Grupi i avokatëve, ndër të cilët edhe avokatët e njohur turq Mehmet Sari dhe Riza Saka, dorëzuan kallëzime penale në prokurorinë në Stamboll kundër së paku 17 personave
STAMBOLL (AA) – Disa avokatë turq kanë ngritur padi penale kundër më shumë personave për shkak të lidhjeve apo ndihmesës ndaj organizatës terroriste FETO, ndërsa në mesin e tyre gjenden edhe senatori i New York-ut Chuck Schummer, prokurori amerikan Preetinder Singh Preet Bharara, dhe ish-drejtori i CIA-s, John Brenan, raporton Anadolu Agency (AA).
Grupi i avokatëve, ndër të cilët edhe avokatët e njohur turq Mehmet Sari dhe Riza Saka, dorëzuan kallëzime penale në prokurorinë në Stamboll kundër së paku 17 personave, për shkak të lidhjeve me FETO-n, organizatën terroriste e cila është përgjegjëse për tentativën për grusht shteti në Turqi më 15 korrik të vitit 2016.
Në padi theksohet se shteti i Turqisë disa herë është përballur me sulme të ndryshme, që fituan një lloj kulminacioni më 15 korrik të vitit të kaluar.
Në mesin e personave të cilët kanë planifikuar, marrë pjesë, mbështetur tentimin e grusht shtetit përmes emetimit televiziv dhe të gjitha platformave të rrjeteve sociale, gjenden edhe përfaqësues të shërbimeve inteligjente, diplomacisë, policisë, ushtrisë, madje edhe institucioneve gjyqësore të vendeve që quhen “aleate”.
Në listën e emrave kundër të cilëve është parashtruar padia penale gjenden senatori New York-ut, Chuck E. Schummer, ish-kryeprokurori për qarkun jugor të New York-ut, Preetinder Singh Preet Bharara, kryetari i atëhershëm i Drejtorisë për kontroll të pronës së huaj (OFAC), David Cohen, ish-drejtori i CIA-s, John Brenan, kryetari i aleancës turko-amerikane, Faruk Taban, avokati Zafer Akin nga Qendra Kulturore Turke, Kemal Oksuz nga Këshilli Turkoaz, përfaqësuesit e Forumit Rumi, Emre Celik, ish-shefat e policisë, Ahmet Sait Yayla, Henry Barkey, Graham E. Fuller, përfaqësuesi Federatës së Mesme-Atlantike Turko-Amerikane, Mahmut Yeter, përfaqësuesi i grupit afarist turko-amerikan, Talha Sarac, Recep Ozkan, Burak Yeneroglu, Ralph Peters.
Avokatët kërkojnë zbardhjen e të gjitha ngjarjeve dhe të hetohen të gjithë pjesëtarët e FETO-s të cilët kanë qenë të infiltruar në Kongrese dhe Parlamente të shteteve “mike dhe aleate”, ndërsa të cilët kanë kryer vepra penale duke i shkaktuar dëm Republikës së Turqisë, presidentit, qeverisë, ushtrisë dhe policisë të këtij shteti.
Theksohet se një grup brenda Drejtorisë për kontroll të pronës së huaj (OFAC) ka qenë pjesë e ndodhive gjatë periudhës 17-25 dhjetor, tentativës për puç më 15 korrik 2016, duke bllokuar me aktivitetet e veta ushtrinë, qeverinë, individët, organizatat, bankat dhe projektet e Republikës së Turqisë.
Ajo që është veçanërisht interesante në padinë penale, është se për bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar për organizatën terroriste FETO, janë përfshirë emra në pozita të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke përfshirë zyrtarë të rëndësishëm, politikanë, punonjës të inteligjencës dhe akademikë.
Si një nga personalitetet më të rëndësishme në këtë listë është senatori i New York-ut, i Partisë Demokratike, Charles Ellis “Chuck” Schummer, për të cilin pohohet se ka pranuar shuma milionëshe nga FETO, dhe se përfaqëson mbrojtësin e FETO-s në skenën politike në SHBA.
Përveç atij, spikat edhe emri i ish-prokurorit të qarkut jugor të New York-ut, Preetinder Singh Preet Bharara, person që gëzon lidhje të ngushta me FETO-n.
Ish-zëvendësi i Departamentit të Financave në SHBA, David Cohen, i cili është emëruar zëvendës drejtor i CIA-s, gjithashtu lidhet me FETO-n, njëherësh është personi i cili ka nisur aksionin financiar kundër Halkbankës.
Për sa u përket shtetasve turq të cilët janë larguar në SHBA, gjendet edhe emri i ish-kreut të policisë turke, Ahmet Sait Layla, i njohur për tekstet dhe fjalimet e tij antiturke. Yayla është në lidhje familjare me terroristin e DHKP-C-së, Safak Yayla i cili vrau prokurorin turk Mehmet Selim Kiraz, në prill të vitit 2015.