të theksuara keqësimi. Puna e parë që e bëra me shpejtësi, ishte riintubimi i foshnjës, pra vendosja e një tubusi për frymëmarrje artificiale përmes aparatit respirator.

Kisha frikë mos kishim mbyllje të tubusit, pasi saturimi po ulej çdo moment.
I morëm analizat e nevojshme. Ky fëmijë kishte ardhur në jetë nga një lindje urgjente cezariane. Diçka kishte ndodhur në shtatzaninë e nisur dhe ishte urgjente lindja. Gjasat për mbijetesë nuk ishin të mëdha. Në analizat laboratorike, shihej një acidozë e theksuar dhe ishte e domosdoshme të ipen preparate gjaku për ta nxjerrë nga një anemi e thellë, e cila rrezikonte të përfundonte me vdekje.

Shenjat e një foshnjeje 28 javëshe shiheshin qartë
Ishte një foshnje e cila ende nuk ishte përgaditur të vinte në këtë jetë. Sidoqoftë kishte ardhur dhe tani ndodhej në repartin e Neonatologjisë Intensive. Përkundër terapisë së marrë, në çdo orë që kalonte, ndodhte vetëm keqësim i gjendjes së përgjithshme. Në monitor vërehej ulje e saturimit, i cili tani shënonte shifra 90% dhe gjithashtu edhe ulje të pulsit, i cili tregonte për një prognozë jo të mirë.

 

Ora llogariste 23 h të natës
Motra kujdestare më informon se në koridor ndodheshin familjarët e fëmijës. Derisa bëhesha gati të shkoja, ndodhi ajo që i frikësohesha. Alarmi i monitorit buqiste nga zhurma, të gjithë parametrat shkonin drejt fundit. Në tubusin nga i cili vajza e vogël merrte frymë, filloi të rridhte gjak. Kishte një hemoragji nga mushkëritë e cila kishte tërë mundësitë të përfundonte fatalisht.

Aspirimi vazhdonte, por vazhdonte edhe gjakderdhja nga tubusi. Gjendje e tmershme dhe pa shpresë në këtë moshë dhe këto javë lindjeje. Në një moment ndaloj rrahjet e zemrës dhe me shpejtësi të madhe vazhduam reanimimin duke rikthyer punën e zemrës dhe frymëmarrjen. Dukej se për pak minuta gjërat u qetësuan.
Unë por edhe ekipi kujdestar shihnim njëri tjetrin duke lëkundur kokën dhe mjaft të pashpresë. Hemoragjia nga mushkëritë te këta fëmijë, është e vështirë të ndalet dhe nuk ka mekanizëm tjetër përpos atij medikamentoz.

Doktor, familjarët janë duke pritur, përseriti motra…
Kisha harruar se ata ndodheshin jashtë në koridor nga tërë ajo që përjetoja. Në ndërkohë kishin arritur preparatet e gjakut që i kërkuam dhe mënjëherë filluam dhënjen e tyre.
Parametrat në monitor tregonin rënje dhe me tërë masat e ndërmarra nuk po ja dilnim dot. Në RTG e realizuar shiheshin qartë shenjat e një hemoragjie nga mushkëritë.

Dola në koridorin e gjatë dhe atje pashë disa familjarë. U ngritën të gjithë në këmbë. Njëri qante dhe e kuptova se ishte babai. Ishin edhe një grua dhe një burrë tjetër, familjarë të afërt. A është gjallë më pyeti pyetjen e parë. Po është gjallë por gjendja është mjaft e rëndë i’u përgjigja. I spjegova se kemi mjaft komplikime kemi gjakderdhje e cila po vazhdoi do na marrë jetën ia spjegova të gjitha. Nuk jam mjek që shkaktoj pesimizëm por duhej t’ja thoja të gjitha pasi në çdo moment mund të ndërronte jetë dhe prindërit duhej të ishin të informuar. A mund ta shohë më pyeti.

Po, patjetër i thashë.
U bë gati dhe hyri në dhomën ku ndodhej vajza e posalindur. I pa të gjithë aparaturën që e mbante në jetë. I pa preparatet e gjakut që po i merrte. Diçka përshperiste në vete por se dëgjoja dot. Kur ngriti duart, e kuptova se lutej tek Zoti i tij . U largova prapa për ta lënë më të qetë. Nuk vonoi dhe lëshoi duart poshtë dhe më tha – tani po shkoj. Tani po shkoj, po e lë në duart e Zotit doktor….dhe lotët i pikonin.

Derisa bënim hapa drejt daljes, në derën kryesore më tha :
“Doktor këtë fëmijë e pres tani e 15 vite. Kemi provuar me vite e vite dhe kurrë nuk ka ngelur shtatzënë bashkëshortja. Kur humbëm shpresat, ndodhi mrekullia dhe ngeli shtatzënë. Këtë fëmijë e presim pas 15 vite martesë,15 vite lotë, vuajtje, mallë, dëshpërim e shpresë“. Une e di që gjasat për të jetuar janë të pakta, por Zoti mund të bëjë mrekulli dhe lotët i pikonin nga faqet. Ishte një burrë që mbante një mjekërr të zezë dhe lotët ja përshkuan dhe pikonin poshtë.

Më pa në sy dhe më pyeti – A ka pak shpresë se do të jetoj doktor ?! U stepa pak, pasi se prisja pyetjen direkte.
Duke u menduar pak i thash : “Une vetëm ju premtoj se do të bëjmë të gjitha që kemi në dorë për të mbajtur në jetë, por është e saktë se jetën dhe vdekjen nuk i caktojmë ne. Ne do bëjmë punën tonë si mjek“. Më pa edhe një herë dhe më tha : “Të lutem më informo para se të ndërrojë jetë nëse do të keni mundësi“. Ja sqarova se kjo është e vështirë, pasi nëse fillon reanimimi ne nuk e lëmë dot në gjysmë dhe ti lajmërojmë prindërit.

U ndamë dhe u riktheva shpejt tek dhoma ku qëndronte vajza e posalindur.
Më dukej se në veshët e mi ushtonte vetëm një fjalë : ” 15 vite pritje, 15 vite vuajtjeje dhe Zoti na solli këtë vajzë”… Ora llogariste 24 h…..
Isha dërmuar në lodhjen time, më dukej se edhe këmbët nuk më mbanin nga lodhja. Në fundin e koridorit qëndronin ulëset për të pushuar, por ende pa arritur aty filloi alarmi i dhomës ku shtrihej vajza.

Dëgjova zërin e motrës e cila thërriste – shpejtë doktor, shpejtë !
U riktheva shpejtë te dhoma dhe në shikimin e monitorit gjithçka ishte e qartë që gjërat po shkonin drejt fundit, pa pasur mundësi të ndërronim asgjë. Pa u hamendur, fillova reanimimin pasi kishin ndaluar të rrahurat e zemrës. Aplikuam adrenalinë dhe tërë preparatet e nevojshme në këtë rast, por ende nuk morëm rezultat. Vazhdonim reanimimin në zemër e mushkëri pa u ndalur, por pa rezultat.

U desh pak sekonda të shikoja se tërë tubi i frymëmarrjes u mbush me gjak. Ishte shumë e qartë, hemoragjia tani ishte masive. Ngjyra e lëkures së vajzës kishte marrë pamje të mavijosur, të zbehtë. Kishte humbur ngjyra e kuqe.
Aspirimi i gjakderdhjes vazhdonte, por pa pasur asnjë mundësi për ta ndalur gjakderdhjen. Ishim të pashpresë përballë kësja hemoragjie nga trakti respirator. Nga pjesa e Pediatrise Intenzive kishte ardhur edhe mjeku tjeter kujdestar dhe u inkuadrua ne reanimim. Zakonisht kur ka reanimim aktiv, shpejtë mblidhen mjekët kujdestarë dhe vazhdohet me punën.Tre ose katër motra gjithashtu merrnin pjesë në reanimimin që po ndodhte.
Sa kalonin minutat, gjakderdhja bëhej edhe më e madhe dhe shpresa per t’u rikthyer ishte minimale.

Pas më se 20 min reanimim aktiv filluan tonet e zemrës të degjoheshin në monitor .Ishin të pakta jo më shumë sesa 20 në minutë dhe frymëmarrja arrinte një saturim që nuk kalonte as 30 % , kjo ishte e papërballueshme me jetën.
I kishim shterrurr të gjitha mundësitë e terapisë për të ndërprerë gjakderdhjen. Vetëm ndonjë mrekulli mund të shpëtonte nga vdekja e sigurtë.

Nuk zgjati as 5 min dhe e njejta skenë, pushoj zemra dhe rrahjet e saj dhe tubi i frymëmarrjes ishte mbushur me gjak. Në analizën që e realizuam para pak min, tregonte një acidozë të thellë, të papajtueshme me jetën.
Vdekja trokiste dhe nuk kishte as mundësinë më të vogël të shpetonim këtë vajzë.
Vazhduam prapë me reanimimin, të cilit tani po i hubiste çdo kuptim. Vazhduam për 20 min por rezultat nuk kishte fare.

Në një moment mjeku tjetër me të cilin po reanimoja më tha : ” A je duke ditur çfarë jemi duke bërë. Ka mbi 20 min që po e reanimojmë dhe nuk ka asnjë shenjë jete, e kupton se ka humbur aq shumë gjak sa që nuk e përballon dot.Tubi është plot gjak, gjakederdhja po vazhdon” …..!
E shikova por nuk fola asgjë sikur te mos e kisha kuptuar…

Motra tjetër që ishte afër, sikur të më bënte me dije se kjo u bë e tepërt, pasi edhe në bazë të protokollit, kishim kaluar çdo limit që mund të quhej reanimacion më tha : ” Doktor a do ti lajmërosh familjarët dhe filloi të plotesoi dokumentacionin ( ishte fjala për dokumentet pas vdekjes). Kishte kaluar rreth 45 min dhe ndaluam reanimimin dhe e vendosëm përseri në aparatin për frymëmarrje artificiale. Gjithçka kishte marrë fund. Nuk ka moment më të vështirë për një mjek që ndjen në zemër, sesa ndërprerja e reanimimit për shkak të mos suksesit, sepse ndërprerja nënkupton vdekje dhe nuk ka rrugë tjetër. Ngelet vetëm të fiksohet ora e vdekjes.

Vlerat në monitor tregonin saturimin në vlerë 20 -30 % dhe rrahjet e zemrës nuk dukeshin gjëkundi.
Shihja monitorin derisa në krahun tim më tërheqi një dorë e motrës me të cilën punoja.
Doktor të lutem, a do e shënojme kohën e vdekjes? – më pyeti
Jo i thashë, vetëm edhe pak të lutem…Nuk gjeta forcë për të bërë këtë. Më dukej sikur unë vulosja vdekjen dhe në kokë më rikujtohej një fjalë : ” 15 vite pritje, vuajtje e mallë“.

Shikova përreth dhe duket se tani e pashë se në dhomë më nuk kishte as mjek tjetër e as motrat, gjithçka kishte përfunduar. Gjaku shihej në shume pjesë rreth shtratit, dhomë e frikshme, e ftohtë më duhej.
Kisha ngelur vetëm unë i cili si mjek përgjegjes duhej të fikja makinën e frymëmarrjes, pasi gjithçka kishte përfunduar dhe të fillonin motrat të bënin gati trupin e pa jetë të vajzës së vogël.
Ora llogariste 3 e mëngjesit…..

Duhej të lajmëroja edhe familjarët, babain fytyra e të cilit më qëndronte para syve. Edhe fjalët mu kujtuan si për të më rënduar edhe më shumë :” 15 vite pritje,15 vite lot, mallë e shpresë“.
Doktor në sa ora do e shenojmë – më pyeti prapë motra.
Do të kthehem pas pak, i thashë unë, lëre mos e prek të lutem…
Më pa e çuditur dhe nga shikimi i saj kuptoja që donte të më thonte :” Diçka me ty nuk është në rregull “, kishte të drejtë, vërtetë kisha humbur nocionin kohë e arsye.

Kjo vdekje po më rëndonte, nuk doja të humbisja këtë vajzë. Gishtërinjtë e saj të vockël më bënin ta dua pa e njohur. E mora dorën e saj në dorën time, ishte aq e vockël sa humbiste dhe i fola sikur të më dëgjonte :
“Mos u dorëzo se ke Zotin tënd engjulli i vogël“. I’a përqafova gishtërinjtë e vegjël dhe më pikuan lotët.
Më dukej se nuk kisha përjetuar humbje më të madhe ndonjëherë. Gishtërinjtë ishin mavijosur, që tregonte që qarkullimi i gjakut në periferi pothuajse kishte ndaluar. Më dhimbste shpirti, më këputej zemra. Sa doja që të dëgjoja rrahjet e saj të zemrës edhe një herë. Sa doja të hapte sytë edhe një herë, por asnjë shenjë jete.
U nisa me hapa të ngadaltë drejtë pjesës tjetër të repartit dhe dhomës ku kujdestaroja gjatë natës.

Nuk e di përse por kujtova se është pjesa e tretë e natës dhe kujtova një thënje profetike që Zoti nuk refuzon lutjet në pjesën e tretë të natës. Nata ishte e qetë dhe erresirë e heshtje, heshtje varri më dukej. Mora një sexhade që qendronte në dollapin e dhomës ku qëndronim dhe pasi freskova duart e fytyrën me ritualin e të marrurrit abdes, fillova të lutem tek Zoti. Sa afër e ndjeva praninë e Zotit, sa afër e ndjeva mëshiren e Zotit. U përula më kokë në sexhde dhe i thashë Zotit tim:

“Të lutem o Zoti im une e di se fuqia Jote është e madhe, e di se kur Ti do gjithçka ndodhë, e di se mrekullitë janë pjesë e asaj që Ti mundesh, të lutem o Zot mbaje në jetë këtë fëmijë, Të lutem o Zot për hir të 15 viteve vuajtje, mundësoja jetën këtij fëmije“. Të lutem o Zoti im më sjell mrekulli dhe mbaje në jetë këtë fëmijë. Të lutem o Zot mundësoja që prindërit të përballojnë me durim humbjen, dritën e syve të tyre, shpirtin e zemrën e tyre.

Lotët pikonin nga sytë e mi dhe më duket se era e lehtë që fryente dhe përplasej me xhamat e dritares, sikur më këndellte dhe më tregonte se ajo që unë po kërkoja ishte një ëndërr.
Nuk e mbaj mend sa gjatë jam lutur, por e di se në fund u ngrita dhe vazhdova rrugën drejtë vajzës së vogël. Mu duk se nuk u tregova shumë i sinqertë ne lutjet e mia,mbase po kerkoja dic te pamundur …

Në koridor nuk dëgjoja monitorin të buqiste dhe e kuptova se motra e kishte ndalur zërin, por nuk e kishte fikur.
Shkova në dhomë dhe përjetova atë që nuk mund të besoja, përjetova mrekullinë e Zoti im.
Monitori qëndronte qetë, jo pse dikush kishte ndaluar zërin, por pse të gjithë parametrat ishin rikthyer në normë.
Duke mos besuar nl atë që po shihja, u nisa në dhomën tjetër pasi isha i bindur se kisha ngatërruar dhomën dhe pacientin. Fëmijët edhe ashtu si dalloje dot sa të vegjël ishin.

Duke bërë hapa për tek dhoma tjetër, e dëgjova zërin e motrës: “Të lutem mbaroje një herë vajzën dhe të shënojmë orën e saktë të vdekjes, e pastaj merremi me të tjerët “ Këtu e kuptova se nuk e kisha ngatërruar dhomën, por po ndodhte një mrekulli që nuk e kisha përjetuar më parë. Nuk fola asnjë fjalë, nuk kisha forcë dhe nuk po e merrja dot veten. U ula për një moment në koridor në uleset që qëndronin aty. Filluan të më rrjedhin lotët dhe nuk më mbanin këmbët të ofrohem edhe një herë në dhomën e vajzës së vogël.

Kaluan disa çaste dhe u ngrita e fillova të ecja drejtë dhomës përseri. Nuk i besoja vetvetes se nga lodhja edhe mund të dukeshin gjërat më ndryshe. Monitroi tregonte rrahjet e zemrës që po shkonin drejtë stabilizimit, frymëmarrja ishte normalizuar, gjakderdhja kishte pushuar.
O Zot, a është e mundur ?! – pyeta veten…
Ngrita duart dhe thashë – O Zoti im a është emundur ?!!!

Lotët më dhanë përgjigje dhe sytë shihnin e zemra ndjente atë që quhet mrekulli.
Dola në koridor dhe e thirra motrën. Ajo nga larg më tha – shumë mirë pra 3 e 30 min, pra donte ta fiksonte orën e vdekjes. Eja njëherë – i thashë. Nuk vonoi dhe erdhi. U step edhe ajo dhe nuk po i’u besonte syve.
Më shikoi me habi dhe duke belbëzuar më pyeti : “Doktor, doktor…..çfarë i bëre doktor “?!
Nuk i bëra unë asgjë, e riktheu në jetë Ai që e krijoi kur nuk ishte fare, i’u përgjigja unë dhe heshta…

“Mos thuani se mrekullitë nuk ekzistojnë, kur do Zoti, gjithçka është e mundur”… Vrapoi te motrat tjera dhe nuk vonoi në dhomë hyjnë një nga një tërë ekipi dhe kishin humbur fjalët. Nuk fliste njeri, por shikonin njeri tjetrin. Nuk fola as unë, përpos që ngrita duart dhe e falënderova Zotin dhe motrave u thashë vetëm një fjalë : Dola nga dhoma dhe u nisa përseri drejtë dhomës së kujdestarisë. Mu duk se kurrë nuk kam pasur zemër më të zgjeruar e të mbushur nga emocionet. Ora llogariste 5 e mëngjesit dhe nga dritarja dëgjoja thirrjen nga minaret për lutjet e mëngjesit.

Degjoja thirrjen ” Zoti është më i madhi, Zoti është më i madhi “…. Fliste shikimi im flisnin duart e mia të përgjakura flisnin çdo gjymtyrë e imja që ishte deshmitar i kësaj ndodhie, fliste zemra ime dhe thirrja që dëgjoja ishte thirrje që në heshtje e dëshmonte tërë qenja ime. Shkova në dhomë dhe ngrita duart, dhe duke qarë falënderova Zotin tim : O Zoti im të falënderoj që mundësove të mos e humbasë këtë vajzë, të falënderoj që solle mrekulli dhe riktheve në jetë këtë vajzë.Të falënderoj që nuk më solle dhimbjen e humbjes së kësaj vajze, por më ndërrove me lotë gëzimi.

O Zoti im të falënderoj që më bëre të shoh mrekullinë në punën time. Pas dy ore në koridor priste babai i vajzës. E përshendeta dhe nuk dija nga t’ja filloja t’i flisja se çfarë kishte ndodhur. I thashë se vajza ishte afër vdekjes dhe gjendja ishte kritke, por dashti Zoti dhe ne sekondat e fundit u stabilizua. Ai më tha vetëm një fjalë dhe kjo mjaftoi : “E kam ditur se nuk do të më provojë Zoti me humbje pas 15 vite pritjeje“. Lotët i pikonin teksa fliste duke belbëzuar.. Sot kur e mendoj, e di se ajo vajzë nuk ishte rastesi.

Ajo natë dhe ajo vajzë ishin mësimi më i madh për mua dhe punën time si mjek. Kanë kaluar muaj e ca vite ……. Kanë kaluar muaj e ca vite, e unë vazhdoj të përjetojë herë pas herë reanimimin e fëmijëve, por kurrë më nuk jam hamendur, kurrë më nuk jam zbrapsur, kurrë më nuk kam menduar se nuk do t’ja dal. Ky rast e kjo ndodhi ka lënë gjurmë të pashlyera tek unë dhe sa herë kryej një reanimim të fëmijëve në prag vdekjeje them me vete : “Zoti im nuk do të më braktisë, Ai më tregoi se ekziston mrekullia.

Unë do të bëj punën time deri në fund. Me dhjetëra raste pas këtij rasti kam përjetuar rikthimin e jetës pas arrestit kardiak, me dhjetëra raste kam përjetuar fëmijë që në sekondat e fundit rifillonin punën e zemrës dhe sot jetojnë. Zoti më tregoi se duhet përpjekje e nuk ka minuta fikse në reanimim. Të jesh mjek posaçërisht të marrësh pjesë në procese reanimimi, është e vështirë dhe moment më i vështirë është kur ndërpren reanimimin, pasi nuk ka pasur efekt dhe dikton orën e vdekjes dhe fik aparaturën. Nuk ka pergjigje më të vështirë sesa kur motra të pyet orën. Të duket se po vulosë vdekjen e një krijese.

Ajo natë më bindi se për të diktuar orën, duhet durim e përpjekje maksimale, pasi edhe kur asgjë nuk duket në horizont gjithçka mund të ndryshojë në moment. Mjeku është për të ndihmuar, për të dhënë shpresë e për të dhënë nga jeta e tij në ndihmë ndaj të tjerëve.Unë besoj në humanizmin që ska fund, mirësinë që ska fund e dashurinë ndaj krijesës së quajtur njeri. Dhe mos të harroj, unë besoj se mrekullitë edhe pse rrallë ekzistojnë dhe janë shenja nga Zoti për ata që duan të kuptojnë esencën e gjërave.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit