-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Normat e këshillimit sipas fesë Islame

Më të lexuarat

Këshilla ka një rëndësi të veçantë në Islam, ajo është shkaku kryesor për përmirësimin e individit dhe shoqërisë, si dhe luan një rol shumë të rëndësishëm për ta mbajtur në dinamikë jetën shpirtërore të besimtarit.

Trasmetohet se Profeti (a.s.) ka thënë: “Feja është këshillë, feja është këshillë, feja është këshillë.” Thamë: “Për kë (o i Dërguar i Allahut)?” Tha: “Për Allahun, librin e Tij, për imamët (krerët) e muslimanëve dhe njerëzit e thjeshtë prej tyre.”(Muslimi)

Profeti (a.s.) në këtë hadith e ka barazuar fenë më këshillën, vetëm kjo mjafton për të treguar rëndësinë e madhe që ka këshilla për ta mbajtur të shëndoshë jetën fetare dhe shoqërore. Këshillimi është misioni më madhor me të cilin Allahu ka dërguar më të mirët e njerëzimit. Në kohë të ndryshme, tek popuj të ndryshëm janë dërguar profetë, të cilët kanë ringjallur vlerat njerëzore, shoqerore dhe fetare, dhe këtë e kanë bërë me anë të shembullit të mirë dhe këshillës. Përgjatë gjithë historisë së njerëzimit është dëgjuar kjo fjali nga gjuhët e mijëra mendjeve të ndritura: “Unë po jua njoftoj ato që më ka zbritur Zoti im dhe unë jam për ju një këshillues i besueshëm!” [1]

Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë, i lavdëron besimtarët për veçoritë e tyre të mira dhe në veçanti ata që tregohem të zellshëm në këshillim dhe në thirrjen për tek e mira dhe e bukura. Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.”[2] Ky ajet i veçon ndjekesit e Profetit Muhamed (a.s.) nga popujt e tjerë në sajë të zellit që ata tregojnë për të përhapur të mirën dhe ndaluar të keqen, gjithashtu na jep edhe mesazhin që nëse deshironi të beheni më të mirët e njerëzimit dhe të mbeteni të tillë, duhet t’i jepni rëndësi të veçantë këshillimit.

Profeti (a.s.) kur ka marrë besën nga besimtarët, ka pranuar nga ata besimin me kushte të ndryshme, si për shembull: të falnin namazin, të jepnin zekatin, të mos bënin imoralitet, te mos vidhnin etj… ndër ta ka marre besën edhe nga disa sahabë që të merreshin vazhdimisht me këshillimin, të tregonin të mirën dhe të ndalonin nga e keqja, siç është edhe shembulli i Abdullah bin Xhubejr (r.a.) i cili thotë: “I kam dhënë besën të dërguarit të Allahut se do ta fal namazin, do ta jap zekatin dhe se do ta këshilloj çdo besimtar.” (Muslimi)

Duke u bazuar në këto hadithe dhe në hadithe të ngjashme, dijetarët kanë dalë në përfundimin se shoqëria Islame e ka për dëtyrë që të nxjerrë, të edukojë, të mbështësë një grup personash të cilët merren posaçërisht me këtë punë. Dhe sidomos në kohët e sotshme, kur e keqja promovohet si vlerë dhe është përhapur në masë të madhe, madje ka prekur edhe familjet e besimtarëve. Askush nga ne nuk e ka luksin të qëndrojë indiferent ndaj saj, por duhet të bëhet pishtar i të mirës dhe të jëtë aktiv ndaj të keqes. Kjo është edhe këshilla e të dërguarit të Allahut për të gjithë besimtarët: “Kushdo që sheh ndonjë të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij, e, nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij, e, nëse nuk mundet as kështu, atëherë me zemrën e tij, por ky është imani më i dobët.”(Muslimi)

Braktisja e këshillës jo vetëm që rrezikon botën shpirtërore të besimtarit por në të njejtën kohë bëhet shkak që shumë fatkeqësi ta godasin jetën e tij familjare, shoqërore dhe materjale. Fatkeqësi ndaj të cilave përsëri na ka paralajmeruar i Dërguari i Allahut (a.s.): “Pasha Atë që në Dorë të Tij është shpirti im, ose do të urdhëroni në të mirë dhe do të ndaloni nga e keqeja, ose së shpejti Allahu do t’ju dërgojë denim prej Tij, pastaj ju do të luteni, mirëpo nuk do t’ju pranohet lutja”. (Tirmidhiu)

Mirëpo ashtu siç është i rëndësishëm roli aktiv i besimtarit në këshillim, po aq i rëndësishme është edhe metoda që ai duhet të ndjeke gjatë këtij procesi. Në qoftë se i bëjmë një rezyme haditheve që flasin për këtë temë dhe librave të sires që na tregojnë metodën që ka ndjekur Profeti (a.s.) në këshillim do të konstatojmë se ai ka treguar kujdes të veçantë në këto pika:

1-)Nuk ka këshilluar dikë asnjëherë në prani të njerëzve të tjerë. Gjithmonë e ka trajtuar fenomenin duke treguar kujdes të veçantë që të mos e lëndojë gabimtarin. Nuk ka këshilluar askënd në prani të njerëzve duke iu drejtuar një personi konkret sepse kjo mund të shkaktojë mërziti, turpërim, irritim madje dhe mund të shkaktojë refuzim të këshillës. Kur shikonte tek besimtarët ndonjë veprim që nuk i pëlqente, ngjitej ne hutbe dhe fliste për temën, pa përmendur emra dhe pa e lënë të kuptohej se kush e kishte bërë gabimin. Sa bukur që e ka përmbledhur Fedajl bin Ijad këtë çështje: “Besimtari i mbulon të metat dhe këshillon, i shthururi i zbulon ato dhe nënçmon.”

2-) Këshillonte vazhdimisht me fjalë të buta, me fjalë që i flisnin ndërgjegjes, që preknin mendjen dhe zemrën e gabimtarëve, dhe gjithmonë lutej për ta.  Trasmetohet nga Ebu Umame, (r.a) se një i ri erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe tha:

“O i Dërguari i Allahut, më lejo të bëj zina (imoralitet).” Njerëzit i bërtitën dhe Pejgamberi tha: “Ndaloni!” I Dërguari i Allahut tha: “Lëreni të qetësohet. Eja këtu!” Ai shkoi dhe u ul para të Dërguarit të Allahut, i cili i tha: “Do ta doje këtë për nënën tënde?” Ai tha: “Jo”.  Ai tha: “Dhe të tjerët gjithashtu nuk do ta donin një gjë të tillë për nënat e tyre. Do ta doje për vajzën tënde?” Ai tha: “Jo”. Ai i tha: “As të tjerët nuk do të donin që diçka e tillë t’u ndodhte vajzave të tyre. Do ta doje për motrën tënde?” Ai tha: “Jo”. Ai tha: “As të tjerët nuk do ta donin një gjë të tillë për motrat e tyre. Do të doje t’u ndodhte tezeve tua?” Ai u përgjigj: “Jo”. Pejgamberi i tha: “As të tjerët nuk do të donin t’u ndodhte tezeve të tyre. Do të doje t’u ndodhte hallave tua?” Ai u përgjigj: “Jo”. Ai i tha: “As të tjerët nuk do të donin t’u ndodhte hallave të tyre.” Pastaj i Dërguari i Allahut e vuri dorën në kraharor dhe tha: “O Allah falja gjynahet, pastroja zemrën dhe bëje të pastër.”(Suneni i imam Ahmedit)

Këtu ka udhëzim për mësuesit, edukatorët dhe thirrësit, që të jenë të butë ndaj gabimtarit para se ta këshillojnë, sepse kjo është më e dobishme sesa qortimi dhe ofendimi, të mos e paragjykojnë atë, që ta analizojnë mirë gjendjen e tij, të flasin më fjalë të arsyeshme të cilat bindin mendjen dhe ngrohin zemrën dhe mbi të gjitha të luten me shpirt për përmisimin e tij. Sahabët tregojnë se Profeti (a.s.) nuk u mjaftua vetëm më këshillën që i dha, me duanë që bëri për të, por në të njejtën kohë ndërhyri edhe për ta martuar, duke siguruar kështu një ambjent të pastër për të dhe nje strehë të ngrohtë familjare ku mund të mbrohej nga harami.

3-) Këshillat që i jepte i pasqyronte më së miri në përditshmërinë e tij. Njëra prej arsyeve që Profeti (a.s.) ka pasur sukses në davet, në thirrje dhe këshillim është fakti se ai i pasqyronte më së miri në jetën e përditshme këshillat që jepte. Dhe si i tillë fjala i kishte peshë dhe lintë gjurmë të thella në mendjen dhe zemrën e njerëzve. Prandaj para se të këshillojmë të tjerët me fjalë duhet të bëjmë kujdes qe veprat tona të mos na i përgënjeshtrojnë fjalët. O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek Alllahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni![3] thotë Allahu në Kur’an, në qoftë se dualizmi ndërmjet fjalës dhe veprës është i urryer tek Allahu, atëherë sI mund të ndikojë për mirë tek njeriu, një këshillë e cila përgënjeshtrohet nga vepra!?

4-) Është përpjekur të gjejë kohën e përshtatshme për të këshilluar dhe në momentin që nuk ka parë dobi në këshillim e ka lënë atë, duke i dhënë kohë gabimtarit të reflektojë.

Enes Ibni Malik (r.a.) transmeton se njëherë, i Dërguari i Allahut (a.s.), kaloi pranë një gruaje e cila po qante (me kujë) në krye të varrit të fëmijës së saj dhe i tha: “Ki frikë Allahun dhe bëj durim!” Gruaja i tha: “Largohu prej meje, sepse ty nuk të ka rënë fatkeqësia që më ka rënë mua!” Në fakt, gruaja nuk e kishte njohur Profetin (a.s.). Por, kur i thanë se ai ishte i Dërguari i Allahut (a.s.), ajo shkoi menjëherë tek dera e shtëpisë së tij. Pasi nuk gjeti asnjë roje tek dera, hyri brenda dhe, (duke dashur t’i kërkojë falje), tha: “Nuk ju njoha!” I Dërguari i Allahut (a.s.), tha: “Durim, është ai (që tregohet) në momentin e parë kur përballesh me fatkeqësinë!(Sahihu i Buhariut dhe Muslimit)

Siç kuptohet edhe nga hadithi Profeti (a.s.) nuk nguli kembë në këshillimin e gruas, sepse në atë moment ajo ishte e përfshirë nga emocionet dhe një refuzim tjetër i këshillës profetike mund ta rrezikonte besimin e saj, kështu që ai u tërhoq dhe i la kohë që të qetësohet dhe të reflektojë.

Siç e shikojmë nga pikat e përmendura më sipër, këshillimi nuk është vetëm një fjalë që thuhet kur shikojmë ndonjë gabim, por është një proces i tërë që duhet menaxhuar me kujdes duke marrë parasysh një sërë faktorësh, të cilët mund të ndikojnë për mirë apo për keq tek personi që këshillojmë.

E rëndësishme është që të kihet parasysh se kushdo që ndërmerr të jetë këshillues në fe, duhet të njohë mirë konteksin bashkëkohor të mendësisë së personit përballë që dëshiron ta këshillojë, të mos tejkalojë kufijtë e këshillës që janë: të mos paragjykojë, të kuptojë se kushdo është gabimtar, të lërë çështjen e gjykimit në dorë të Zotit, të mos harrojë lutjen për udhëzim; si edhe të qëndrojë ashtu siç i ka hije shembullit të besimtarit i cili është pasues i të Dërguarit të Allahut: duke qenë i butë, pranues, i durueshëm, të ndjekë hapat e shkallëzimit duke e ngritur pak nga pak gabimtarin nga vesi drejt virtytit nëpërmjet hapave të nevojshme të edukimit dhe fazave që kërkon secila fazë.

 

Erjol Haxhiu

[1] Kur’an, 7:68.

[2] Kur’an, 3:110.

[3]  Kur’an, 61:2-3.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit