-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Një baba efektiv

Më të lexuarat

Një baba efektiv

Sigurisht, baballarët nuk janë të gjithë njësoj dhe ka disa mënyra për të qenë një baba efektiv. Nëse baballarët do kuptonin rolin e paçmuar dhe të pazëvendësueshëm që luajnë në zhvillimin e fëmijëve të tyre, me siguri do të angazhoheshin më tepër dhe do të investonin më shumë në familjet e tyre.
Dr. Wade F. Horn, përdor frazën “Miti i babait të panevojshëm (të tepërt)”, me të cilën i referohet faktit, se shumë baballarë kanë bindjen se janë thjesht “disa duar më shumë që ndihmojnë në shtëpi”, në vend që të mendojnë se janë të pazëvendësueshëm për fëmijët e tyre.
Po çfarë e bën një baba efektiv? Studimet sugjerojnë shtatë dimensione të të qenit një baba efektiv:
1.                  Duke krijuar një marrëdhënieje pozitive me nënën e fëmijëve
2.                  Duke kaluar kohë me fëmijën
3.                  Duke e edukuar fëmijën
4.                  Duke disiplinuar fëmijën në mënyrën e duhur
5.                  Duke shërbyer si një udhëzues për botën e jashtme
6.                  Duke ofruar mbrojtje dhe siguri
7.                  Duke shërbyer si model pozitiv
 
Duke krijuar një marrëdhënieje pozitive me nënën e fëmijëve
Një nga mënyrat më të mira që një burrë mund të jetë baba i mirë është duke e trajtuar nënën e fëmijëve me dashuri, respekt dhe konsideratë. Virtytet që babai shpreh me nënën e fëmijëve, kthehen në një shëmbull të mirë dhe të rëndësishëm për fëmijët. Kur fëmijët shohin tek babai i tyre dashurinë, respektin dhe konsideratën për nënën, ata priren t`i trajtojnë gratë e tyre të ardhshme në të njëjtën mënyrë.  Në të kundërt, stresi i konflikteve prindërore mund të ketë një ndikim shumë negativ tek sistemi imunitar I fëmijëve, gjë që shpie në probleme shëndetësore.
Këtu dalim në dy konkluzione për baballarët.
Së pari: baballarët duhet të nxjerrin në pah aspektin pozitiv, kur ndërveprojnë me gratë e tyre dhe duhet të tregojnë dashuri të vazhdueshme karshi tyre.
Së dyti: baballarët duhet të jenë të aftë t`i trajtojnë konfliktet bashkëshortore në mënyra konstruktive.
Konflikti në vetvete nuk është gjë e keqe në një marrëdhënie. Në fakt, konflikti shpesh është i nevojshëm për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme, ankesave apo padrejtësive brenda një marrëdhënie. Çiftet që i zgjidhin çështjet me njëri-tjetrin në mënyrë konstruktive, bien në kompromis me njëri-tjetrin dhe arrijnë ta falin njëri-tjetrin për gabimet e bëra. Këto çifte zakonisht kanë martesa të lumtura, madje edhe fëmijët e tyre janë më të lumtur dhe kanë aftësi më të mira për të zgjidhur çështje dhe  konflikte të ndryshme.
 
Duke kaluar kohë me fëmijën
“Fëmijët e gërmëzojnë dashurinë në këtë mënyrë: “K-O-H-Ë”, – thotë Dr. Ken Canfield. Koha që një baba shpenzon me fëmijën e tij, është e rëndësishme për tre arsye. Së pari: Kjo e ndihmon babain dhe fëmijën të njihen me njëri-tjetrin. Në këtë rast babai mund të zbulojë virtytet dhe veset e fëmijës së tij, frikërat dhe dëshirat, aspiratat dhe idealet.  Së dyti: Koha e kaluar së bashku i mundëson një babai të bëhet një përkujdesës më i mirë, të jetë më i ndjeshëm ndaj nevojave të fëmijës për dashuri, vëmendje, orientim dhe disiplinim.  Së treti: Fëmijët e vlerësojnë kohën që babai kalon me ta, si një tregues të dashurisë që ai ndjen për to.
 
Ja disa mënyra se si baballarët mund të kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre:
*           Baballarët duhet të kalojnë një kohë të konsiderueshme me fëmijët e tyre, duke luajtur dhe duke u kënaqur, gjë që ndikon pozitivisht në mënyrën sesi fëmija eksploron mjedisin, duke vetëkontrolluar kështu edhe impulset agresive.
*           Baballarët duhet të përdorin sitlin e lojës, që u përshtatet moshës së fëmijës.
*           Baballarët duhet të angazhohen në aktivitete produktive me fëmijët e tyre si p.sh: në punët e shtëpisë, apo duke pastruar oborrin. Aktivitete të tilla të përbashkëta promovojnë sensin e përgjegjësisë tek fëmija.
*           Baballarët duhet të shpenzojnë kohë për të stimuluar rritjen e nivelit intelektual të fëmijës. Përfshirja e baballarëve në aktivitetet edukative apo shkollore dhe takimi me mësuesit e fëmijës, është me rëndësi për suksesin akademik të tyre.
 
Duke e edukuar fëmijën
Të edukuarit apo të mësuarit me babain ndikon pozitivisht në:
·            Ndërtimin e marrëdhënieve më të ngushta të babait me fëmijën.
·            Rrit  mirëqenien psikologjike dhe vetëvlerësimin tek fëmijët.
·            I ofron fëmijëve një model të shëndetshëm mashkullor.
·            I mbron vajzat nga krijimi i marrëdhënieve romantike të parakohshme.
 
Baballarët duhet të tregohen të vëmendshëm ndaj të qarave të foshnjave tyre. Ata duhet t`i mbajnë në krahë dhe t`i përqafojnë më shpesh. Gjatë periudhës së fëmijërisë së hershme, baballarët duhet t`i lavdërojnë fëmijët e tyre, kur ata sillen mirë apo kur përmbushin një detyrë, duhet t`i përqafojnë dhe t`i puthin ata shpesh, si dhe t`i ngushëllojnë  kur fëmijët janë të mërzitur apo të frikësuar. Gjithashtu lavdërimet duhet të vazhdojnë edhe në adoleshencë, sidomos kur fëmijët bëjnë arritje të rëndësishme.
Edukimi nga baballarët është më pak i dukshëm krahasuar me nënat. Në fakt, mënyra më e mirë për t`i edukuar fëmijët, sidomos fëmijët e moshës shkollore dhe adoleshentët, është duke u treguar i qetë, kur fëmija është i mërzitur. Baballarët që reagojnë me qetësi në këto situata, kanë fëmijë më të mirë, djem më pak agresivë dhe vajza më pak negative me shoqet. Kështu  baballarët u ofrojnë fëmijëve mënyrën se si ata duhet të sillen në situata të vështira.
 
 
Duke disiplinuar fëmijën në mënyrën e duhur
Asnjëherë nuk duhet të nënvlerësohet roli, që luajnë baballarët në disiplinim. Avantazhi i një fëmije, i cili i ka të dy prindërit në krahasim me atë që ka vetëm një, është se prindërit mund të ndajnë mes tyre përgjegjësitë e prindërimit.
Disiplina shpesh është e vështirë dhe frustruese, kështu që baballarët mund ta lehtësojnë rritjen e fëmijëve, duke marrë përsipër një pjesë të përgjegjësisë së disiplinimit. Ata janë më të suksesshëm në disiplinimin e djemve. Kjo vjen si rezultat i faktit, që djemtë zakonisht reagojnë më pozitivisht ndaj disiplinimit nga një figurë mashkullore.
Disiplinimi i duhur bëhet i mundur, atëherë kur një baba arrin të menaxhojë mirë kontrollin e emocioneve të tij, gjuhën e trupit dhe duart e tij gjatë aktit të disiplinimit. Pra, ai duhet të shmangë sa më shumë të bërtiturit, dhunën dhe imponimin.
 
Duke shërbyer si një udhëzues për botën e jashtme
Një tjetër funksion i rëndësishëm i baballarëve është, të shërbejnë si një udhëzues për botën jashtë shtëpisë.  Kur fëmijët janë në moshën parashkollore, baballarët mund t`i përgatisin ata për botën e jashtme, duke i inkurajuar drejt lojrave aktive dhe drejt autonomisë. Kur fëmijët fillojnë shkollën, baballarët mund t’u tregojnë fëmijëve eksperiencat e tyre, kur ata vetë kanë qënë në shkollë. Përveç kësaj ata mund t’i inkurajojnë, që të mësojnë sa më shumë, t’i këshillojnë mbi menaxhimin e parasë, tu  mësojnë atyre një sport të caktuar, apo t’i nxisin për të bashkpunuar sa më shumë në grup.
Gjatë adoleshencës së fëmijëve, baballarët duhet të përfshihen në diskutime rreth besimeve që ato kanë, mbi eksperiencat e ndryshme të jetës së tyre dhe të mundohen të hanë sa më shumë vakte së bashku. Gjithashtu baballarët duhet t`i përfshijnë fëmijët e kësaj moshe në disa nga punët apo aktivitetet e ndryshme, që ato mund të kenë në komunitet. Ata duhet të flasin me fëmijët mbi rëndësinë e marrëdhënieve shoqërore, mbi rreziqet e alkoolit, drogës, aktivitetit të hershëm seksual dhe dhunës. 
Baballarët duhet tu japin fëmijëve të tyre adoleshentë më shumë liri, por kjo liri duhet të jetë rregullisht e shoqëruar me fjalë inkurajuese dhe këshilla, po ashtu duhet të jenë të qarta dhe pasojat e abuzimit me lirinë. Pra, baballarët duhet të përgatisin fëmijët e tyre për sfidat dhe mundësitë e pjekurisë duke u dhënë atyre në mënyrë graduale mundësi për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe t’i orientojnë drejt një përdorimi të mirë të kësaj pavarsie.
 
Duke ofruar mbrojtje dhe siguri
Roli i babait si mbrojtës dhe ofrues i sigurisë, ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme ndër vite. Prezenca e babit në shtëpi i krijon fëmijëve ndjenjën e sigurisë dhe të mbrojtjes së natyrshme. Siguria konceptohet më tepër në aspektin financiar. Po ashtu baballarët i ofrojnë ndjesinë e mbrojtjes nëpërmjet monitorimit të mjedisit shoqëror të fëmijës. Kërkimet tregojnë, se fëmijët përfitojnë më shumë, kur prindërit e njohin shoqërinë e tyre dhe prindërit e shokëve. Kjo gjë u shërben gjithashtu edhe prindërve, të cilët me anë të kësaj i shtojnë njohuritë e tyre mbi vendodhjen dhe aktivitetet që kryen fëmija.  Është e rëndësishme, që baballarët t’i kushtojnë rëndësi llojit të shoqërisë, me të cilët fëmija e tyre kalon kohën. Nëse ato shohin, se fëmija është pjesë e një shoqërie të rrezikshme dhe të papërshtatshme, atëherë duhet të mundohen të minimizojnë kontaktin e fëmijëve me këtë shoqëri.
 
Duke shërbyer si një model pozitiv
Baballarët kanë një ndikim të veçantë tek fëmijët e tyre, nëpërmjet llojit të jetesës që ata bëjnë brënda dhe jashtë shtëpisë.
Të jesh model për fëmijën nuk është e thjeshtë dhe e lehtë. Mënyra sesi një baba i trajton njerëzit e tjerë, si shpenzon kohën dhe paratë, si trajton momentet e gëzimit dhe të stresit në jetë, ofrojnë një model jetese për fëmijët e tyre.
 
Nuk është e thënë që baballarët të shkëlqejnë në të gjitha këto dimensione, por ata mund të përpiqen në secilën prej tyre, duke shërbyer kështu pozitivisht në familje. Disa nga këto dimensione i përfshijnë të dy prindërit, disa të tjera janë specifike për burrat në rolin e babait.
 
Mr. Suada Hajredinaj

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit