Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës që, pas vdekjes së zëvendësministrit Arian Daci, familjes Daci t’i ndahen 15 mijë euro, ka nxitur reagimin e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Deputetja Pacolli, në një postim Facebook, ka shkruar se shteti nuk ndau asgjë për punëtorët që humbën jetën në vendin e tyre të punës.
Ajo ka përmendur edhe familjet që kërkonin para për shërimin e fëmijëve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme.
“Shumë punëtorë për të siguruar bukën për familjet e tyre kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës ku punonin pa asnjë masë sigurie. Shumë prej tyre kanë lënë prapa fëmijë pa përkujdesje e në kushte të rënda sociale. Shteti nuk ndau asgjë për ta. Shumë familje detyrohen të kërkojnë nga të afërmit e qytetarët që sado që munden t’i ndihmojnë për të paguar shërimin e fëmijëve të tyre. Shumë kërkesa bëhen në sheshe të qyteteve, radio, rrjete sociale e televizione. Shteti nuk është askund. Shteti nuk i ndihmon këto familje”, ka shkruar Pacolli në facebook.
Deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se familja Daci duhet t’i refuzojë paratë që Qeveria i ndau pas vdekjes së Arian Dacit.
Sipas Pacollit, shteti duhet të garantojë barazi sociale për të gjithë, e të veprojë pa dallim.
“Sot shteti ndau 15.000 euro për familjen Daci. Vdekja e Arianit është humbje e madhe për familjen Daci por paratë nuk e lehtësojnë dhimbjen e tyre dhe nuk ka nevojë për to. Prandaj familja Daci duhet t’i refuzoj paratë. Shteti i drejtë vepron drejtë për të gjithë qytetarët pa dallim. Shteti social garanton barazi e mirëqenie për të gjithë. Kosova është shtet, por nuk është shtet i së drejtës e as shtet social”, përfundon postimi i Fitore Pacollit.
Ndryshe, Arian Daci humbi jetën të shtunën në Brezovicë në një ortek të borës.
https://www.facebook.com/fitore.pacolli/posts/10216488578539753