2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Një xhami 5 shekullore është në brigjet e Durrësit

Më të lexuarat

Xhamia Fatih është xhamia e tretë më e vjetër në Shqipëri pas asaj të Beratit dhe të Korçës. Ajo është ndërtuar në vitet 1502-1503 dhe mban emrin e Sulltan Mehmet Fatihut II kur sundoi gjatë viteve ( 1444-1446 dhe 1451-1481), kohë kur perandoria Osmane u zgjerua në Europë. Xhamia është objekti i parë i ndërtuar pas sundimit Osman të qytetit.

Edhe pse kanë kaluar shekuj, edhe pse u godit fatalisht nga regjimi ogurzi totalitar komunist ajo ende luan rolin e “ thirrëses” në Islam. Xhamia Fatih ka disa të veçanta. Vendndodhja e saj pranë brigjeve të mrekullueshme të detit Adriatik dhe gjendja e saj në kurriz të disa monumenteve historike siç janë: Muri Bizantin, Amfiteatri më i madh në Ballkan dhe Muzeu Etnografik duke e futur kështu xhaminë në listën e objekteve të preferuara nga turistët.

Vendndodhja e xhamisë është mjaft interesante dhe e pikasur. Ajo ndodhet pranë qendrës së qytetit të Durrësit, në fund të një rrugice që të jep të kuptosh se me të vërtetë po drejtohesh tek një vend i veçantë. Sapo arrin, mirëpritesh nga mirëmbajtësi i xhamisë i cili i buzëqesh lehtë dhe miqësisht kujtdo që vjen duke e përshëndetur gjithashtu me përshëndetjen islame Es-selam alejkum.

Xhamia Fatih ose siç njihet ndryshe nga vetë vendasit “xhamia e vjetër” tashmë frekuentohet shumë nga besimtarët mysliman, mirëpo ambienti kryesisht preferohet nga mosha e tretë dhe kjo gjë duket qartazi ditën e xhuma e cila fillon të popullohet dy orë para namazit të shumëpritur dhe gjatë muajit të Ramazanit pa përjashtuar këtu ditët e tjera. Në këto raste përcillet një emocion i veçantë dhe kjo shfaqet në fytyrat e gjysheve tona të cilat e ruajnë me fanatizëm këtë fe dhe mundohen të na sajdisin me ndonjë ëmbëlsirë të vogël duke na thënë: “merre të keqen nëna se është festë sot”.

Jakupi, një nga personat që e frekuenton këtë xhami shprehet: “xhamia e vogël është si një magnet drejt meje. Në të, ndjej një qetësi shpirtërore të cilën nuk arrij ta gjej në asnjë prej xhamive të tjera në të cilat kam shkuar. Rahmeti që më përcjell ai vend më bën që çdo ditë e më shumë ta ndjej nevojën të nisem drejt tij duke hedhur prapa krahëve edhe pamundësinë fizike që më mundon”.

Ai thotë se xhamia është kult i rëndësishëm për besimin Islam dhe kështu duhet të ketë disa kushte me të cilat të tërheqë xhematin. Që në ndërtimin e saj ajo duhet të jetë ndërtuar me pasuri hallall dhe në një tokë të tillë. Duhet të mbizotërojë pastërtia dhe qetësia pasi ajo është vendpushimi i njerëzve përgjatë gjithë një dite të lodhshme.

“Këto cilësi tregohen qartë duke pasur parasysh themeluesin e saj i cili është Sulltan Fatihu ose me pseudonimin “Ngadhënjyesi” i cili nga hulumtimet për të tregohen qartë vlerat e tij si sundimtar i lartë, si një luftëtar i madh në atë kohë në të cilën caktoi shuma të mëdha për ndërtimin e medreseve dhe xhamive dhe mbi të gjitha si një njeri me ndjenja të thella e zemër të butë e të ndjeshme” , tregon ai.

Zenel Baraplaku, ka përfunduar medresenë e Tiranës dhe shërben si imam në këtë xhami. Ai gjithashtu ka dhënë mësim në medresenë e Durrësit që ndodhet përbri xhamisë.

Teologu, Saimir Bulku, i cili ka përfunduar studimet në Jordani thotë: “Xhamia Fatih është e para në të cilën kam filluar të falem. Tek ajo shkoj 1-2 herë në ditë, por ajo të jep një ndjesi shpirtërore tepër të veçantë në ndryshim më xhamitë e tjera.”

Shpeshherë edhe ai drejton namazin e xhumasë në këtë xhami.

Një detaj shumë i rëndësishëm që e bën të veçantë nga xhamitë e tjera është arkitektura, gjë e cila gjatë shekullit XVI arriti kulmet e saj në perandorinë Osmane, duke kapërcyer jo vetëm arkitekturën e lindjes por edhe atë kishtare. Kjo lloj arkitekture që përcillet edhe në “xhaminë e vjetër” është reflektim i besimit në të gjitha aspektet e saj e cila u shfaq në trajtën e mjediseve plot ndriçim dhe lumturi që e mbushin zemrën me prehje dhe kënaqësi.

Të gjitha këto veçori e çuan xhaminë Fatih që gjatë vitit 1973 edhe pse shumë vonë nga koha e ndërtimit të bëhej një prej monumenteve kulturore dhe të mbetet një kult unik në llojin e saj.

Komunizmi dhe feja

Në vitin 1944 Shqipëria u nënshtrua nën kontrollin e pushtetit komunist që kreu ekspeditë të egër ushtarake ndaj fesë. Viti 1967 shënoi kulmin e ndalimit të adhurimeve dhe u fut në fuqi ateizmi. U mbyllën të gjitha kultet fetare, disa xhami u shndërruan në sallë kinemaje, salla dëfrimi, ndërsa xhamisë së Re të Durrësit iu prish Minarja.

Pas vitit 1991 filloi lehtësisht përhapja e fesë dhe rikthimi i kulteve në gjendjen e tyre të mëparshme, ndoshta edhe më të mirë, duke u rikonstruktuar.

Restaurimi

Komuniteti Mysliman Shqiptar përgatiti projektin restaurues dhe e dërgoi atë për miratim pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës. Miratimi i projektit mundësoi edhe akordimin e një fondi prej 5 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, duke ia shtuar atë fondeve të vetë Komunitetit Mysliman Shqiptar. Puna zgjati disa muaj dhe gjatë restaurimit, xhamia qëndroi e mbyllur për besimtarët.

Xhamia Fatih në Durrës, e treta më e vjetër në Shqipëri dhe e shpallur monument kulture në vitin 1973, tashmë është restauruar plotësisht. Bashkëpunimi mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka kthyer në identitet një prej xhamive më të vjetra në vend dhe mjaft e rrallë sa i përket arkitekturës.
Restaurimi i saj përfshiu pamjen e jashtme të xhamisë: çatisë, fasadës, dyerve dhe dritareve prej druri, kangjellave dhe mjediset e brendshme.

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve akordoi një fond prej 5 milionë lekësh, me anë të cilit u bë e mundur restaurimi i pamjes së jashtme të xhamisë: çatisë, fasadës, dyerve dhe dritareve prej druri, kangjellave etj. Ndërsa Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me anë të financimit nga Turqia, mundësoi restaurimin e mjediseve të brendshme. Tani Xhamia Fatih që ndodhet pranë mureve mesjetare të qytetit është e hapur për besimtarët myslimanë.

Xhamia Fatih në Durrës është objekti i parë i ndërtuar pas sundimit osman të qytetit. Durrësi u bë pjesë e Perandorisë Osmane në vitin 1502. Xhamia më e vjetër në vend është ndërtuar në Berat në vitin 1380, ndërkohë që ajo e dyta më e vjetër është Xhamia e Iljaz Mirahorit në Korçë, ndërtuar në vitet 1494 – 1496. Pak a shumë e kësaj periudhe është edhe Xhamia e Xhermëhallës në Delvinë.

Që prej rihapjes së saj në fillim të viteve ’90-të, kohë kur ra regjimi komunist dhe u lejua praktikimi i besimit fetar, Xhamia Fatih nuk ishte restauruar kaq thellësisht.

KMSH pasi përgatiti projektin restaurues e ka dërguar atë për miratim pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës. Miratimi i projektit mundësoi edhe akordimin e fondit nga MTKRS. Puna zgjati disa muaj dhe tashmë ajo është e hapur për besimtarët.

Xhamia Fatih është mjaft e rrallë sa i përket funksionit për të cilën u ndërtua dhe arkitekturës. Xhamia është shumë e thjeshtë, ka formë katërkëndore të rregullt dhe në origjinal. Ajo është e mbuluar me çati, ndryshe nga xhamitë e tjera që janë me kube.

Për këto arsye, por edhe për faktin se është ndër xhamitë më të vjetra në vend, ajo është shpallur monument kulture dhe mbrohet nga shteti. Restaurimi i ka kthyer asaj pamjen e bukur dhe besimtarët kanë filluar tashmë kryerjen e riteve të përditshme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit