-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Osmani: Largimi i gazit rus nga sistemi energjetik i vendeve të BE-së, vendim i duhur dhe strategjik

Më të lexuarat

Presidentja Osmani tha se lufta në Ukrainë pasoi krizën energjetike në Evropë duke thelluar atë akoma më shumë dhe duke vënë përballë pikëpyetjeve të shumta garantimin e sigurisë energjetike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se largimi i gazit rus nga sistemi energjetik i vendeve të Bashkimit Evropian, ka qenë vendimi më i duhur dhe strategjik në situatën e re nëpër të cilën po kalon Evropa pas luftës në Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë me temë “Ditët e energjisë së gjelbër 2022”, ku u diskutua për agjendën e gjelbër bashkë me pjesëmarrës nga rajoni, presidentja Osmani tha se kohët nëpër të cilat është duke kaluar Kosova por edhe rajoni dhe Evropa nuk janë të lehta.

Osmani tha se lufta në Ukrainë pasoi krizën energjetike në Evropë duke thelluar atë akoma më shumë dhe duke vënë përballë pikëpyetjeve të shumta garantimin e sigurisë energjetike.

“Largimi i gazit rus nga sistemi energjetik i vendeve të Bashkimit Evropian është vendimi më i duhur dhe më strategjik i ditëve tona, por, varshmëria e madhe e ndërtuar ndër vite nga gazi rus i disa vendeve të BE-së e sjellë tërë kontinentin në një situatë vendimtare kur duhet të bëjmë zgjidhje të shpejta, të mençura e të cilat po aq sa ndikojnë në ekonomi dhe energji përçojnë edhe mesazh të qartë gjeopolitik’’, theksoi Osmani.

Ajo tha se përderisa Evropës i duhet të gjejë balancin e duhur në mes të zgjidhjeve të shpejta për garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, e paralelisht me këtë të sigurohet që të mos rrezikojë objektivat e dekarbonizimit dhe veprimit klimatik, sfidat në Kosovë por edhe në rajon mbesin po kaq serioze.

Osmani tha se e ardhmja është e gjelbër dhe e qëndrueshme dhe për këtë duhen zgjidhje të shpejta, të guximshme, të mençura e të përballueshme si dhe bashkëpunim rajonal.

Zëvendës/shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, AnnaCarin Platon tha se agjenda e gjelbër është sfidë për Qeverinë, industrinë, shoqërinë civile por edhe vetë BE-në.

Ajo tha se Kosova ka një numër problemesh mjedisore të akumuluara në dekadat e fundit, si rritja e ndërtimeve, ndotja nga automjetet, ngrohja me mënyra që e ndotin ajrin, shkaktojnë nivele të larta të ndotjes të cilat i paguajnë qytetarët kosovarë.

“Ne rekomandojmë fuqishëm që ta çoni përpara implementimin dhe zbatimin e legjislacionit mjedisor si prioritet kyç për adresimin e sfidave të reja mjedisore. Në këtë drejtim është shumë me rëndësi marrja e legjislacionit të BE-së’’, theksoi Platon.

Platon tha se shumë me rëndësi që në këtë çështje është që të rritet vetëdijesimi dhe të investohet në edukimin e gjeneratave të reja.

Gjatë ditës, në këtë konferencë pritet të marrin pjesë ministra të mjedisit nga Kosova, Shqipëria e Mali i Zi, e po ashtu edhe kryetarët e komunave të Prishtinës, Tiranës dhe Sarajevës mbi atë se si të luftohen ndryshimet klimatike në rajon.

“Ditët e energjisë së gjelbër 2022”, është pjesë e projektit “Evropianizimi i agjendës mjedisore të Kosovës”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Qëllimi i projektit është të ndihmojë Kosovën për t’i sjellë politikat mjedisore më afër legjislacionit të BE-së dhe për të forcuar dialogun midis organizatave të shoqërisë civile, mediave, aktivistëve dhe sektorit publik.

Pas nënshkrimit të Deklaratës mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në Sofje më 2020, vendet në rajon janë përkushtuar për një numër veprimesh duke përfshirë edhe instrumente të çmimit të karbonit dhe skema të përkrahjes së energjisë së ripërtëritshme të bazuara në treg, si dhe ndërprerjen e subvencionimit të qymyrit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit