2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

NUK MË KA UDHËZUAR ALLAHU, PRANDAJ NUK FALEM (video)

Më të lexuarat

Kush e thotë këtë arsyetohet me një përcaktim të Allahut, me një vendim të Allahut për mungesën e një vepre. Dëshiroj të sqaroj se kjo parullë është e mangët, madje është thjesht një mashtrim që njeriu i bën vetes -para se t’ua bëjë të tjerëve- për të mos kryer vepra të mira.

Nëse e përdorim këtë logjikë, se “nuk më ka udhëzuar Allahu, prandaj nuk falem”, atëherë themi se “nuk kam gjetur punë, prandaj nuk ha”, apo “nuk kam gjetur shkollë të mirë, prandaj nuk mësoj” ose “nuk kam gjetur punë të mirë, prandaj nuk punoj”. A vlen kjo logjikë në këto tri situata të tjera? Jo, nuk vlen.

Nëse ne nuk punojmë, nuk do të thotë që nuk do hamë, sepse përndryshe do të vdesim.
Nëse nuk gjejmë punë të mirë, nuk do të thotë të qëndrojmë pa punë, por do të punojmë një punë më të papërshtatshme derisa të gjejmë një punë të mirë.
Nëse nuk gjejmë shkollë shembullore, do të studiojmë dhe do të shkollohemi në shkollat që kemi sepse në fund të fundit do të bëjmë atë që kemi obligim. Ne e dimë qartë prej argumenteve të shumta kur’anore dhe porosive të shumta të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se namazi është shtylla e fesë, është gjëja kryesore në fe, është vepra që dëshmon praktikisht besimin tonë, është porosia e parë dhe e fundit e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, është çështja e parë për të cilën do të japim llogari pas ringjalljes, është çështja e fundit që do të mbetet në mesin e muslimanëve dhe nëse edhe ajo largohet, nuk do të mbetet më prej fesë asgjë.
Argumentet kur’anore dhe hadithet profetike tregojnë se falja e namazit është thelbësore, është vepra kryesore pas besimit. Kur e kanë pyetur Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se cila është vepra më e mirë, ai ka thënë: “Namazi në kohën e vet”.
Përse? Sepse namazi është përforcimi i lidhjes së njeriut me Krijuesin Fuqiplotë, Allahun Dhul Xhelal. E nëse mungon forcimi i kësaj lidhjeje, mungon edhe afrimi tek Zoti dhe fitimi i të mirave dhe begative nga Zoti. Normalisht që jeta do të ketë pengesa të shumta, do të ketë ngushtica dhe do të ketë trysni prej problemeve që do të hasësh.

Për këtë shkak, arsyetimi se “Allahu nuk më ka udhëzuar, prandaj nuk falem” nuk qëndron, sepse Allahu Dhul-Xhelal e dëshiron dhe e kërkon prej teje namazin, siç thuhet në shumë argumente fetare, e po ta doje ti namazin, do ta gjeje.
Mund të ketë ndodhur që ti dhe shoku yt keni dalë nga shkolla ose nga lokali së bashku, por ai ka shkuar në xhami për të falur namazin, ndërsa ti ke shkuar në shtëpi dhe nuk falesh. Ja, ti kalove pranë xhamisë!

Ku është argumenti se Allahu nuk të ka udhëzuar kur ti e dëgjove ezanin, kalove pranë xhamisë dhe e shikove shokun tënd që shkoi në xhami, kurse ti vetë vendose të mos shkosh të falesh?! Jo që Allahu nuk ka dashur të të udhëzojë, se Allahu të ka thirrur në Kur’an që të falesh, të ka thirrur edhe Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me hadithe që të falesh, t’i kanë treguar vlerat e namazit, përfitimin nga namazi, dobitë nga namazi, edhe rrezikun nga lënia e namazit, por ti përsëri nuk falesh!

Nuk mund të arsyetohesh se Allahu nuk të ka udhëzuar sepse të gjithë njerëzit para se të faleshin nuk kanë qenë të udhëzuar, pastaj deshi Allahu dhe ata e kërkuan udhëzimin dhe e gjetën, prandaj i shohim në xhami.

Ky arsyetim nuk qëndron, prandaj duhet të korrigjosh sloganin tënd, korrigjoje mendimin dhe bashkohu me ata që i shohim në xhami duke madhëruar Allahun, duke u lutur dhe duke kërkuar falje nga Allahu për gabimet dhe mangësitë.
Allahun e lusim që të rinjtë dhe të rejat tona t’i udhëzojë në rrugën e Tij, t’i bëjë prej atyre që e madhërojnë Allahun duke u falur dhe duke u lutur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit