NUK HUMBET TE ZOTI YT ASGJË.
Nga Ebu Hurejra se i dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Një burrë tha: (Vallahi) kam për ta dhënë një sadaka! Më pas doli me sadakanë e tij dhe ia la në dorë një hajduti dhe zunë të thonë: I qënka dhënë sadaka një hajduti! Ai tha: O Allah! Ty të takon hamdi! (Vallahi) kam për ta dhënë një sadaka! Më pas doli me sadakanë e tij dhe ia la në dorë një lavireje dhe zunë të thonë: I qënka dhënë sadaka një lavireje! Ai tha: O Allah! Ty të takon hamdi! (Vallahi) kam për ta dhënë një sadaka! Më pas doli me sadakanë e tij dhe ia la në dorë një të kamuri dhe zunë të thonë: I qënka dhënë sadaka një të kamuri! Ai tha: O Allah! Ty të takon hamdi, si për hajdutin, si për laviren, ashtu edhe për të kamurin!
I erdhi (dikush në ëndërr) dhe i tha: Sadakaja jote për hajdutin, se mbase përmbahet nga vjedhja. Sadakaja jote për laviren, se mbase përmbahet nga kurvëria. Ndërsa i kamuri mbase nxjerr mësim dhe zë të japë prej asaj që Allahu i ka dhënë”. Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
Ky njeri, u betua të jepte një sadaka, për riza të zotit dhe nga përkujdesja e tepërt për ta fshehur sadakanë, që të mos merrej vesh kush e dha, nuk gjurmoi e as u sigurua për gjendjen e atij që i dha sadaka. Kur e kuptoi që sadakaja kishte vajtur aty ku nuk e mendonte, falënderoi Allahun dhe u betua të japë një tjetër sadaka, me nijetin e mirë për të rënë aty ku duhet. Mirëpo çdo herë që nxirrte sadaka, ajo shkonte aty ku nuk dëshironte dhe ai falënderonte dhe lëvdonte Allahun.
Dijetarët e kanë interpretuar me disa mendime hamdin e këtij bamirësi. Imam Tajbiu, në komentimin e librit “Mishkatul mesabih” thotë “Ai u betua të japë një sadaka, për ta përforcuar dëshirën. Mirëpo kur përfundoi në dorën e një hajduti, e falënderoi Allahun që nuk ia bëri hise t’ia jepte një më të keqi se ai. Ose mundet që hamdi këtu të mos jetë me kuptimin e falënderimit (shukrit). Në këtë rast kjo shprehje mund të jetë thënë në formë habie dhe çudie, njësoj si shprehja “subhanallah” të cilën e themi sa herë që vërejmë diçka të çuditshme”.
Ibën Haxher Askalaniu përmend se të tjerë dijetarë kanë thënë që ai e falënderoi Allahun, pasi përfundimi i kësaj sadakaje aty ku nuk e mendonte, ishte rezultat i asaj që deshi Allahu dhe jo ajo që deshi bamirësi nga vetja e tij.
Sidoqoftë, Ibën Haxheri përzgjedh një mendim tjetër më të bukur, që falënderimi dhe lëvdimi i Allahut janë për çdo rast, për situatat e këndëshme dhe të pakëndëshme, prandaj edhe i dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) kur haste diçka që nuk i pëlqente thoshte: “O Allah! Ty të takon hamdi në çdo rast”.
Fjala “I erdhi” e ka kuptimin i erdhi dikush në ëndërr. Kjo shtesë është transmetuar edhe në disa rrugë të tjera të hadithit. Këtë shtesë e transmeton Edhe Ebu Bekër Ismailiu me Ebu Nuejm Asfahaniun në dy mustehrexhet (1) e tyre.
Ndërsa kallzuesori në frazën: Sadakaja jote për hajdutin, është i nënkuptuar, pra: Sadakaja jote për hajdutin është pranuar, se mbase ai përmbahet. Shtesa “është e pranuar” është transmetuar në disa rivajete të tjera dhe Allahu është më i ditur.
________________________
(1) Mustehrexhi është një lloj libri në hadith, në të cilin autori sjell të njëjtat hadithe të transmetuar në një nga dy sahihet e Buhariut dhe Muslimit, por me rrugë të tjera të ndryshme. Mustehrexhi më i njohur i Sahihut të Buhariut është ai i Ebu Bekër Ismailiut, ndërsa ai më i njohuri për Sahihun e Muslimit është mustehrexhi i Ebu Avanes.