3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

“O Njerëzit e Zotit..!”, thirrja e urtë e Hafiz Sheuqet Boriçit… (2)

Më të lexuarat

Hytbeja mbi vlerën e punës dhe zhvillimit të dhuntive të Zotit në jetë, mbajtur nga Hafiz Sheuqet Boriçi, këtu e 76 vite më parë, është në të vërtetë një thirrje e lashtë shekullore, që buron nga thellësia e Kur’anit Famëlartë. I njëjti Kur’an, me anën e të cilit, Hz. Muhammedi (a.s), në 23 vite, arriti të bashkonte krejt arabët dhe t’i kthente nga injoranca e ishujtarisë, drejt kërkimit të diturive, zhvillimit të tregëtisë, disiplinës në jetë, ndërtimit të një shteti, ku drejtësia, rendi, mirëqenia, mbrojtja dhe respektimi i të drejtave individuale e kolektive, ishin të shenjta!

Hytbeja mbi vlerën e punës dhe përfitimit nga “dhuratat e mirësitë e Zotit”, është në thelb të saj thirrje qytetëruese, që nxit muslimanët e çdo kohe për të jetuar me dinjitet e krenari, duke zhvilluar ekonominë dhe duke ndërtuar vizionet e tyre, edhe nëpërmjet forcës ekonomike dhe perfeksionimit të zanateve, tregëtisë, industrisë etj.

Pjesën e dytë të këtyre shënimeve mbi hytben e Hafiz Sheuqet Boriçit, do ta nis me një moment kulminant nga kjo hytbe, ku Hoxha i nderuar, ndër të tjera udhëzon:

[“(E din) që të tjerë çajnë e përshkojnë tokën për me kërkuë prej dhuratës së Zotit…” – (Kur’ani, El-Muzzemmil: 20)… Zoti qoftë lavduë…, tue urdhënuë edhe të shëtitunit e t’udhëtuëmit mbi tokë për me kërkuë të mirën, me këtë mënyrë; Ai urdhënon, qoftë lavduë: “E kur të kryhet namazi, shpërndahuni mbi dheun dhe lypni prej dhuratës së Zotit” – (Kur’ani, El-Xhumua: 10).

Nji kështu Zoti e bân të ligjëshme për besnikët, me anën e këtyne versetevet, për me u shpërndaë mbi tokë dhe me kërkuë prej dhuratës së Tij.

Dhurata e mirësia e Tij nuk shkurtohet vetëm tue bâ tregëtië, por përmbledh edhe bujqësinë, industrinë, dituritë, artet dhe çdo gjâ tjetër, qi me të vërtetë mund të numurohet prej dhuratavet hyjnore. Dhe këtë mënyrë Zoti, qoftë lavduë, e bân të lejuëshme për muslimanët me marrë prej popujve të tjerë, në qoftë se nuk i kanë vetë, industritë, bujqësitë, artet, dituritë etj.

Prâ, o Njerëzit e Zotit! Kushdo qi mvesh petkat e moralevet dhe vetijavet (cilësive -M.S.-) Islame, fitoj dhe lumnohet dhe ai që largohet prej Udhës së Islamit, errësohet dhe rrënohet.

Nuk ka morale dhe urtësina mâ të mira veçse atyne, të cilat na i dha ne Islami, dhe s’ka të mirë mâ të plotë veç asaj, qi na pruri H. Muhammedi, paqi dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi Tê.

Dhe nji prej të miravet Islame, për të cilat na ka shtyë Profeti, A.S., për me i dashtë e me i dëshiruë, âsht edhe kjo që ne duhet të merremi me atë punë, me të cilën të mundemi me mprojtë jetën t’onë si dhe jetën e atyre për të cilët jemi të detyruëm me i mbajtë e me harxhuë për ‘ta.

Le të përpiqemi, prâ, me kambëngulje e pa prâ për me përfituë e me mbërri lumtërinë në jetën e kësaj bote (dhe mandej edhe për tjetrën) dhe të mos bâhemi parazitë e mërzi e të tjerëvet!” – (Revista “Kultura Islame”, viti 1, fruer-mars, 1940-XVIII, (Muh.-Safer, 1358), nr. 6-7, f. 267-268 e në vijim)

Prandaj, zgjohuni, o muslimanë, mësoni nga të Urtët tuaj, shfrytëzojeni kohën, perfeksiononi dituritë, zhvillojeni ekonominë e mos u bëni bisht i një shoqërie, që tërhiqet ditë pas dite drejt greminave të afetarizmit, idhujtarisë moderne, shirkut, simboleve të errësirave shpirtërore, intelektuale e kombëtare, nga politikat e qëllimta të shërbëtorëve të së keqes!

Zgjohuni, se e kemi amanet jetën, tokën, kombin, të sotmen e të ardhmen!

– vijon, inshallah –

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 15 gusht 2016

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit