-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Bosnje; një levizje politike (më ndryshe)

Më të lexuarat

Në fillim të qershorit, në Gjykatën Komunale të Sarajevës u regjistrua Partia Popullore Boshnjake VND.

Themeluesit zgjodhën këtë emër (BNS VND) sepse ai që përdorin në rrjetet sociale dhe nën të cilin paraqiten në publik – Lëvizja Politike: Feja, Njerëzit, Shteti – nuk u pranua në Gjykatë.

Kjo u konfirmua nga kryetari dhe themeluesi i partisë, Sanin Musa, ish-ligjërues i Islamit, i cili tha se një parti me emër të tillë nuk mund të regjistrohej, për shkak të “përmendjes së fesë”.

Në profilet e saj në rrjetet sociale, partia e sapoformuar shkruan se në aktivitetet e saj, vendin e parë do ta zërë “e drejta e Zotit”.

Ajo paralajmëroi edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e përgjithshme, më 2022.

Numri i anëtarëve dhe simpatizantëve të saj nuk dihet ende, ndërsa në disa profile në Facebook ku ajo shpërndan përmbajtje, partia ka rreth 20,000 ndjekës.

Nisma për themelimin e partisë erdhi nga Lëvizja Politike: Feja, Njerëzit, Shteti dhe Nisma Hapi Përpara, e cila, mes tjerash, organizoi një protestë kundër komunitetit homoseksual në Sarajevë, në shtator të vitit 2019.

Parimi i ndarjes së fesë dhe politikës
Profesori në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë, Ahmet Alibashiq, thotë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se në rrethanat aktuale në Bosnje e Hercegovinë, një lëvizje e tillë politike është një “rrugë qorre”.

“Në parim, Islami ka dimensionin e tij socio-politik që mund të kontribuojë dhe pasurojë çdo formë të veprimit shoqëror dhe politik, duke sjellë etikë, drejtësi dhe bashkëndjenjë”.

“Problemi është se në këtë moment, mësimet shoqërore islame nuk janë përpunuar për përdorim të drejtpërdrejtë politik në një shoqëri demokratike liberale”, thotë profesori Alibashiq.

Në rrethana të tilla, sipas tij, mund të lindin keqkuptime dhe eksperimente të rrezikshme.

“Secili që nis një projekt të tillë, duhet të jetë i vetëdijshëm për këto paqartësi dhe mangësi. Unë nuk jam i sigurt se, në këtë moment, ne kemi kapacitet për të përpunuar dhe zbatuar paralelisht mendimin politik islamik”, thotë Alibashiq.

Eksperti ligjor, Vehid Shehiq, njëherësh ish-anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Bosnje e Hercegovinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se feja duhet të jetë e ndarë nga politika.

“Bosnje dhe Hercegovina është një shtet demokratik, një shtet në të cilin tre popuj janë të barabartë. Ligjet mbi kishat thonë se është shtet laik dhe duhet të jetë laik”, thotë Shehiq.

Në një vend që dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, sipas tij, është absolutisht e papranueshme që një parti të thotë se do të drejtohet nga ligji fetar.

“Sheriati [ligji fetar] ekziston në disa shtete fetare, por ato shtete nuk kanë shoqëri demokratike. Sheriati i përket Islamit, jo shteteve si Bosnje e Hercegovina. Nuk është në përputhje me Kushtetutën që të ketë një parti që thotë se do të thirret në Sheriat”, thotë Shehiq.

Çfarë përcakton statuti i partisë?
Shehiq shton se është e nevojshme që çdo subjekt politik të miratojë një statut dhe një program pune në përputhje me rregulloret ligjore dhe kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës.

Partia ka pritur regjistrimin zyrtar që nga 29 tetori, 2020, shkruan në Facebook të Lëvizjes Politike: Feja, Njerëzit, Shteti. Një muaj më herët është mbajtur kuvendi themelues i partisë.

Atëbotë, kryetari Sanin Musa u ka thënë të tubuarve se Lëvizja Politike: Feja, Njerëzit, Shteti është “projekt i Ahiretit”. Ahiret në Islam do të thotë bota e përjetshme për besimtarët.

“Ky është një projekt i Dawah [v.j. Dawah – thirrje njerëzve për të përqafuar Islamin]. Përmes tij, duam t’i japim besimin popullit tonë”, ka thënë Musa në shtator të vitit 2020.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një deklaratë nga themeluesit e partisë, por partia ka kërkuar kushte që nuk janë në përputhje me standardet e REL-it.

Edhe pse nuk ka qenë zyrtarisht e regjistruar, lëvizja politike ka qenë aktive që nga vera e vitit 2020 dhe e ka prezantuar veten si parti, duke u bërë thirrje mbështetësve që të organizojnë protesta të ndryshme, me mesazhe dhe rrëfime që flasin për patriotizëm, ruajtje të fesë dhe “shpëtimin e kombit boshnjak”.

A dihet ndonjë gjë për financimin?
Nga Koalicioni nën Lupë në Bosnje, i cili monitoron kulturën dhe proceset zgjedhore, thonë se ende nuk janë të njohur me aktivitetet e lëvizjes, marrë parasysh se, deri më tash, nuk ka qenë e regjistruar si subjekt politik që merr pjesë në zgjedhje.

“Ajo që mund të themi është se një parti, që të regjistrohet, statusi mbi të cilin bëhet regjistrimi, duhet të jetë në përputhje me rendin kushtetues dhe ligjor të Bosnjës, pra në përputhje me të gjitha ligjet në fuqi të këtij shteti. E njëjta gjë vlen edhe për aktivitetet e saj”, thonë nga Koalicioni.

Financimi i partive politike rregullohet me Ligjin për Financimin e Partive Politike në Bosnje e Hercegovinë, i cili përcakton qartë se kush dhe si mund të financojë punën e partive politike.

Ligji, ndër të tjera, thotë se financimi i partive politike është i ndaluar për kompanitë publike, institucionet, administratat, bashkësitë fetare dhe donatorët anonimë.

“Ligji i Bosnje e Hercegovinës për Zgjedhjet, në anën tjetër, e trajton jodetajisht sjelljen e subjekteve politike në fushata zgjedhore, duke thënë se fushata nuk mund të jetë stereotipe ndaj të tjerëve, fyese ose poshtëruese në ndonjë mënyrë”, thotë Koalicioni nën Lupë.

“Islami dhe politika, të lidhen përmes vlerave unversale”
Mbështetësit e lëvizjes përdorin gjeste specifike në paraqitjet publike dhe në tubime – me tre gishta, që, sipas tyre, simbolizojnë tri gjërat më të rëndësishme: fenë, njerëzit dhe shtetin.

Profesori Alibashiq, nga Fakulteti i Shkencave Islame, thotë se në burimet e Islamit ka parime përkatëse për veprime politike, por shumë pak zgjidhje konkrete.

“Në traditën ligjore dhe politike islame, ekziston një korpus i caktuar i ideve politike, por ato janë vetëm një kontekstualizim njerëzor i ayre parimeve për disa kohë antike ose për mjedise që nuk janë të ngjashme me këto të Bosnjës”.

“Andaj, për mua është më udhëzuese që në Bosnje dhe mjedise të ngjashme, Islami dhe politika të lidhen përmes vlerave unversale, që mbrohen edhe me Sheriat: jeta, dinjiteti njerëzor, liria, feja, prona, pasardhësit”, thotë Alibashiq.

Sipas tij, studime të shumta në dhjetë vjetët e fundit tregojnë se shumë vende jomyslimane, të tilla si ato skandinave, kanë arritur të përmbushin synime, të vendosura nga Sheriati, por pa iu referuar atij.

“Unë nuk shoh asnjë arsye që të shpikim sërish rrotën klasike”, thotë Alibashiq.

Çfarë është Islami politik?
Termi Islam politik në përgjithësi i referohet çdo interpretimi të Islamit, që shërben si bazë për identitet dhe veprim politik.

Më saktësisht, ai u referohet lëvizjeve që përfaqësojnë mobilizimin politik modern në emër të Islamit – një trend ky që është shfaqur në fund të shekullit 20, shkruan në librin “Islami politik” të John O. Voll dhe Tamara Sonn.

Sot, vendet e Evropës shpesh kanë në mendje separatizmin islamik kur përmendet shprehja Islami politik.

Franca dhe Austria i prijnë luftës kundër Islamit politik. Qeveritë e tyre janë duke zbatuar programe për të luftuar fenomene të tilla.

Problemi që vendet e shohin në Islamin politik nuk ka të bëjë aq shumë me kërcënimin nga radikalizimi ose terrorizmi, sesa me faktin që grupet, që veprojnë brenda ligjit, përhapin një interpretim të Islamit që krijon ndarje midis myslimanëve dhe jomyslimanëve, duke kontribuar në polarizime dhe duke dëmtuar integrimet, thuht në një raport të gazetës Foreign Policy.

“Evropianët janë të shqetësuar me rritjen e ndikimit të grupeve islamike, që përpiqen t’i inkurajojnë anëtarët e komuniteteve lokale myslimane që të ndahen nga shoqëria e zakonshme – kryesisht përmes predikimit, por edhe përmes formave të ndryshme të presionit shoqëror, frikësimit dhe, herë pas here, dhunës”, shkruan Foreign Policy.

Profesori Alibashiq shpjegon se lidhja e Islamit me aktivitetet shoqërore dhe politike është legjitime brenda kornizës së Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, kur bëhet fjalë për myslimanë demokratë – ashtu siç kanë legjitimitet edhe të krishterët demokratë.

Në anën tjetër, kryetari i partisë së sapoformuar në Bosnje foli ekskluzivisht për termin Islami politik:

“Islami është politik dhe vetëm i tillë”.

“Kështu që nuk mund të jetë apolitik, sepse politika është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës së njeriut – për më tepër, ndoshta më e rëndësishmja,” shkroi Sanin Musa në Facebook, më 24 maj./REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit