-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Një shtet gjenociodal dhe gangster

Më të lexuarat

Masakra ndaj civilëve palestineze dhe kërcënimet me vdekje ndaj gjyqtarëve të Hagës

Nga Claudia Carpinella, Il Giornale

Pak ditë më parë gazetari mendjekthjellët izraelit Gideon Levy, kishte parë si rrugëdaljen e  vetme për “shpëtimin” e Izraelit, pranimin e urdhër-arresteve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime lufte në Gaza ndaj kryeministrit Netanyahu dhe Ministrit të tij të Mbrojtjes.

Megjithatë, Levy paralajmëroi se kjo nuk do të ndodhte. Dhe në fakt, pas masakrës ndaj civilëve në kampin e refugjatëve Tel Al-Sutan, Izraeli nuk “po i kalon më skajet e humnerës”, siç shkruante Levy. Përkundrazi është zhytur thellë në të.

Para një masakre tjetër – ku këtë herë humbën jetën mbi 40 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, që u dogjën të gjallë në flakë – gazetari shkroi në Haaretz: “Nëse Izraeli do t’i bindej Gjykatës së Hagës, do të ishte një shtet i qeverisur nga ligjet. Duke pranuar vendimet e saj, do ta kishte shpëtuar vendin nga gjakderdhja e mëtejshme e panevojshme në Rafah, por do të ndalonte edhe ortekun e denoncimeve ndërkombëtare kundër tij”.

Por ishte shumë vonë. Sepse si të mos mjaftonin shtatë muajt e luftës, sot e gjithë bota ka parë ose mund të shohë imazhet brutale të trupave të shpërfytyruar dhe të pajetë të fëmijëve të pafajshëm. Por shumë i kthjellët se të tjerët në këtë vend, Gideon Levy, e kishte parashikuar shumë saktë: “Izraeli ka vetëm një rrugëdalje; dhe ai nuk do ta zgjedhë atë”.

Kështu ndodhi. Dhe justifikimet që dha qeveria Netanyahu për masakrën në kampin e refugjatëve nuk kanë asnjë vlerë. Pra deklarata se “pasojat e sulmit ajror ishin një ‘aksident’ dramatik i cili aktualisht po shqyrtohet”.

Izraeli, i paprekshëm dhe i mbrojtur nga miqtë në SHBA

Miqësia e fortë që lidh Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, e lejon këtë të fundit të veprojë pa u ndëshkuar, qoftë edhe nga gjysmë sanksione (më në fund, duket se Ministrat e Jashtëm të vendeve evropiane po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve kundër Tel Avivit; por kjo mbetet të shihet).

Levy e vazhdon shtjellimin e tij duke deklaruar se “si gjithmonë, Izraeli po kërkon një mënyrë për të injoruar rendin ndërkombëtar, për ta mbajtur Uashingtonin në anën e tij, dhe për të minuar ligjin ndërkombëtar”.  As ajo që ndodhi të dielën në mbrëmje në Rafah, nuk mjaftoi që  SHBA-ja të lëvizte nga istikami.

Nuk pati asnjë deklaratë nga administrata Biden, përveç një heshtjeje shurdhuese të ndërprerë  nga disa deklarata (më se të dyshimta). E para se “SHBA-ja po grumbullon më shumë informacione mbi ‘çështjen’”, dhe e dyta, për të cilën raporton Antiwar se “një zëdhënës i Sigurisë Kombëtare e përcaktoi atë që ndodhi në Rahaf si “zemërthyese”.

Vija e kuqe e Biden (ende e pazbatuar)

Në një përmbledhje të shkurtër, Levy rrëfen atë që ka bërë Izraeli në 60 vitet e fundit. “Pas tërheqjes së tij të nxituar nga Sinai në vitin 1956, Izraeli nuk iu përmbajt kurrë vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare, a thua se bota dhe vendimet e saj nuk kishin fare të bënin me të.

I paprekshëm dhe i mbrojtur nga Amerika, Bibla dhe një qendër kërkimore bërthamore në Dimona, ai sillej gjithmonë sikur kishte leje për t’u tallur gjithë botën. E gjitha kjo përfundoi ditën kur ai pushtoi Gazën në një mënyrë kaq brutale dhe të pakontrolluar”.

E vetmja gjë që mund ta ndalë Netanyahun, duke qenë se këtë nuk po mundet ta bëjë as gjykata më e lartë e OKB-së, do të ishte një diktat i SHBA-së. Një hipotezë që megjithatë duket jashtëzakonisht e pamundur, sipas asaj që raporton Washington Post: “Shtëpia e Bardhë deklaroi të martën se Izraeli nuk ka i shkelur paralajmërimet e presidentit Biden për zhvillimin e fushatës së tij ushtarake në Rafah”. Kjo sugjeron që, edhe një herë, Shtetet e Bashkuara “nuk do të ndërmarrin asnjë veprim në lidhje me luftën e Izraelit”. Të gjitha këto veprime, janë në përputhje me qëndrimin jo-konsistent të qeverisë Biden.

Ish-kreu i Mossad-it, kërcënime me vdekje ndaj prokurores së Hagës

Dhe për të qëndruar tek çështja e mosndëshkimit, një investigim i fundit nga britanikja The Guardian ka hedhur dritë mbi një fakt shumë domethënës. Ish-drejtori i Mossad (shërbimit sekret izraelit) Yossi Cohen “ka kërcënuar kryeprokuroren e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), Fatou Bensouda, në një seri takimesh sekrete, në të cilat ai u përpoq t’i bënte presion asaj që të braktiste hetimin për krimet e luftës të kryera nga Izraeli kundër palestinezëve ndër vite”.

Faktet e raportuara nga gazeta britanikes datojnë që nga viti 2019, pra përpara se prokurorja e ICC-së të hapte një hetim zyrtar për krimet e supozuara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit në territoret e pushtuara palestineze, të cilat kulmuan javën e kaluar me kërkesën për një urdhër-arresti kundër Netanyahu nga Karim Khan, pasardhësi i Bensoudas.

Frikësimi i Cohen, raportojnë mediat britanike, “ishte i autorizuar nga një nivel të lartë”. Pra ai veproi si “një i dërguar jozyrtar” i Benjamin Netanyahut. “Objektivi i Mossad – vazhdon The Guardian – ishte të komprometonte prokuroren Bensouda, ose ta detyronte atë të bashkëpunonte me Izraelin”.

Sipas dëshmive të ndara me zyrtarët e ICC-së, Cohen i tha asaj: “Ju duhet të na ndihmoni ne dhe të na lejoni ne që të kujdesemi për ju. Besoj se nuk do të donit të përfshiheni në gjëra që mund të rrezikojnë sigurinë tuaj apo të familjes suaj…”.

Por kërcënime të tilla nuk ishin të izoluara, por të përsëritura. Gjithsesi, përpjekjet e Cohen për të frikësuar Bensouda dështuan, dhe kjo u pa nga vendimet e fundit të gjykatës javës së kaluar. Nuk pati asnjë koment nga palët e interesuara. Deklarata e vetme erdhi nga një zëdhënës i Netanyahut, i cili siç mund të pritej mohoi gjithçka.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit