16.8 C
Pristina
Tuesday, May 21, 2024

Shtetasit turq protestuan në Sarajevë: Ngjarjet në Holandë të papranueshme

Më të lexuarat

Në Bash Çarshi dhe para Ambasadës së Holandës në Sarajevë shtetasit e Turqisë që jetojnë në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) organizuan demonstrata për shkak të mos lejimit të djeshëm të ministrave turq të takohen dhe të mbajnë fjalime në Holandë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori turk në BeH Haldun Koc në Bash Çarshi tha se janë mbledhur për t’u solidarizuar dhe për të treguar unitetin e Turqisë.

“Qëllimi ynë është që të tregojnë për demokracinë. Ajo që ne përjetuam më 15 korrik tregoi se Turqia është unike dhe së bashku ne e mposhtëm atë. Ajo çfarë ndodhi dje në Holandë është diçka që nuk mund të pranohet”, ka thënë Koc.

Ai shtoi se turqit me popullin e Holandës gjithmonë kanë jetuar në paqe dhe se kjo do të vazhdojë.

“Popujt turq dhe holandez gjithmonë kanë jetuar në miqësi dhe paqe. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen, por vendimet që autoritetet holandeze kanë marrë dje janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, demokracinë, vlerat njerëzore …”, ka thënë Koc.

Ambasadori turk shtoi se ishin mbledhur për të shprehur pikëllimin me të cilën ata panë lajmin mbrëmë në lidhje me ngjarjet në Holandë.

“Unë jam i sigurt se këto ngjarje janë të papranueshme edhe për popullin e atij vendi dhe se kritikojnë këto zhvillime. Unë shpresoj se diçka e tillë nuk do të ndodhë përsëri”, tha Koc.

Protestat u mbështetën edhe nga dhjetëra studentë nga Turqia të cilët janë mbledhur në Bash Çarshi dhe para Ambasadës së Holandës, në lagjen sarajevase Gërbavica. Ata hidhnin slogane “Holanda fashiste”, “Holandë, mos provoko durimin tonë”…

Në protesta mori pjesë edhe Adel Shabanoviç, i cili i mbijetoi gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995. Ai mbështeti demonstruesit dhe tha se ishte shokuar kur pa fotot e qytetarëve turq që ndaj të cilëve u lëshuan qentë e policisë.

Sipas tij, Holanda është vendi i fundit i cili mund të flasë për njerëzimin, të drejtat dhe demokracinë.

Autoritetet holandeze penguan Ministrin e Jashtëm të Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministren e politikave sociale dhe familjes Fatma Betul Sayan Kaya që të vizitojnë misionet diplomatike të Turqisë në këtë vend dhe të takohen me komunitetin turk në Holandë.

Nën përcjelljen e policisë ministrja Kaya është kthyer në Gjermani prej ku në mëngjes është kthyer në Turqi.

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka dënuar pengimin e vizitave dhe ka kërkuar që ambasadori holandez në atë vend, i cili është aktualisht në pushime, për një kohë të mos kthehet në detyrë në Ankara. Ambasada dhe Konsullata e Holandës në Ankara janë mbyllur për shkaqe sigurie.

Policia holandeze ndërkohë me përdorimin e forcës ka shpërndarë qytetarët e tubuar të cilët kanë protestuar kundër ndalimit të makinës së ministres Kaya, por se protestat kanë vazhduar në rrugët e Roterdamit.

Një numër i madh i qytetarëve janë mbledhur para përfaqësive diplomatike të Holandës në Ankara dhe Stamboll për të protestuar për shkak të pengimit të vizitës së zyrtarëve turq në atë vend./AA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit