1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Një tregim sirian

Më të lexuarat

-1-

Është e pamundur të përmbash veten përballë fotografisë së fëmijës sirian që shpëlahet për vdekje nëpër brigjet e Turqisë. Me rroba të lagura që nuk i mbulonin dot as ato pjesë të vogla të trupit të tij, vogëlushi ishte i shtrirë si për në gjumë, këtë herë për një gjumë nga ku nuk do të zgjohej më kurrë. Fotografia e Aylanit, 3- vjeçar, i mbytur nga përmbysja në det derisa po provonte ikjen me familje për një jetë më të mirë, ishte bërë simbol i ri i krizës së vjetër siriane. Kriza e refugjatëve sirianë ka kohë që nuk ishte më krizë rajonale, as evropiane, ishte krizë njerëzore; por fotografia e dhimbshme e tij rinxirrte, megjithatë, në pah më të keqen tonë – indiferencën. Trupi i vogëlushit të pajetë përmblidhte triumfin e së ligës ndaj gjithçkaje që njerëzit kishin mësuar të jetë e mbarë. Me të kishte vdekur edhe një pjesë e madhe e njerëzores sonë.

Këtë vit, në dy raste, kisha pasur rastin të bashkëpunoja me Forumin Ekonomik Sirian – një organizatë opozitare që kishte grumbulluar rreth vete intelektualë, biznesmenë e të përndjekur të tjerë politikë nga regjimi – të gjithë në eksil; të dënuar natyrisht me vdekje nga Qeveria e Bashar al-Assadit; kundërshtarë sa s’bëhet më të ISIS-it. Në një angazhim amerikan të projektuar nga “Qendra për Ndërmarrje Ndërkombëtare Private” nga Washingtoni, kisha vizituar dy herë kufirin me Sirinë, në Turqi pra. Atje, si në rikujtim, pashë përpjekjet e një populli të tërë për jetë e mbijetesë – kërkonin hiç më shumë se kaq. Takova e punova me shumë sirianë. Intelektualë e aktivistë refugjatë që dëshpërimisht kërkonin mbështetje nga jashtë. Mbështetja, megjithatë, ishte larg, për të mos thënë në mosardhje. Me vete, gjithsesi, mora dhe një ndjenjë të lidhjes e keqardhjes për fatin e një populli të tërë, të cilët, në momente të rënda historike, kishin mbetur të vetëm.

Dikur isha edhe unë refugjat. Për dallim nga ta, fati im ishte më i mirë. Në të vërtetë, jashtëzakonisht më i mirë. Tregimi im, për dallim nga ta pra, përfshinte një ndërhyrje ushtarake të të gjithë botës, hapje të dyerve për refugjatë nga e gjithë bota, dhe përfundim i strehimit si refugjat për diçka më pak se tre muaj. Sirianët, në anën tjetër, intervenimin ushtarak nga jashtë as që e kishin më të pritur, dyert për ikje ishin të mbyllura gjithandej, e tre muajt e parë kishin ikur kaherë – ishin bërë tre vjet.

Kosova natyrisht se kishte një fat tjetër; fat të cilin, fatkeqësisht kemi filluar ta trajtojmë me plot indiferencë së fundmi. Thuajse liria, e drejta për të qenë i lirë – apo veç për të qenë – është e mirëqenë. Kosova, për miqtë sirianë, shihej një model ëndërr i përfundimit të vendit të tyre. Madje, paralajmërimet e diskutimeve për një të ardhme ku rindërtimi do të ketë plot korrupsion, hajni, padrejtësi e pabarazi dukeshin aq të parëndësishme, përderisa, siç më thoshin, të ktheheshin sërish të lirë në vendin e tyre. Sa shumë ngjasonte me bindjet tona dy e më shumë dekada më parë.

-2-

Kompleksiteti i konfliktit sirian, i ndërlidhur me grupime etnike, religjioze e së fundmi me fryma lunatike ekstremiste që tërheqin psikopatët nga e gjithë bota, e kishte bërë Sirinë një vend të pashpresë tash e sa vjet. Dhe sado që konflikti ngrihej ditë e më shumë, fundi i tij bëhej më i paqartë. Edhe më e paqartë bëhej dita e parë pas përfundimit, kur miliona fëmijë do të ishin pa shumë vite shkollë, miliona të rritur pa punë – një vend i tërë pa gjë.

Përballë një paqartësie të tillë për të ardhmen gjendej edhe një paqartësi tjetër ndërkombëtare për të tashmen. Ndërhyrja ushtarake perëndimore mund të kishte qenë afër shumë vite më parë; sot ajo duket e pagjasë. Luftimet përbënin një lëmsh të vërtetë.

Qeveria e Assadit që ndihmohej herë fshehtë e herë publikisht nga Rusia e Irani, e së fundmi dhe me forca paramilitare nga Hezbollahu, sado që ishte ngushtuar në ndikim, ushtronte ende forcë të mjaftueshme ushtarake nëpër Siri. Mbi të gjitha, ekzistenca e regjimit dhe e kontrollit të tij mbi ushtri, parandalonte ndërtimin e një uniteti të ri sirian (të të gjitha etnive e grupimeve religjioze) që do t’i bënte ballë nesër ISIS-it. Në arenën perëndimore, Assadi i kishte shpëtuar mjeshtërisht intervenimit ushtarak falë Rusisë. Së fundmi, madje, ai kishte filluar të portretizonte veten si hero i kundërterrorizmit të ISIS-it. Ç’është e vërteta, veprat e tij dhe të ISIS-it ishin jashtëzakonisht të ngjashme. Qindra e mijëra viktima të shkaktuara nga të dyja anët mizorisht.

Përballë Assadit – dhe gjithkujt tjetër – ishte Shteti Islamik në Irak e Siri. I përbërë nga luftëtarë lokalë e nga të çmendur nga e gjithë bota, ISIS-i përbënte forcën më të madhe ushtarake në Siri. Gjatë disa viteve veprimi të lirë, ata veçse kishin ndërtuar mekanizmat e vetëqëndrueshmërisë ekonomike e financiare, të cilat i siguronin me shumë qetësi. Sipas llogaritjeve të kolegëve nga Forumi Ekonomik Sirian, ISIS-i gjeneron edhe sot e kësaj dite mbi 3 milionë euro nga rafineritë individuale të naftës në Siri. Veprimet e tyre, ndër të tjera, mbështeteshin edhe nga individë e biznesmenë të pasur nga Arabia Saudite.

Kundrejt regjimit dhe ISIS-it,njëtrajtësisht ishte shpërfaqur edhe “Al-Nusra”. Ajo përbëhej kryesisht nga luftëtarë sirianë, të cilët, megjithatë, kishin shprehur aleancë me “Al-Qaedan”. Ishte pikërisht kjo aleancë që nuk e bënte dot këtë forcë aleate serioze e kredibile të Perëndimit.

Kurdët, si forcë e katërt në rajon, ishin në luftë të drejtpërdrejtë me ISIS-in. Përgjatë një kohe të gjatë, ata kishin një pakt të heshtur me regjimin e Assadit për të mos ushtruar luftë ndaj njëri-tjetrit. Kurdët mund të ishin një forcë kredibile për luftën kundër ISIS-it, por ata, për të gjitha qëllimet nacionale që bartnin në Siri, Irak e Turqi, përbënin një zgjidhje jo të mjaftueshme për të ardhmen e përbashkët siriane.

Dhe krejt në fund ishin forcat e Ushtrisë së Lirë Siriane, një grupim i dërrmuar, por me mbështetje nga Perëndimi. Ushtria e Lirë Siriane merrte mbështetje të konsiderueshme edhe nga shtetet e rajonit; të dalluara ishin Turqia dhe Kuvajti.

Kjo përbërje e forcave vendore, e ndërlidhur me një përballje tjetër të forcave rajonale – të Turqisë, Kuvajtit, Arabisë Saudite e Iranit, dhe përfundimisht në një diskrepancë qëndrimesh në mes të Perëndimit e Rusisë, kishin bërë pikërisht Sirinë vend të pashpresë, ku gjithkush luftonte ndaj gjithkujt. Natyrisht, një relacion i tillë kishte prodhuar mbi 9 milionë refugjatë sirianë për këto vite.

-3-

Përtej kompleksitetit të luftës, kriza siriane ka nisur një kompleksitet të ri refugjatësh. Numri më i madh i tyre, nga 9 milionët, janë shpërndarë nëpër vendet rajonale, në Turqi, Lebanon, Egjipt, Jordan e në Irak. Disa nga ta kishin marrë Mesdheun, për të përfunduar në Evropë. Jo të gjithë gjithsesi- mijëra të vdekur në det – gra, fëmijë, pleq, të rinj e të reja, të gjithë. I fundit ishte dhe Aylani 3 vjeç.

Dhe në gjithë këtë kaos të trajtimit e mostrajtimit të njerëzve në hall gjenden dhe vendet arabe të Gjirit, të cilat, ndonëse me mundësi e kapacitete të bollshme ekonomike e financiare, vazhdojnë të refuzojnë pranimin e refugjatëve sirianë. Shtetet si Kuvajti, Arabia Saudite, Katari, Bahraini e Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë të ardhura për kokë banori dyfish më të larta sesa të secilit vend evropian, përfshirë dhe Gjermaninë, Francën, Anglinë e Italinë. Dyfish pra. E secila nga këto shtete arabe ka refuzuar të pranojë refugjatë nga Siria. U kërkojnë viza. Trajtimi johuman i tyre gjithsesi nuk më shpreh habi. Habi më shpreh indiferenca evropiane përballë një krize si kjo.

Evropa, si në shumë raste e konflikte paraprake, vazhdon të tregohet e ngadaltë, pa unitet e me më shumë kokëçarje e dilema sesa zgjidhje për njerëzoren. Ndonëse thirrjet për pranim e mirëseardhje po marrin hov gjithandej, ato mbesin të pakta, të pamjaftueshme e përgjithësisht të padobishme për të dhënë zgjidhje. Siria dhe sirianët meritojnë trajtim më njerëzor, më evropian, më perëndimor. Në fund të fundit, problemi sirian është dhe brengë e kontinentit tonë.

Për fatin e keq të të gjithëve, numri i refugjatëve sirianë vetëm sa do të rritet; prandaj dhe indiferenca nuk bën më zgjidhje. Mbi të gjitha, për aq sa konflikti sirian mbetet i paadresuar nga forcat ushtarake perëndimore – të vetmet që mund të vënë rend sikurse siç vënë rend në Kosovë gjashtëmbëdhjetë vjet më parë – refugjatët veçse do të shtohen; tregimet do të bëhen më të trishta, e fotografitë dhe më të dhimbshme.

Të gjitha këto së bashku do të përndjekin këtë gjeneratë të njerëzimit deri në përjetësi. Do të pyesin ata që vijnë pas mbi aftësinë rishtuese të indiferencës sonë, të një primitivizmi trajtues ndaj tjetrit që e kemi sot – si njerëz – gjithandej.

Lumir Abdixhiku

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit