0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nga Rexhep QOSJA: Ja 15 plagët në trupin e Kombit

Më të lexuarat

Në një aktivitet në Prishtinë për 85-vjetorin e lindjes së akademik Rexhep Qoses, ky i fundit mbajti një fjalim të tipit “përshëndetës:”, por që qe në fakt një manifest i shkurtër mbi gjendjen aktuale të kombit shqiptar, siç ai e sheh.

Fjala e plotë:

Megjithëse mosha në të cilën jam dhe përvoja me të cilën më ka pajisur jeta më kanë privuar si prej mezipritjes për shënime të përvjetorëve ashtu edhe prej dëshpërimeve nga mohime që mund të më bëhen, ky nderim që po më dhurohet këtu prej jush më gëzon.

Pse mund të them kështu?

E para, sepse është nderim që më bëhet prej një Kolegji ndër më të mëdhenjtë e më të rëndësishmit në Republikën tonë, që është njëkohësisht institucion i arsimit të lartë, i shkollimit fillor e të mesëm, i veprimtarive teatrore e kulturore në përgjithësi e i medies moderne dhe prej njërit nga institutet më të çmuara e më të rëndësishme të studimeve shqiptare – të Institutit Albanologjik të Prishtinës, në të cilin unë jam tani e 54 vite, domethënë prej themelimit të tij të dytë në vitin 1967.

E dyta, mund të them kështu sepse është nderim që më bëhet prej këtij Kolegji dhe këtij Instituti në qytetin e Prishtinës, në të cilin jam rritur e jam moshuar e në të cilin e kam zhvilluar dhe bërë publike gjithë krijimtarinë time në fushë të shkencës, në fushë të letërsisë e në fushë të publicistikës.

Prishtina me zhvillimin, me pamjen e me gjendjen e saj të sotme, me rritjen demografike, arkitekturore, artistike dhe kulturore në përgjithësi, flet shumë jo vetëm për veten, po për Kosovën, për Shqipërinë, për gjithë shqiptarët.

Koha në të cilën jeton brezi ynë është kohë e gjasave tona të sotme e të ardhme, të përtashme e historike.

Dhe, këto gjasa na u krijuan në fundin e shekullit 20 dhe në fillimin e shekullit 21.

E arritura më e madhe, historike, e këtyre gjasave është shteti i Kosovës.

Sot ne jemi Komb me dy shtete, që pashmangshëm do të bashkohen. Dhe ky është premtim për një ardhmëri më të mirë se kurrë më parë të popullit shqiptar.

Sot jemi Komb emri i të cilit, identiteti i të cilit, historia e të cilit, kultura e të cilit, dhuntitë e të cilit, nderohen në Botë.

Por, fjalët e këtilla që dëgjohen me shumë ëndje nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se një popull quhet i pjekur në pikëpamje politike, shoqërore, kulturore në qoftë se i sheh qartë, jo vetëm të mirat, por i sheh qartë e kritikisht edhe të këqijat në jetën e tij.

Po i them shkurt disa fjalë për një të keqe që e rëndon jetën tonë të sotme.

Përbërësi më i rëndësishëm i njësisë shpirtërore të popullit shqiptar – kohezioni shpirtëror, shoqëror dhe mbarëkombëtar sot po cenohet, po dëmtohet, kur e kur po rrezikohet, prej disa dukurish, gjendjesh, veprimesh, ndasish, mendimesh, idesh, politikash e mashtrimesh.

E ato janë:

-Krimet më të shumta e më të shumëllojshme se kurrë më parë në historinë e popullit shqiptar duke filluar prej vrasjeve me motivet më të ndryshme e deri te prodhimi, importimi, eksportimi e përdorimi i drogave!

-krahinorizmat dhe lokalizmat e ndryshëm: hapësinorë e mendorë,

-ideja e kombit të dytë shqiptar,

-shpërfillja e klasës së mesme,

-kundërshtimet e disa institucioneve a grupeve ndaj gjuhës standarde,

-ndarja gjithnjë e më e kurdisur e shoqërisë në klasa,

-trajtimi i pabarabartë i dinjiteteve dhe i gjendjeve sociale,

-konfliktet e pandalshme të forcave politike,

-korrupsionet e ndryshme, që pengojnë zhvillimin e ekonomisë, të demokracisë dhe nxisin urrejtje ndaj shtetit,

-nepotizmi me të cilin favorizohen përkatësitë e fetishizuara të kohëve të kaluara dhe shpërfillen aftësitë, dinjitetet, dhuntitë, meritat,

-shfrytëzimi i posteve politike për pasurim dhe për privilegje të llojllojshme,

-shpërfillja e shkencës dhe e kulturës sado në vendet e zhvilluara demografike çmohen si bazë mendore e zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë dhe shtetit,

-jeta në varfëri të skajshme e një pjese të popullsisë,

-papunësia, sidomos e të rinjve,

-shpërnguljet e të rinjve dhe të intelektualëve.

E të tjera.

Çka të bëjmë për të mënjanuar këto dukuri, gjendje, veprime, mendime, ide, politika kundërbashkuese?

Përgjigja ime është: universiteteve, kolegjeve dhe institucioneve shkencore e kulturore iu takon rol i veçantë për mbrojtjen e kohezionit shpirtëror, shoqëror e mbarëkombëtar prej të këqijave të sipërthëna. Ato e formojnë, e ngrisin brezin e ri me dije shkencore, me kulturë, me aftësi të përgjithshme për ruajtjen dhe pasurimin e atij kohezioni shpirtëror, shoqëror e mbarëkombëtar.

Të mos harrojmë se në vitet tragjike të historisë jemi mbajtur qëndrueshëm para së gjithash në sajë të atij kohezioni shpirtëror.

Hajdeni t’ia kushtojmë kujdesin e duhur, të nevojshëm kësaj vlere madhështore që na ka bërë të qëndrueshëm, të fortë në vitet më të vështira të historisë, që na bën sot dhe që do të na bëjë të qëndrueshëm, të dijshëm të nderuar e të fortë gjithmonë.

Ju faleminderit për vëmendjen me të cilën i dëgjuat këto fjalë. 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit