3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Paralajmërimi për hapjen e Urës së Ibrit dhe (mos)koordinimi me aleatët

Më të lexuarat

Hapja e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë për qarkullim të automjeteve, mund të jetë veprimi i radhës i Qeverisë Kurti i pakoordinuar me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.

Për pasojat e veprimeve të pakoordinuara është paralajmëruar nga Washingtoni kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe të mërkurën, ditën kur serbët në veri të Mitrovicës përmes një proteste kanë kundërshtuar hapjen e urës mbi Ibër.

Pas protestës në veri, kryeministri Kurti, përmes një postimi në Facebook, i ftoi qytetarët e komunitetit serb të veriut të Mitrovicës që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët publik që do të mbahet nga Komuna të enjten (sot) lidhur me hapjen e urës.

Kurti tha se qytetarët aty do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit.

Ai tha se “për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”.

Po të njëjtën ditë, Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, ka paralajmëruar se veprimet e fundit të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës mund të rrezikojnë mundësitë që vendi ka krijuar me ndihmën e ShBA-së.

“Jemi të shqetësuar me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ato i rrezikojnë mundësitë të cilat e ndihmuam Kosovën që t’i krijojë”, tha Miller, shkruan Telegrafi.

Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke folur ditë më parë për rihapjen e Urës së Ibrit për qarkullim, ka thënë se çdo hap dhe veprim duhet të bëhet në kuadër të dialogut të Brukselit.

E, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, në një prononcim për media pas takimit të javës së kaluar me Kurti pati deklaruar se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, nuk e përkrahin asnjë ndërrim të statusit të urës së Ibrit.

“Shtetet e QUINT-it, në konsultim me NATO-n, nuk e përkrahim asnjë ndërrim të statusit të urës se Ibrit”, pati thënë Hovenier.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se çështja e urës së Ibrit nuk duhet assesi të jetë temë e dialogut me Serbinë, duke thënë se kjo do të ishte shkelje e sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.

Osmani i reagoi Bashkimit Evropian, që të enjten javës së kaluar (1 gusht) u shpreh se çështja e hapjes së urës duhet të trajtohet në dialogun në Bruksel me Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk ka çka pyetet “se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”.

Iniciativa për hapjen e urës për automjete u intensifikua javët e fundit nga Qeveria e Kosovës. Për këtë u kontraktua edhe kompania që do të testojë fuqinë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ai i MAPL-së, Elbert Krasniqi, të mërkurën, pas protestës së serbëve, kanë shkuar për të shikuar matjet që po kryhen nga kompania e kontraktuar.

Sveçla në një deklaratë për media ka thënë se ka shkuar për vizitë në veri që të shohë urën mbi lumin Ibër.

“Inspektimi është në dy faza, jemi në proces, po veprojmë sipas planit të cilin ne po e ndajmë me bashkëpunëtorët tanë dhe s’po shoh asgjë të jashtëzakonshme. Çështja është e mbyllur, qysh më 2016. Nuk është çështja e dialogut fare. Është çështje e të drejtës për t’u hapur dhe e një vendimi që është tashmë publik”, ka thënë Sveçla, shkruan Telegrafi.

Kjo urë që e ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe, ishte bllokuar për herë të parë pas luftës në vitin 1999.

Ndonëse ndër vite u arritën marrëveshje e dakordime, u investua në infrastrukturën e saj si dhe u hap për qarkullim të këmbësorëve, ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për automjete.

Vetëm në raportin e BE-së të vitit 2023, për çështjen e urës u shtua fjalia: ”Për çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të ketë pajtim dhe koordinim në dialog”.

Pikërisht në fillim të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kishte marrë një vendim për hapjen e urës.

Ata kishin thënë se vendimin e bazojnë në Marrëveshjen e Brukselit që kishte paraparë hapjen e urës në vitet 2015-2016. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit