Analisti maqedonas Sasho Ordanoski, në një intervistë për “Koha Ditore”, ka thënë se rreziku i vërtetë i Maqedonisë nuk i vjen nga Platforma Shqiptare por nga mafia.
“Platforma Shqiptare nuk është arsyeja pse presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, po refuzon t’ia japë mandatin për krijimin e qeverisë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev”, ka thënë ai.
Sipas Ordanoskit, në Maqedoni nuk flitet se kush e ka shumicën, por për mafian politike, e cila është duke luftuar për ekzistencën e vet.
Ordanoski, i cili ka qenë ish-kryeredaktor në televizionin publik RTVM, si dhe drejtor menaxhues në “Alsat-M”, ka shtruar pyetjen se pse BDI-ja nuk ia kërkoi gjuhën shqipe Gruevskit gjatë këtyre viteve sa ishin në bashkëqeverisje.
Megjithatë, ai nuk e sheh platformën e shqiptarëve si argument real për ta “thyer” kushtetutën, duke mos ia dhënë mandatin Zaevit.
“Neni i kushtetutës është shumë i qartë, ai e obligon presidentin që shumicës t’ia japë mandatin. Nuk ka këtu ‘dua apo nuk dua’”, ka thënë Ordanoski.
“VMRO-ja ka humbur çdo të drejtë për të qeverisur me shqiptarët”
KD: Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, refuzoi t’ia japë mandatin për themelimin e qeverisë Zoran Zaevit me arsyetimin se ai ka pranuar platformën e hartuar në Shqipëri për shqiptarët, ku kërkesë kryesore është që gjuha shqipe të bëhet gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet administrative. A rrezikohet vërtet Maqedonia nga Platforma Shqiptare?
Ordanoski: Maqedonia është një shoqëri multietnike dhe Maqedonia është udhëhequr nga një qeveri shumetnike në këto 20 vitet e fundit.
Rrjedhimisht për cilëndo parti politike maqedonase është me rëndësi të shikojë se cilat janë nevojat dhe kërkesat e faktorit politik shqiptar.
Kështu që Platforma duhet të trajtohet si diçka për të cilën me unanimitet e kanë kërkuar partitë politike shqiptare.