10.3 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Nga Ubejd JASHARI: Akrepat e historisë sjellin ndryshimin

Më të lexuarat

Nëse shfletojmë pak historinë e popujve të Ballkanit, mund të shohim se në kulturën tonë ballkanike me “pushtet” historikisht është nënkuptuar kontrolli total, dominimi, nënshtrimi dhe kapacitet që shërbejnë për të përhapur frikë. Çdo gjë më pak se kjo asnjëherë nuk është llogaritur si “pushtet” – për fatin tonë të keq.

Së paku prej vitit 1945, me humbjen e ballistëve dhe me fitoren e partizanëve komunistë, të gjitha gjeneratat ranë në këtë grackë ose të gjitha gjeneratat e konsumuan këtë privilegj. Këtij lloji të përjetimit të pushtetit dhe kësaj mendësie nuk i shpëtuan dot as pushtetarët “çlirimtarë” shqiptarë në Maqedoni.

Si shqiptarë, që qenë të persekutuar e përndjekur një herë nga Mbretëria Serbe, duke vazhduar me Jugosllavinë e Titos, pastaj edhe nga pushteti sllavo-maqedonas, ardhja e këtyre në skenë qe përjetuar si ardhja e shpresës se përfundimisht shqiptarët e Maqedonisë do të jetonin të lirë dhe do mund t’i artikulonin interesat e tyre nacionale. Por, ndodhi ajo që më pak pritej – në fakt nuk ndodhi thuajse asgjë e pazakontë për kulturën tonë ballkanike – pandrysheshmëria në esencë.

Ata që e kishin fituar pushtetin në krah të Jugosllavisë më 1945, u zëvendësuan me ata që pas konfliktit të vitin 2001 e fituan pushtetin, duke u thirrur në vlerat e luftës e duke i premtuar bashkësisë ndërkombëtare stabilitet e lojalitet deri në pafundësi. Si të parët, ashtu edhe të dytët, e zbatuan po të njëjtën koncept të pushtetit: kontroll total politik dhe kontroll të dominimit ekonomik të shoqërisë. E, si rezultat i asaj, në fund u krijuan dy botë të ndara: ata që i kishin të gjitha privilegjet dhe ata që s’kishin gjë.

Shoqëria na u katandis gjerë në maksimum, vlerat tona, me të cilat kishim jetuar me shekuj, na u përmbysën, e vjetra na u rrënua, kurse e reja vetëm u improvizua ndryshe. Ne demokracinë e kuptuam vetëm si procedurë e asgjë më tepër: ligje patëm, por jo edhe drejtësi, mundësitë u hapën, por jo për të gjithë – thjesht duhej të kishe një krah të fortë që mund të merrej parasysh nga pushteti i kohës. Dhe, me kalimin e viteve, u krijua bindja se në Maqedoni – pavarësisht përpjekjeve tua dhe kapaciteteve tua, nuk ka mundësi të zhvillohesh –  shoqëria u polarizua aq shumë, saqë një palë i kishte gjitha privilegjet, ndërsa tjetra as elementaret; njëra palë nuk ishte në gjendje të humbte asgjë dhe një palë që nuk kishte çka të humbte më. Thjesht, ndodhi një kaos e degradim i madh shoqëror, ekonomik, politik e moral. Por, si ç’ndodh rëndom – “çdo fillim e ka edhe një fund, dhe çdo fund e ka edhe një fillim tjetër”.

Si duket, më në fund po del në skenë një mendësi e re e shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët janë imunë ndaj “konsideratës së luftës”, një gjeneratë që nuk mjaftohet të krenohet me dokrat kreshnike e legjendare, prej të cilave nuk patën as punë e as bukë. Është kjo një gjeneratë që përpiqet ta rikthejë shpirtin tonë të humbur nga mashtrimet, hajnitë e nga dallaveret e pasluftës. Është kjo gjeneratë që insiston me çdo kusht në rikthimin e vlerave me të cilat kanë jetuar me shekuj. Është kjo një gjeneratë që organizohet me agjendë të qartë shqiptare, pro-perëndimore e euro-atlantike, por duke mos u larguar në asnjë moment nga trungu i shqiptarisë autoktone.

Një send dihet tashmë sigurt – se shqiptarët në Maqedoni do të qeverisen nga vetvetja, për ta (lexo: për shqiptarët) akrepat e orës do të fillojnë ta tregojnë kohën saktë tashmë, pendën që ua morën – do u kthehet për të shkruar përsëri, ndërsa zinxhiri që qe këputur nga ata – do të ringjitet dhe çekreku i historisë që qe bllokuar – do të lëvizë për mos t’u ndalur kurrë më. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit