David W. Tschanz
Spitali do të pranoje të gjithë pacientët, burra e gra, derisa të shërohen totalisht. Të gjitha shpenzimet do mbulohen nga spitali, për pacientë vendali apo të ardhur nga larg, për të fortë e të dobët, me status të lartë apo të ulët, të pasur apo të varfër, të punësuar apo të papunë, të verbër apo me shikim, për ata me sëmundje fizike apo mendore, për të arsimuar apo analfabetë. Nuk do ketë kushte për konsiderata dhe pagesa; askush nuk do nënshtrohet, apo qoftë t’i sugjerohet në mënyrë të tërthortë, për shkak të mospagesës. I gjithë shërbimi është për hir të madhërisë së Zotit, Bujarit.
- Dedikimi i bimaristanit (spitalit) të Sulltan Kalaun në Kajro, në vitin 1284.
Qasja moderne perëndimore ndaj shëndetit dhe mjekësisë i ka mjaft borxhe të shkuarës antike: Babilonisë, Egjiptit, Greqisë, Romës, dhe Indisë, për të përmendur vetëm disa prej tyre. Spitali ishte një shpikje njëkohësisht mjekësore dhe sociale, dhe sot është një institucion që ne e marrim për të mirëqenë. Ne shpresojmë që mos të kemi nevojë për spitalin, por jemi mirënjohës që gjendet kur na duhet. Pothuajse kudo në botë sot ne kemi pritshmërinë të gjejmë një spital për të na ndihmuar, për t’u shëruar, apo për të na zbutur dhimbjet në rast sëmundje apo aksidenti.
Kjo rrjedh nga qasja sistematike, shkencore dhe sociale, ndaj kujdesit shëndetësor që u zhvillua në shoqëritë mesjetare islame. Një sërë kalifësh e sulltanësh, dijetarësh e mjekësh morën dije dhe praktika të lashta nga tradita të ndryshme, i shkrinë në punën e tyre kërkimore, për të pasuruar kështu arritjet intelektuale shekullore, dhe duke shtyrë kërkimin drejt përmirësimeve të mëtejshme. Bimaristani i tyre, apo azili i të sëmurve, nuk ishte thjesht paraardhësi i spitalit modern, por ishte njëkohësisht plotësisht i ngjashëm me qendrat shëndetësore dhe arsimore moderne, të cilat ofrojnë një shumëllojshmëri shërbimesh.
Bimaristani shërbeu si qendër trajtimi, kovaleshencë për ata që po rikuperoheshin nga sëmundjet apo aksidentet, si azil psikologjik, apo dhe si azil për të moshuarit e të dobëtit, që nuk kishin familjarë, dhe të cilëve u sigurohej baza e përkujdesjes.
Azil për të sëmurët
Bimaristani ishte vetëm një prej projekteve të rëndësishme që lindi nga investimi i energjisë dhe mendimit mesjetar të civilizimit Islam në zhvillimin e arteve mjekësore. Në krah të spitaleve të mëdha në atë kohë, ashtu si dhe sot, kishte kolegje mjekësore dhe biblioteka, ku mjekët me përvojë u mësonin studentëve se si të aplikonin dijet e fituara, drejtpërdrejtë tek pacientët. Spitalet vendosën provime për studentët dhe lëshonin diploma. Bimaristanet institucionale ishin të dedikuara në promovimin e shëndetit, shërimin e sëmundjeve dhe përhapjen e zhvillimin e dijeve mjekësore.
Spitalet e Para
Edhe pse vendet e dedikuara për të sëmurët kanë ekzistuar që në lashtësi, shumica e tyre ishin të thjeshta, me organizim modest të strukturave të përkujdesjes. Përmirësime progresive vazhduan përgjatë gjithë periudhës helenistike, por këto qendra nuk ishin më shumë se sa vende për t’u strehuar të sëmurët. Në mesjetën e hershme europiane, mendimi dominant filozofik i konsideronte sëmundjet si të mbinatyrshme, dhe rrjedhimisht të pakontrollueshme nga ndërhyrja njerëzore: Kësisoj spitalet nuk ishin më shumë se sa vende ku përkujdesja për të sëmurët behej nga murgjër, të cilët përpiqeshin të shpëtonin shpirtërat, pa ndonjë përpjekje të madhe për të kuruar trupin.
Mjekët muslimanë patën një qasje tërësisht të ndryshme. Të udhëhequr nga thënie të Profetit Muhamed (hadithe) si “Zoti asnjëherë nuk ka shkaktuar një sëmundje pa krijuar edhe kurimin për të”, thënie e përmbledhur nga Buhariu, dhe se “Zoti ka sjellë edhe sëmundjen, edhe shërimin përkatës, Ai ka caktuar një kurim për çdo sëmundje, e prandaj mjekoni veten”, e përmbledhur nga Ebu Darda, nxitën mjekët të synojnë shërimin nëpërmjet mjeteve empirike dhe racionale.
Dizenjimi i spitaleve reflektoi këtë qasje të ndryshme. Në perëndim, shtretërit dhe hapsirat për të sëmurët u vendosën në mënyrë të tillë që të sëmurët të mund të shihnin sakramentet dhe meshat e përditshme. Shpesh pa dekorim, këto hapsira ishin më së shumti të errta, e për shkak të arkitekturës dhe klimës, shpesh kishin lagështi. Në qytetet myslimane, të cilat shpesh përfituan nga një klimë më e thatë dhe e ngrohtë, spitalet u ndërtuan në mënyrë të tillë që të inkurajonin lëvizjen e ajrit dhe të dritës. Kjo qasje mbështeti trajtimin në bazë të humoralizmit, një sistem mjekësor që është i preokupuar me balancën trupore më shumë se sa me balancën shpirtërore.
Dispanceritë e transportueshme
Qendra e parë e njohur islame për mjekim u vendos në një çadër nga Rufajda el-Aslamija gjatë jetës së Profetit Muhamed. Është e njohur se gjatë Betejës së Hendekut ajo mjekoi të plagosurit në një çadër të veçantë të ngritur për ta.
Më vonë sundimtarë të ndryshëm i zhvilluan këto modele në një seri dispancerish të vërteta të transportueshme, të kompletuara me medikamente, ushqim, pije, rroba, mjekë, e farmacistë. Misioni i tyre ishte të adresonin nevojat e zonave të thella, që gjendeshin larg qyteteve të mëdha dhe qendrave të përhershme mjeksore.
Këto u shërbyen edhe vetë sundimtarëve me shërbime të transportueshme. Në fillim të shekullit të 12-të, gjatë mbretërimit selxhuk të Sulltan Muhamed Selxhukut, spitali i transportueshëm u bë kaq masiv saqë duheshin 40 deve për ta transportuar.
Spitalet të përhershme
Spitali i parë musliman ishte thjesht një leprosarium (azil për leprozët) ndërtuar në fillim të shekullit të 8-të në Damask nga kalifi Umajad, Uelid ibn ‘Abd al-Malik. Mjekët e punësuar aty shpërbleheshin me prona të bollshme dhe rroga të mëdha. Pacientët izoloheshin (ishte e njohur që leproza ishte infektuese), por ashtu si edhe të verbërve, atyre u siguroheshin të ardhura për kujdesin e familjeve të tyre.
Spitali i parë i përgjithshëm është dokumentuar në vitin 805, i ndërtuar në Bagdad.
Spitali më i hershëm i dokumentuar u ndërtua një shekull më vonë, në vitin 805, në Bagdad, nga veziri i Kalifit Harun el-Rashid. Pak detaje dihen për të, por fama e mjekëve të oborrit nga familja Bakhtishu, që kishin qenë krerët e akademisë persiane të mjeksisë në Xhundishapur sugjeron se ata luajtën një rol të rëndësishëm.
Në dekadat në vazhdim, 34 spitale u hapën në gjithë botën Islame, dhe numri vazhdoi të rritej për çdo vit. Në Kajrauan, në Tunizinë e sotme, një spital u ndërtua në shekullin e 9-të, e të tjerë u hapën në Mekë dhe Medinë. Kishte shumë të tillë edhe në botën perse: një spital në qytetin e Raj udhëhiqej në atë kohë nga Muhamed ibn Zekerija el-Razi, që kishte lindur dhe ishte edukuar në Bagdad.
Në shekullin e 10-të 5 spitale të tjera u ndërtuan në Bagdad. Më i hershmi nga fundi i shekullit të 9-të nga Al-Mu’tadid, i cili i kërkoi al-Razit që të mbikqyrte ndërtimin dhe veprimtarinë e tij. Si fillim, al-Razi donte të përcaktonte vendin më të volitshëm në qytet: Ai vendosi copa mishi të freskët në lagje të ndryshme dhe kontrolloi se në cilat vende mishi ishte prishur më ngadalë, dhe kështu u përzgjodh vendi i duhur për spitalin. Kur u hap, spitali kishte 25 doktorë, përfshi okulistë, kirurgë, dhe specialistë kockash. Numri i specialiteteve vazhdoi të rritej gjer në vitin 1258, kur Bagdadi u shkatërrua nga mongolët.
Veziri ‘Ali ibn Isa ibn Xharah ibn Thabit i shkroi në fillim të shekullit të 10-të kreut të mjekësisë së Bagdadit për një tjetër grup njerëzish:
“Jam shumë i shqetsuar për të burgosurit. Numri i tyre i madh, dhe kushtet e burgimit e bëjnë të sigurtë që mes tyre do ketë shumë të sëmurë. Prandaj, mendoj që ata duhet të kenë mjekun e tyre, i cili duhet t’i egzaminojë ata çdo ditë, e kur të jetë e nevojshme, t’u japë mjekim dhe barna. Këta doktorë duhet të vizitojnë të gjithë të burgosurit dhe të trajtojnë të sëmurët prej tyre.”
Kjo solli ndërtimin e një spitali të vecantë për të dënuarit, me të tëra pajisjet mjekësore.
Në Egjipt, spitali i parë u ndërtua në vitin 872 në lagjen jug-perëndimore të Fustatit, që tashmë është pjesë e Kajros së vjetër, nga governatori Abasid i Egjiptit, Ahmed ibn Tulun. Është qendra e parë e dokumentuar që siguronte shërbim për sëmundjet e përgjithshme si dhe për sëmundjet mendore. Në shekullin e 12-të, Salaudini themeloi në Kajro spitalin Nasiri, i cili më vonë u tejkalua në përmasa dhe nga rëndësia nga spitali Mansuri, i kompletuar në 1284. Ky vazhdoi të ishte qendra kryesore mjekësore në Kajro deri në shekullin e 15-të, dhe sot, me emrin spitali Kalaun, shërben për Oftamologji.
Në Damask, qysh prej themelimit të vet në shekullin e 12-të e deri në atë të 15-të, spitali Nuri ishte institucioni më i spikatur, që u pasua nga pesë të tjerë në të njëjtën periudhë.
Në Gadishullin Iberik, vetëm Kordova kishte 50 spitale të mëdha. Disa ishin ekskluzivisht për ushtrinë, dhe mjekët atje mbështesnin specialistët që kujdeseshin për kalifët, parinë dhe udhëheqësit ushtarakë.
Në një formë që do ishte familjar edhe sot, spitali tipik islam ishte i ndarë në pavione për sëmundje sistematike, kirurgji, oftamologji, ortopedi, dhe sëmundje mendore. Pavioni i sëmundjeve sistematike ishte pak a shumë ekuivalent i pavionit të sotëm të mjekësisë së brendshme, dhe ishte shpesh i nëndarë më tej në seksione që merreshin me ethet, probleme të tretjes, dhe nëndarje të specializuara. Secili pavion kishte dikë të ngarkuar me përkujdesjen dhe një supervisor, përveç specialistit kryesor.
Spitalet kishin të punësuar inspektorë sanitarë të ngarkuar me detyrën e sigurimit të higjenës dhe pastërtisë. Gjithashtu, kishte llogaritarë dhe administratë që siguronin që kushtet e spitalit të plotësonin standartet financiare dhe të përgjithshme. Kishte një kujdestar të përgjithshëm të quajtur sa’ur të ngarkuar me detyrën e mbikqyrjes së manaxhimit të të gjithë institucionit.
Mjekët punonin me orar të caktuar, gjatë të cilit vizitonin të sëmurët në pavionet e tyre. Çdo spital kishte personelin e vet të farmacistëve të liçensuar (sajdalani) dhe infermierë. Rrogat e mjekëve ishin të caktuara me ligj, dhe kompensimi ishte i tillë që të rekrutonte më të talentuarit.
Financimi i spitaleve islame vinte nga fondacionet bamirëse, apo vakëfet. Sundimtarë e të pasur dhuronin prona ose bimaristane të ndërtuara si vakëfe, si dhe jepnin të ardhurat për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Në mënyrë që të mbështesnin financimin, këto të ardhura mund të vinin nga një kombinim pronash apo dyqanesh, mullinj, apo karvan-saraje, apo dhe pronat e fshatrave të tëra. Vakëfet nganjëherë siguronin edhe një pagesë për pacientin kur behej gati të dilte nga spitali. Për pacientët, shërbimet e spitalit ishin falas, edhe pse nganjeherë mjekë të veçantë mund të faturonin për shërbimin e tyre.
Kujdesi për pacientët
Bimaristanët ishin të hapur për këdo 24 orë në ditë. Disa ishin vetëm për burra, e të tjerë, me personel femëror, kujdeseshin vetëm për femra; kishte të tjerë për burra e gra në pavione të ndara me pajisje e burime të duplikuara. Për rastet më pak serioze, mjekët i adresonin në klinikën e spitalit për të sëmurë që nuk kanë nevojë për shtrim, duke u dhënë mjekim që mund të merrej në shtëpi.
Masa të veçanta merreshin për të evituar infeksionet. Pacientëve të shtruar u jepeshin rroba në spital nga furnizimi qendror, ndërsa rrobat e tyre magazinoheshin. Në pavione, pacientët gjenin shtretër me çarçafë të pastër e dyshekë të përgatitur. Sallat dhe dhomat e spitaleve ishin të organizuara, me dritë natyrale dhe ujë të rrjedhshëm.
Inspektorët vlerësonin pastërtinë e spitaleve dhe dhomave çdo ditë. Sundimtarët lokalë bënin shpesh vizita personale për t’u siguruar që të sëmurëve po u sigurohej kujdesi i nevojshmë.
Mjekimi nga doktorët fillonte menjëherë sapo pacientët shtroheshin, dhe u caktohej dietë në varësi të gjendjes dhe sëmundjes. Cilësia e ushqimit ishte e lartë, dhe përfshinte pulë, mish viçi, qingji, fruta dhe zarzavate.
Kriteri kryesor për shërim ishte aftësia e pacientit për të ngrënë e tretur njëherazi sasinë e bukës që konsumohet nga një person i shëndetshëm, sëbashtu me mish të pjekur apo mish shpendi. Nëse pacientët do mundeshin ta merrnin dhe tresnin ushqimin pa problem, konsideroheshin të shëruar e mund të dilnin nga spitali. Pacientët e shëruar por ende të dobët transferoheshin në kovaleshencë, dersa të ishin mjaftueshëm të shëndetshëm për t’u kthyer në shtëpi. Pacientëve nevojtarë u jepeshin rroba të reja, sëbashku me një shumë në të holla për t’i ndihmuar në rikthimin e jetës normale.
Këtu gjendet përkthimi i letrës së një të riu francez shkruar nga spitali i Kordovas në shekullin e 10-të:
“Ke përmendur në letrën tënde të kaluar se do më dërgosh para për të mbuluar shpenzimet e mia mjeksore. Nuk më duhen sepse mjekimi në këtë spital islam është falas. Ka edhe diçka tjetër në këtë spital. Ky spital u jep edhe një palë tesha të reja dhe 5 dinarë çdo pacienti të shëruar, që të mos i nevojitet të punojë gjatë perjudhës së shplodhjes dhe rikuperimit.
I dashur baba, nëse ke dëshirë të më vizitosh, do më gjesh në pavionin e kirurgjisë dhe trajtimit të kyçeve. Kur hyn në portën kryesore, shko tek salla jugore ku do të gjesh pavionin e ndihmës së parë dhe pavionin e diagnostikimit të sëmundjeve, e më pas do të gjesh pavionin e artritit. Ngjitur me dhomën time do të gjesh bibliotekën dhe një sallë ku mblidhen doktorët për të dëgjuar leksionet; kjo shërben edhe si sallë leximi. Pavioni i gjinekologjisë është në anën tjetër të oborrit të spitalit. Burrat nuk lejohen të hyjnë. Në të djathtë të oborrit gjendet një sallë e madhe për të shëruarit. Në këtë vend ata kalojnë disa ditë në kavalishencë. Kjo sallë ka një bibliotekë të vetën si dhe instrumenta muzikorë.
I dashur baba, çdo vend në këtë spital është tejet i pastër; shtretërit e jastëkët janë mbuluar me shtrojë të çmuar Damasku. Mbulesat janë bërë me copë të butë. Të gjitha dhomat në këtë spital kanë ujë të pastër. Uji dërgohet nëpër dhoma me tuba të lidhura me një çesëm; jo vetëm kaq, por çdo dhomë ka edhe sobë për ngrohje. Sa për ushqimin, pulë dhe zarzavate shërbehen përherë aq sa disa të sëmurë nuk duan të ikin nga spitali, nga dëshira për ushqimin e shijshëm.”
Mjeku dhe udhëtari i shekullit të 13të, ‘Abd al-Latif al-Baghdadi, i cili dha mësim në Damask, tregon një histori të habitshme për një djalë pers çapkën, i cili u tundua nga ushqimi i shkëlqyer dhe shërbimi në spitalin Nuri, e kësisoj u shtir si i sëmurë. Mjeku që e vizitoi e kuptoi këtë, por gjithsesi e pranoi, duke i siguruar ushqim për tre ditë. Në ditën e katërt, mjeku shkoi te pacienti i tij dhe i tha me buzëqeshje, “Mikëpritja tradicionale arabe zgjat tre ditë, tani shko në shtëpi!”
Cilësia e përkujdesjes kontrollohej e vlerësohej, siç është dokumentuar nga Ibn el-Ukhuva në librin ‘Ma’alem al-Kurba fi Talab al-Hisba’ (Cilësitë e Marrëdhënies në el-Hisba):
“Nëse pacienti shërohet, mjeku paguhet. Nëse pacienti vdes, prindërit shkojnë tek kryemjeku dhe i paraqesin recetat e dhëna nga mjeku. Nëse kryemjeku gjykon se mjeku kreu punën e tij më së miri dhe pa neglizhencë, u thotë prindërve që vdekja ishte natyrale; në të kundërt, u thotë atyre: merrni pagesën për gjakun e të afërmit tuaj nga mjeku; ai e vrau me shërbimin e tij të dobët dhe me neglizhencë. Në këtë mënyrë të nderuar, ata sigurojnë që mjeksia praktikohet nga mjekë të trajnuar dhe me eksperiencë.”
Përveç spitaleve të përhershme, qytetet dhe qendrat e mëdha të banuara kishin qendra mjekimi primar dhe akut. Ato gjendeshin zakonisht në zona të dendura urbane si pranë xhamive të mëdha. Makrizi e përshkruan Kajron kështu:
“Kur Ibn Tulun ndërtoi xhaminë e tij të famshme në Egjipt, në një krah kishte një vend për larjen e abdesit, një dispanceri, si dhe anekse. Dispanceria ishte e pajisur mirë, me mjekime dhe personel. Të premteve kishte një mjek në detyrë, që të mund të ndihmonte menjëherë nëse kishte të dëmtuar nga grumbullimet e mëdha.”
Kolegjet Mjeksore dhe Libraritë
Meqënëse një nga rolet kryesore të spitaleve ishte trajnimi i mjekëve, çdo spital kishte një amfiteatër të madh për leksione, si dhe mjekë me eksperiencë dhe zyrtarë të ngarkuar me probleme shëndetsore, të cilët takoheshin për të diskutuar problemet mjekësore në stil seminari. Me avancimin e trajnimit, studentët e mjekësisë shoqëronin mjekët në pavione dhe mernin pjesë në përkujdesjen e pacientëve – ngjashëm me programet moderne të stazhit.
Tekstet që na kanë mbërritur gjer më sot, si ato të Ibn Abi Usajbi’aht ‘Uyun al-anba’ fi tabaqat al-atibb’ (Burimet e Informatcionit Rreth Kategorive të Mjekëve), ashtu si dhe shënimet e studentëve, zbulojnë detaje të këtyre vizitave klinike. Gjenden aty instruksione rreth dietave, dhe formula për trajtime të zakonshme, përfshi sëmundje të lëkurës, tumore, dhe ethe. Gjatë vizitave, studentëve u thuhej të egzaminonin veprimet e pacientëve, jashtqitjen, natyrën dhe vendndodhjen e enjtjeve apo dhimbjeve. Studentëve u mësohej gjithashtu të vërenin ngjyrën dhe ndjeshmërinë e lëkurës, nxehtësinë, ftohjen, hidratimin, dhe densitetin.
Trajnimi kulmonte me një provim për liçensën për të praktikuar mjeksi. Kandidatëve u duhej të dilnin përpara një kreu zyrtar mjeksor të caktuar nga qeveria vendore. Hapi i parë kërkonte shkrimin e një eseje rreth subjektit në fushën ku kandidati kërkonte të merrte çertifikatën. Eseja mund të ishte origjinale, dhe e bazuar në punë të re kërkimore, ose komentar i një teksti ekzistent, si ato të Hipokratit, Galenit dhe pas shekullit të 11të, të Ibn Sinës etj.
Kandidatët inkurajoheshin që jo vetëm të studionin këto punime më të hershme, por edhe t’i analizonin ato për gabime të mundshme. Ky theksim në empirizëm dhe observim, në kundërshti me pasimin e verbër ndaj autoriteteve të fushës, ishte një nga çelsat e bazës së motorrit intelektual islamik. Pas mbarimit të esesë, kandidatët intervistoheshin gjatë nga zyrtari i ngarkuar mjekësor, i cili i pyeste rreth problemeve relevante të specialitetit. Përgjigjet e kënaqshme rezultonin në liçensën për të praktikuar mjekësi.
Një tjetër aspekt kyç për spitalin, me rëndësi kritike për studentët dhe mësuesit, ishte prezenca e bibliotekave të mëdha mjekësore. Në shekullin e 14-të, spitali Ibn Tulun në Egjipt kishte një bibliotekë prej 100 000 librash të degëve të ndryshme të shkencave mjekësore. Kjo ishte në një kohë kur biblioteka më e madhe e Europës, në Universitetin e Parisit, kishte vetëm 400 volume.
Bimaristanet janë vatra islamike të prototipit të spitalit të sotëm, dhe përbëjnë një ndër arritjet e shumta intelektuale të botës islame në mesjetë. Sidoqoftë, kur ndodhemi përpara sëmundjeve, apo gjymtimeve nuk ka trashigimi më domethënëse se bimaristanet.
*Marrë nga www.armacoworld.com