Prokurori Jan Reckendorff, tha se incidenti ka shkelur ligjin për blasfemi në të cilin thuhet se: “Tallja publike ose përbuzja e fesë është e paligjshme”
KOPENHAGË (AA) – Një burrë danez përballet me akuzat për blasfemi, pasi në dhjetor të vitit 2015-të, dogji një Kuran në oborrin e shtëpisë së tij, ndërkohë që veprën e kishte postuar në rrjetet sociale, raporton Anadolu Agency (AA).
Prokurori Jan Reckendorff, në një deklaratë të shkruar tha se incidenti ka shkelur ligjin për blasfemi në të cilin thuhet se: “Tallja publike ose përbuzja e fesë është e paligjshme”.
Reckendorff tha më tej se burri 42 vjeçar kishte shpërndarë videon e djegies së Kuranit në Facebook, më konkretisht në grupin “Po lirisë, Jo islamit” (Yes to Freedom, No to Islam).
Dënimi maksimal për blasfemi në Danimarkë është katër muaj heqje lirie, por siç tha Reckendorff, në këtë rast do të shqiptohet vetëm dënim me para.
Kjo është hera e katërt në historinë e Danimarkës që dikush ndiqet penalisht për blasfemi. Rasti më i fundit ishte në vitin 1971.
Në vitin 2005, gazeta daneze Jyllands-Posten botoi karikatura të cilat pasqyronin profetin Muhamed i cili mbante një bombë në çallmën e tij, por atëherë gazeta nuk u përball me akuza për blasfemi.