4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

PARAPËLQIMI I BOTËS NDAJ AHIRETIT, SËMUNDJA MË E MADHE E EPOKËS SONË

Më të lexuarat

Nëse e doni botën për shkak të fytyrës së saj tërheqëse ndaj dëshirave dhe epsheve tona, atëherë, me vetëdije dhe dëshirë do ta preferoni atë ndaj ahiretit, veçori e cila fatkeqësisht është sëmundja më e madhe e kohës sonë. Sot, bukuritë joshëse të botës ua trullosin kokën shumë njerëzve. Madje edhe ata që duket se besojnë janë të lidhur me botën me gjithë zemër. Ata e adhurojnë këtë botë dhe e parapëlqejnë atë ndaj ahiretit. Vrapojnë pas saj sikur nuk do të vdesin kurrë dhe e kalojnë jetën në ndjekje të ambicieve të tyre të vogla.

Adhurimi i atyre njerëzve që zemrat e të cilëve janë të lidhura ngushtë me këtë botë, nuk shkon kurrë përtej formës. Ndërsa e dimë që në adhurim është e rëndësishme lidhja e zemrës me Allahun. Është lidhja e çmendur e njeriut me Të. Është ta adhurosh me dashuri dhe me emocionin sikur po të del zemra nga vendi. Është që, në lutjet drejtuar Tij, të derdhen rënkimet e zemrës në buzë. Është që të dish se asgjë nuk mund të vendoset para Tij.

Rëndësia e sinqeritetit në adhurim ndaj Allahut

Ashtu siç zhduken yjet në qiell kur dielli lind, po ashtu zhduken bukuritë tërheqëse të botës në sytë e një personi që sinqerisht i drejtohet Allahut. Madje, shpeshherë ndodh që një person i tillë nuk e sheh as veten e tij.

Siç ka thënë edhe Said Nursiu, epoka jonë është epoka e atyre që qëllimisht preferojnë botën ndaj ahiretit dhe fatkeqësisht, halli më i madh edhe i atyre që shkojnë në xhami, edhe i atyre që shkojnë në Qabe edhe i atyre që ngrenë duart në Arafat, është gjithashtu kjo botë. Nëse do ti dëgjonim zërat e tyre gjatë lutjes, do të dëgjoni se kërkesat e tyre shpeshherë përbëhen nga përfitime të kësaj bote. Madje shpeshherë e bëjnë adhurimin dhe robërinë e tyre ndaj Allahut një mjet për përfitime të kësaj bote. Ashtu si thotë edhe  Pejgamberi jonë i dashur se ka shumë njerëz që falin namazin dhe si shpërblim marrin lodhjen dhe pagjumësinë ashtu sic ka shumë njerëz që agjërojnë dhe si shpërblim marrin etjen dhe urinë. Megjithatë, ajo që është thelbësore në adhurim është sinqeriteti. Nëse në adhurimin tonë ndaj Allahut fusim pasurinë, frikën për të ardhmen, familjen, fëmijën, pozitën, gradën, reputacionin etj., do ta ndosimi atë. Por ja që fatkeqësisht, jemi në epokën e adhuruesve të botës dhe është me të vërtetë shumë e vështirë të qëndrosh larg këtij rreziku.

Rreziku i shekullarizimit dhe kurimi i tij

Shikoni se si e portretizon Kurani këtë të vërtetë të epokës sonë:

    “E vërteta është se ju jeni shumë të dhënë pas jetës së pasigurt të kësaj bote. Prandaj e neglizhoni, e injoroni ahiretin”. (Kur’an, 75:20-21)

Sot, nëse ka një sëmundje që është më e rrezikshme se murtaja, lebroza, sida, ajo është sëmundja e vënies së botës në radhë të parë aq sa ndot edhe robërinë, adhurimin ndaj Allahut. Këdo që infekton ky virus, e hedh atë përtokë. Një person i tillë, është e pamundur të mbijetojë. Prandaj dhe duhet ti lutemi shumë Allahut që, përveç të këqijave dhe pengesave të shumë njerëzve të këqinj, besimtarët që Allahu i Madhëruar i ka bërë të suksesshëm në shërbime të rëndësishme të amanetit hyjnor, ti mbrojë nga ky virus i rrezikshëm. Vetëm me lutje dhe me mbrojtjen e Tij mund ti mbijetojmë sëmundjeve të ahir zamanit (kohës).

Një mënyrë e rëndësishme për të mos rënë në vorbullën e dynjasë është të lidhësh zemrën me ëndrrat e larta dhe të mbyllesh në realizimin e atyre idealeve. Në fakt, për ata që kanë si ideal njohjen e njerëzve të të katër anëve të botës me emrin më të bukur njerëzorë, njohjen me Muhamedin a.s, nuk mund të mendohet se e lidhin zemrën e tyre me gjëra më të ulëta. Sepse një ideal i tillë i lartë është më i rëndësishëm se pozitat dhe gradat botërore, apo edhe formimi i qindra perandorive në botë. Një person që dëshiron ahiretin nuk mund t’i japë rëndësi fytyrës së botës sado e bukur dhe tërheqëse të jetë ajo. Ata që i drejtojnë sytë nga Allahu i Madhëruar, shmangin çdo gjë tjetër dhe pushojnë së kërkuari një kible tjetër ku të kthehen përveç Tij. Edhe sikur bota do të qëndronte para tyre me të gjitha bukuritë, shkëlqimin dhe joshjen e saj, ata do ta shihnin atë si diçka të mjegullt, dhe të pistë. Ndoshta nuk do ta shihnin fare.

Ashtu si na e ka shpjeguar edhe i Dërguari i Allahut i cili ka thënë se:

“Sikur dynjaja të kishte vlerë tek Allahu qoftë edhe sa krahu i një mize, Ai nuk do t’ia mundësonte jobesimtari të pinte as edhe një gllënjkë ujë prej saj.” (Tirmidhiu, zuhd 13; Ibn Maxhe, zuhd 3)

Kjo pra është vlera e botës. Një njeri që u dërgua në këtë botë me një potencial të lartë, pse duhet të aspiroi një gjë kaq të thjeshtë! Ai duhet të aspirojë një qëllim të atillë, sa që ta çojë atë në lartësi dhe imagjinata të paarritshme. Ata që ia kanë dhuruar zemrën botës, që ulen e ngrihen duke menduar vetëm për të, i kanë shfrytëzuar të gjitha kapitalet që i përkasin ahiretit për hir të saj dhe kështu janë të destinuar të shkojnë duar bosh për në amshim.

Mënyrat e sfidimit të bukurive joshëse të botës

Ajo që duhet bërë për të mos u mashtruar nga bukuritë tërheqëse të botës është të mbash marrëdhënie të forta me Allahun. Të vendosim në qendër të lutjeve tona, kërkimin e mbrojtjes, mbështetjes dhe ndihmës së Allahut dhe gjithmonë të themi: “O Allah, mbushi zemrat tona me dëshirën për të takuar Ty”. Kurrë nuk duhet të ndalemi së kërkuari që të na shtojë besimin, dorëzimin dhe mbështetjen tek Ai. Por nga ana tjetër ne duhet të jemi koshient se të gjitha këto përpjekje tonat përsëri nuk mjaftojnë që ne ta njohim, ta lavdërojmë, ta falenderojmë dhe ta adhurojmë ashtu si Ai e meriton. Ndoshta këto ndjenjat tona që tregojnë vogëlsinë, dobësinë, mjerimin, paaftësinë dhe cektësinë tonë në adhurim ndaj Tij do të shërbejnë që këtë boshllikun tonë ta mbushi Allahu me mëshirën e Tij ndaj nesh.

Nëse duam të arrijmë mëshirën e Allahut të Madhëruar në ahiret, duhet ta dëshirojmë dhe kërkojmë atë gjithmonë në këtë botë. Pasi të jemi të kompletuar me ndjenja të tilla, bota kurrë nuk do mund të na i imponojë bukuritë e saj sado joshëse të jenë ato për ne. Ne si besimtar i Allahut e përdorim botën si një mjet, si një rrugë, si një korridor për të arritur dhe takuar Allahun. Nëse e shikojmë botën kështu, bota, që në fakt është e pavlerë si qymyri apo pluhuri i dheut të saj, befas do të shndërrohet në rubin, kristal dhe diamante të vlefshme për neve.

Allahu na mundësoftë ti besojmë dhe ta adhurojme Atë ashtu si Ai e meriton të adhurohet.Amin!

Perktheu: Tauland Bica

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit